Kush e këshillon Putinin?

A participant wears a sticker with the word "Obey!" during an opposition protest on Revolution square in central Moscow February 26, 2012. Thousands of Russians joined hands to form a ring around Moscow city centre on Sunday in protest against Vladimir Putin's likely return as president in an election next week. REUTERS/Denis Sinyakov (RUSSIA - Tags: CIVIL UNREST ELECTIONS POLITICS) - RTR2YGW2

Javën e kaluar “New York Times” ka treguar operacionin financiar e kulturor që e ka shtyrë Presidentin rus, Vladimir Putin, që sapo ka fituar konfirmimin e ri elektoral në Dumë, që të hedhë sytë dhe duart mbi një kishë në zemër të Parisit. Bëhet fjalë për “Moskën mbi Senë”, katedralen e madhe ortodokse që do të ngrihet afër Kullës Eiffel, në Quai Branly. “Kjo kishë është avamposti i një Europe tjetër, konservatore dhe antimoderne, në zemër të atdheut të libertinizmit dhe të laicizmit”, ka thënë për “New York Times” Michel Eltchaninoff, studiues francez dhe autor i librit “Dans la tête de Vladimir Poutine”, për mendimin e Presidentit rus. Kryeredaktor i “Philosophie Magazine” dhe autor esesh mbi Dostoevskij, Eltchaninoff ka biseduar tani me “Il Foglio” për të kuptuar “revolucionin konservator” të Presidentit rus, që bazohet mbi rilindjen e kulturës ortodokse të izoluar prej shekujsh nga qytetërimi europian dhe jo i gërvishur nga era e Rilindjes dhe e Iluminizmit.
Sapo kanë qenë viktima Pornhub dhe YouPorn, sajtet më të mëdha pornografike në botë, të sapobllokuara në Rusi nga një ligj i Putinit kundër pornografisë. “Në qoftë se ju japim juve një abonim premium, do ta na e hiqnit bllokimin në Rusi?”, kishin pyetur drejtuesit e YouPorn në Roskomnadzor, shërbimin federal rus për mbikëqyrjen e komunikacioneve. “Na vjen keq, nuk jemi në treg dhe demografia nuk është mall shkëmbimi”, ka qenë përgjigjja e shërbimit federal.
“Me qëllim që të vendosë autoritetin e tij mbi shoqërinë ruse, sidomos nga 2013, Putini ka plazmuar një doktrinë të destinuar që të mobilizojë të gjithë shoqërinë ruse kundër një Perëndimi të perceptuar si dekadent”, thotë Michel Eltchaninoff për “Il Foglio”. “Kremlini ka ndjekur nga afër lëvizjen opozitare të ‘martesës për të gjithë’ në Francë dhe ka vëzhguar tensionet në Bashkimin Europian, me preokupime në rritje në lëmin e emigracionit joeuropian. Ka ndjekur revoltën e shumë intelektualëve europianë kundër ‘shpirtit të ’68-ës’ përgjegjës për problemet aktuale. Putini ka ndërmarrë një ofensivë konservatore të drejtuar si ndaj rusëve, ashtu edhe ndaj europianëve. Kundër të supozuarit “politically correct” perëndimor, Presidenti rus “i quan gjërat me emrin e tyre”, mezi e fsheh homofobinë dhe përbuzjen e tij ndaj “dobësisë” perëndimore. Kundër amnezisë së supozuar europiane respektivisht të kaluarës së saj, Putini ka mbrojtur rrënjët kristiane të Europës. Me shpirtin modernist, Putini riafirmon vlerat tradicionale të familjes, patriotizmin, bindjen ndaj hierarkisë. Me ndërtimin e një imazhi në pjesën më të madhe fantazi të një Europe të dominuar nga pakica të këqija dhe të hyrë në stadin e dekadencës, Putini ofron modelin rus të stabilitetit politik dhe konservatorizmin social e moral. Qysh kur është rikthyer në presidencë më 2012, Putini ka thënë se shumë prej vendeve euroatlantike i refuzojnë rrënjët e tyre, midis të cilave vlerat kristiane që përbëjnë bazën e qytetërimit perëndimor, duke u ankuar për faktin që, sipas tij, po të citojmë një diskutim të tij në Novgorod, këto vende “po mohojnë parimet morale dhe identitetet kombëtare, kulturore, fetare dhe seksuale. Ato po zbatojnë politika që barazojnë familjet me partnerë të të njëjtit seks, besimin tek Zoti me besimin tek Satanai. Njerëzit në shumë vende europiane nuk ndjehen mirë ose kanë frikë që të flasin për përkatësitë fetare të tyre. Në kundërshtim me relativizmin, rënien kulturore, pushtimin e internetit, korrektesën politike, mazokizmin demokratik dhe dobësinë përballë pakicave, Vladimir Putini promovon një edukim moral të bazuar mbi vlerat kristiane, një kulturë klasike dhe libreske, patriotizmin, militarizmin dhe respektimin e hierarkisë. Në thelb, Europa ka hyrë në një fazë dekadence, ndërsa Rusia është në një fazë ngjitëse të historisë së saj”.
