Kush do të jetë Sekretari i ri i Shtetit?

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump njoftoi se ka emëruar drejtorin ekzekutiv të firmës ExxonMobil, Rex Tillerson në postin e sekretarit të Shtetit. Pa përvojë diplomatike dhe me marrëdhënie që shumë i kanë cilësuar si tepër të afërta me Rusinë, kandidatura e zotit Tillerson pritet të ndeshë në rezistencë në Senat gjatë procesit të konfirmimit.
Rex Tillerson, 64 vjeç, është me profesion inxhinier dhe ka filluar punën për firmën Exxon menjëherë pas mbarimit të Universitetit të Teksatit në Austin. Gjatë katër dekadave që pasuan, ai u ngjit në karrierë. Ai kishte në plan të largohej nga kompania vitin e ardhshëm kur të mbushte moshën 65-vjeçare të pensionit të detyrueshëm në kompani.
Ai njihet për aftësinë e arritjes së marrëveshjeve me vende të tjera dhe thuhet se ka marrëdhënie të mira me një sërë krerësh shtetesh në mbarë globin, që janë diçka me rëndësi për një diplomat.
ExxonMobil është kompania e pestë më e madhe në botë, për nga vlera e saj në treg. Megjithëse të ardhurat e kompanisë u ulën disi vitin e kaluar për shkak të rënies së çmimit të naftës në tregjet botërore, ajo është ende një firmë shumë fitimprurëse. Rex Tillerson, paga e të cilit bazohet në ecurinë e kompanisë, fitoi 27 milionë dollarë vitin e kaluar, nga 42 milionë që kishte qenë kompensimi i tij në vitin 2012.
Rex Tillerson duhet të konfirmohet nga Senati dhe procesi pritet të jetë i vështirë. Bazuar në përbërjen e tanishme të Senatit, nëse të gjithë demokratët votojnë kundër tij dhe nëse dy ose tre republikanë bashkohen me ta, kandidatura e presidentit mund të rrëzohet.
Të shtunën, kur dolën njoftimet e para rreth kandidaturës së tij për postin e sekretarit të Shtetit, disa senatorë, mes tyre edhe republikanë, ngritën shqetësime rreth lidhjeve të zotit Tillerson me Rusinë.
Në vitin 2013, Presidenti rus, Vladimir Putin i dha zotit Tillerson “Medaljen e Miqësisë”, për marrëveshjet e firmës ExxonMobil me kompanitë ruse për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi në territorin rus, si dhe për kundërshtimin që u ka bërë sanksioneve ndaj Rusisë.
Të hënën Kremlini e përshëndeti kandidaturën e tij duke e cilësuar atë si një kandidaturë “shumë profesionale”.
David Hamre, presidenti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se zoti Tillerson, i cili është anëtar i kësaj qendre, “ka patur më shumë kontakte me presidentin Putin se ndoshta çdo amerikan tjetër, me përjashtim të Henry Kissingerit”.
Duke folur në fillim të vitit në Universitetin e Teksasit, zoti Tollerson e pranoi se “kam patur marrëdhënie të ngushta” me presidentin Putin, duke e njohur udhëheqësin rus prej 15 vjetësh.
Kjo marrëdhënie është “një çështje shqetësuese”, u shpreh senatori John McCain, kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura.
Senatorë të tjerë republikanë, si Lind Lindsey Graham dhe Marco Rubio, po ashtu kanë lënë të kuptohet se janë të shqetësuar nga marrëdhëniet e tij me Rusinë.
Senatori demokrat, Robert Menendez tha se me Tillersonin si shef të diplomacisë “administrata e presidentit Trump pothuajse ka garantuar se Rusia do të ketë një bashkëfajtor të vullnetshëm që do të drejtojë politikën e jashtme të vendit”.

Përvoja si biznesmen krahasuar me atë të diplomacisë
Ndërsa disa kritikë i vënë në pikëpyetje aftësitë e zotit Tillerson për të qenë kryediplomat, zoti Trump tha në një intervistë të djelën se marrëveshjet globale të zotit Tillerson e bëjnë atë “një lojtar të klasit botëror”.
“Ai i njeh shumë prej lojtarëve dhe i njeh mirë”, u shpreh zoti Trump.
Profesori Henry Hale, ekspert i Euroazisë në Universitetin George Washington i tha “Zërit të Amerikës” se, “biznesi në botë nuk është i njëjtë me zhvillimin e politikës së jashtme”. Por ai shtoi se, “të gjithë sekretarët e Shtetit mësojnë në punë e sipër në njëfarë shkalle”.
Zgjedhja e zotit Tillerson ëshë në përputhje me preferencat e zotit Trump për të patur drejtues të ushtrisë dhe biznesit në kabinetin e tij.
“Përvoja e zotit Tillerson dhe njohja prej tij e formalitetit organizativ e pajisin atë me aftësi të veçanta për të drejtuar Departamentin e Shtetit, i cili për nga kultura është i ngurtë për të vepruar”, thotë Bob Tippee, redaktor i revistës “Nafta dhe Gazi”.

Exit mobile version