Kësaj here është gjithçka ndryshe: në të shkuarën amerikanët me prejardhje aziatike në SHBA janë injoruar në prag të zgjedhjeve. Në rastin më të mirë partitë krenoheshin vetëm me faktin, se kanë fituar pikë edhe tek ky grup zgjedhësish. Ndërsa sivjet të dy kandidatët si Hillary Clinton ashtu edhe Donald Trump po përpiqen të fitojnë pikë prej këtij grupi zgjedhësish, që është në rritje.
Në vitet 2000 deri më 2010 ky grup popullsie në të ashtuquajturat “shtetet swing” si Nevada dhe Karolina e Veriut pothuajse është dyfishuar. Rezultati është, që grupi i zgjedhësve amerikanë me prejardhje aziatike ndërkohë është aq i madh, saqë në zgjedhjet në nëntor mund të luajë një rol vendimtar në rezultat. “Amerikanët me prejardhje aziatike janë pikërisht në shtetet swing si guri i ekuilibrit të peshores. Këto nuk janë më mundësi hipotetike, por kjo edhe ka ndodhur”, thotë Taeku Lee, politolog në “University of California” në Berkeley.
Lee sjell shembullin e zgjedhjeve në Virxhinia më 2014 mes demokratit Mark Warmer dhe rivalit të tij republikan Ed Gillespie. Warmer fitoi duke kryesuar bindshëm me rreth 20.000 vota. “Ky avantazh shpjegohet pikërisht me zgjedhësit me prejardhje aziatike. Nëse këta zgjedhës do të kishin dhënë votën e tyre do të kishte fituar Ed Gillespie”, nënvizon Lee.
Hillary Clinton do të fitojë pikë
Ekipi elektoral i Hillary Clintonit e ka kuptuar rëndësinë e kësaj shtrese zgjedhësish. Tradicionalisht demokratët mund të llogarisin me votat nga ky grup. Por për ta ruajtur këtë tendencë, kampi i Clintonit ka nisur të marrë masat.
Ekipi i Clintonit vepron në disa drejtime: shpalljet elektorale bëhen në gjuhën urdu, në atë vietnameze, në hindi dhe në gjuhën koreane. Madje ka edhe telefonata në gjuhë të ndryshme, sepse një e treta e zgjedhësve të mundshëm nuk e flet rrjedhshëm anglishten.
“Qëllimi i fushatës është që të prezantohen në të gjitha format të gjitha informacionet, që duan t’i kenë njerëzit”, thotë Shekar Narasimhan, themelues dhe kryetar i fondit “Asian-American and Pacific Islanders (AAPI) Victory”. Sipas Narasimhan synohej që në këtë mënyrë të tregohet se sa të interesuar jemi pikërisht për këtë grup zgjedhësish.
Fondi “AAPI Victory” i ashtuquajtur “Super PAC” është i specializuar për amerikanët me prejardhje aziatike. Një “Super Pac” është një lloj grupi lobingu që fokusohet në mbështetjen ose luftimin e deputetëve ose nëpunësve elektoralë të qeverisë.
Amerikani nga SHBA-ja Narasimhan, i cili e ka prejardhjen nga India, krahas punës si konsulet depozitash financiare angazhohet me pasion edhe për komunitetin e tij. Fondi i tij përqendrohet në shtetet, në të cilat numri i amerikanëve me prejardhje aziatike mund të luajë një rol vendimtar në votime.
Narasimhan, që ithtar i demokratëve, është i bindur, se ky grup zgjedhësish mund t’i sigurojë fitoren Hillary Clintonit. Brenda komunitetit ka pasur një valë të madhe mbështetësish, kur Barack Obama kandidoi për herë të dytë. Pothuajse tre të katërtat e komunitetit aziatik asokohe votuan për rizgjedhjen e tij. Nëse u referohesh sondazheve të fundit, mbështetja e madhe e tyre do të mbetet për demokratët.
Përpjekjet e republikanëve
Partia Republikane është po ashtu në kërkim të shtresave të reja të zgjedhësve dhe përpiqet ta gjejë fatin e saj edhe tek amerikanët me prejardhje aziatike. Donald Trump në shtator angazhoi një forum konsultativ, i cili duhej të fokusohej pikërisht tek ky grup zgjedhësish. Në fillim të tetorit Trump mori pjesë në një gala donacionesh, që u organizua nga Partia Republikane brenda grupit hindu të lobingut.
“Unë jam një tifoz i madh i hinduve dhe i Indisë”, tha Trump në fjalimin e tij. Ai e mbylli fjalimin me fjalët: nëse do të zgjidhem “komuniteti indian dhe hindu do të ketë një mik të mirë në Shtëpinë e Bardhë”.
Pavarësisht fjalëve të ngrohta nuk duket që Trump të ketë shanse të mira tek ky grup. Ekipi elektoral i tij ka bërë përpjekje të mëdha për ta relativizuar retorikën e ashpër të Trumpit kundrejt migrantëve. Ndonëse komentet e tij nuk i janë adresuar direkt aziatikëve, ai e ka humbur një pjesë të madhe nga ky grup zgjedhësish.