Një prej personaliteteve më mbresëlënëse të Rusisë së shekullit të kaluar, Konstantin Leontiev, “Nietzsche rus”, pse jo edhe autor referues i Putinit, vërente se Bizanti i mbijetoi rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit për 1000 vjet. “Pothuajse të gjithë shkrimtarët perëndimorë patën dhe treguan një parapëlqim të gjatë ose për republikanizmin ose për feudalizmin, ose për katolicizmin dhe protestanizmin”, shkruante Leontiev. “Prandaj Bizanti, autokratik, ortodoks dhe aspak feudal, nuk mund t’u ngjallte atyre as simpatinë më të vogël”.
Pas rënies së Romës në vitin 476, “Roma e Dytë”, Bizanti, e zgjeroi me të drejtë, në emër të Zotit, sovranitetin e tij të padiskutueshëm mbi të gjithë popujt. Perandoria Bizantine njohu në shekuj ekspansione dhe tërheqje: boshti i saj u spostua nga Mesdheu në Eurazi dhe u bë një perandori vetëm greke, që u kufizua në qytetin e Kostandinopojës dhe në Peloponez. Rusia e Putinit sot e imagjinon veten si “Roma e Tretë”. “Putini bazohet mbi modelin pseudoshkencor të Konstantin Leontiev dhe mbi një prej koncepteve më të famshëm pas të cilit Vladimir Putini është apasionuar: atë të ‘kompleksitetit lulëzues’. Sipas filozofit rus, që kishte një pozicion antieuropian dhe antiborgjez, çdo qytetërim, pas një periudhe thjeshtësie fillestare, arrin apogjeun e tij në një epokë kompleksiteti lulëzues, për të rënë pastaj në një periudhë thjeshtëzimi dhe konfuzioni. Për Leontiev, gjithmonë duke filluar nga Rilindja, Europa ka pushuar së linduri shenjtorë e gjeni dhe ka gjeneruar vetëm inxhinierë, parlamentarë, profesorë. Nëpërmjet modalitetit të zhvillimit dhe konformizmit të saj, ka bërë gjithçka uniforme. Por është edhe konfuze. Banorët e saj janë të hutuar, nuk dinë më sesi t’i japin një kuptim jetës së tyre. Ata demonstrohen të paaftë në perceptimin e një parimi superior frymëzues. Por për vetë Putinin, “kompleksiteti lulëzues” mund të jetë i mundur vetëm nën drejtimin e vëmendshëm të një shteti që mobilizon dhe bashkon forca të fuqishme”.
Si ia bën Rusia të konfigurohet si alternativë ndaj liberalizmit pas rënies së komunizmit? “Në Rusi, termi ‘liberal’ është përdorur në kuptim pezhorativ në mediat zyrtare për të paraqitur opozitën ndaj autoritarizmit të Kremlinit”, thotë Eltchaninoff. “Putini ka përdorur edhe termin eksplicit ‘kolonë e pestë’ për të vënë nën akuzë ndjekësit politikë e demokracisë perëndimore. Boris Nemtsov, i vrarë në shkurt të 2015, ishte në listën e atyre të konsideruar si ‘armiq të Rusisë’. Për të kuptuar sesi Rusia e Putinit është bërë një alternativë ndaj demokracisë perëndimore ‘liberale’, duhet të kthehemi tek lufta, që nuk ka rreshtur kurrë, edhe gjatë periudhës sovjetike, midis një ‘partie ruse’ kundra Perëndimit dhe një lëvizjeje më të hapur ndaj Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Sllavofilët sovjetikë dhe passovjetikë mendonin se zhvillimi i Rusisë duhet të ndjekë një rrugëtim specifik”.
Në vitin 1941, Stalini arriti ta eliminojë kishën si institucion publik. Çdo manastir dhe seminar u mbyll. Me rënien e komunizmit, kisha ka filluar të rindërtojë jetën institucionale të shkatërruar. Numri i famullive është rritur nga 7000 20 vite më parë në 30000 sot. Rusia e Putinit po kthehet në konceptin e vjetër bizantin të “simfonisë”, një qasje në të cilën kisha dhe shteti bashkëpunojnë. “Kisha ortodokse ruse, e nënshtruar ndaj pushtetit gjatë periudhës sovjetike zyrtarisht ateist, ka eksperimentuar një rigjallërim mbresëlënës nga Perestrojka. Ceremonitë e përvjetorit të 1000-të e ‘Pagëzimit të Rusisë’ më 1988 janë shoqëruar nga një rizbulim fetar tek të rinjtë. Në vitet 2000, Patriarkati i Moskës mund të konsiderohej si autoriteti moral i vërtetë i vendit. Por ngurtësimi i Kremlinit më 2004 dhe përqendrimi i pushtetit në duart e Putinit e ka ndryshuar këtë. Sot Patriarkati i Moskës ushtron doktrinën zyrtare të shtetit rus. Ndërsa kisha ortodokse shpreh një teologji mistike, Patriarkati është bërë një ndihmës i putinizmit”.
Nga Dostoevskij tek Solzhenicin, ekziston një traditë e gjatë ruse e konservatorizmit. Tek “Vëllezërit Karamazov”, Dostoevskij ia mohon pikërisht Ivan Karamazov, intelektualit revolucionar dhe laik, parimin e ndarjes midis shtetit dhe kishës. “Sot rikthimi tek konservatorizmi në Rusi është në pjesën më të madhe funksional”, thotë Eltchaninoff. “Mendimtarët dhe shkrimtarët e mëdhenj të cituar nga Putini gjatë fjalimeve të tij janë përdorur për qëllime ideologjike. Dostoevskij është një publicist antiperëndimor tek libri i tij ‘Ditari i një shkrimtari’ dhe romancieri i parë rus i kaosit të modernizmit. Putini citon edhe Nicolas Berdjaev. Konservatorizmi aktual trashëgon pjesë të një tradite intelektuale ruse, por është më shumë sfondi ideologjik ndaj një politike antiperëndimore”.
Cilat janë sot raportet midis Rusisë dhe islamit? “Islami në Rusi është endogjen nga pushtimi i vendit prej mongolëve në shekullin XIII. Myslimanët në Rusi janë të ngulitur mirë. Zyrtarisht, islami konsiderohet një ‘besim tradicional’ rus (në ndryshim nga katolicizmi). Putini pëlqen kështu të mburrë një ‘islam rus’. Ai sugjeron se shpesh kisha ortodokse është më e afërt në vlerat e saj – nënshtrim ndaj Zotit, bindje ndaj autoritetit, etikë tradicionale, antikonsumizëm dhe antidekadencë – me një mysliman sesa me një modernist perëndimor. Të kujtojmë manifestimin e madh antiCharlie Hebdo të organizuar nga Presidenti çeçen Kadyrov në mirëkuptim me Putinin pas sulmeve të Parisit. Megjithatë, Putini e dënon me forcë islamizmin që barazohet sistematikisht me wahabizmin e ardhur nga Arabia Saudite. Çdo manifestim islamik që i kundërvihet Moskës (për shembull, midis rebelëve çeçenë) trajtohet si një produkt i jashtëm i rrezikshëm. Kështu, për Kremlinin ekziston një ‘islam i mirë’ kombëtar, konservator dhe besnik ndaj Moskës dhe një ‘islam i keq’ që vjen nga jashtë”.
Ju keni shkruar se pika e kthesës për Putinin ka qenë masakra e Beslan, shkolla në Osheci e marrë peng nga terroristët islamikë. “Më 2004, kristalizimi konservator i Putinit ndodhi pas tragjedisë së Beslan”, vazhdon Eltchaninoff. “Putini është një trashëgimtar i sovjetivizmit. I ka kaluar 40 vitet e parë të jetës së tij në Bashkimin Sovjetik. Kjo e ka bërë të jetë i influencuar fuqimisht nga disa vlera të caktuara si patriotizmi, militarizmi, kompleksi i superioritetit të një fuqie të madhe. Ka shërbyer në trupën elitare të vendit: KGB-në, që u bë FSB pas 1991. Megjithatë, Putini nuk i ka besuar kurrë modelit komunist të ekonomisë shtetërore apo të një shoqërie pa klasa. Kështu, kur është ngjitur në pushtet më 1999, nuk synonte të rehabilitonte sovjetivizmin. Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, nga 2000 më 2004, Putini ka adoptuar një pozicion liberal. I pëlqente të citonte Immanuel Kant dhe të thoshte se Rusia ishte pjesë e Europës. Donte që Rusia të jetonte sipas “standardeve” perëndimore. Ishte prezantuar si lideri që do të sillte stabilitet e begati, edhe në nivel kombëtar, dhe të rivendoste prestigjin e humbur nga Rusia në nivel ndërkombëtar. Nga 2004, një seri ngjarjesh ka nisur të ndikojë mbi këtë diskutim modernizimi miqësor. U bind se Rusia ishte shënjestër e një aktiviteti armiqësor aktiv për llogari të Perëndimit. Çeçenët separatistë në Beslan morën peng shkollën në një qytet të vogël të Kaukazit rus. Pas një ndërhyrjeje të forcave speciale ruse të kryer në mënyrë të dhunshme dhe kaotike, 344 persona vdiqën, midis të cilëve 186 fëmijë. Dy javë më pas, Putini mbajti një fjalim shumë konservator. Në radhë të parë, Putin ftoi besimet fetare që ta luftonin terrorizmin. Pastaj Putini bëri kishën ortodokse ruse aleatin e tij për të “moralizuar” popullin. Kjo ka shënuar një spostim të parë drejt konservatorizmit. Pas periudhës së presidencës Medvedev (2008-2012), Vladimir Putin ka intensifikuar disa tendenca që tashmë qenë të dukshme në dy mandatet e para të tij: konservatorizmin e hapur përballë një bote perëndimore që e ka perceptuar si dekadente dhe që mohonte rrënjët kristiane të saj; afirmimin e një specificiteti rus që duhet të mbrohej me çdo kusht ndaj armiqësisë së Perëndimit; përshpejtimin e projektit të një Bashkimi Euraziatik. Në fakt, siç do ta pranojë vite më pas, bindja e thellë e Putinit është se “njeriu nuk mund të jetojë pa vlerat morale”. Nga 2005 në dhjetor 2014, Putini i është referuar rregullisht Ivan Ilyin (1883-1954), një filozof rus i emigruar në Europë, antikomunist dhe antidemokratik i dhunshëm. Është apasionuar pas Lev Gumilev (1912-1992), që ka mbrojtur teoritë euraziatike gjatë periudhës sovjetike. Rezultati është një ideologji multiformëshe, fijet e përbashkëta të së cilës janë ideja e perandorisë dhe armiqësia ndaj Perëndimit. Në terma teorikë, Putini ka alternuar ekzaltimin e rusicitetit ortodoks të vendit dhe celebrimin e thelbit multietnik dhe multifetar të saj. Lavdëron harmoninë që mbretëron midis popullsive ortodokse të vendit dhe 15 milionë myslimanëve të tij. Teoricienët e euraziatizmit theksojnë se ka një “kontinent të tretë” midis Europës dhe Azisë, një Eurazi që është një njësi koherente, në termat e klimës, bimësisë, gjuhëve e gjeografisë dhe që bashkon ortodoksë, sllavë, myslimanë e budistë. Megjithatë, sipas Presidentit rus, ky diversitet i brendshëm mund të lulëzojë vetëm në kuadër të një shteti të fortë. Në këto kushte, Rusia mund edhe të jetë një model për botën. Siç thoshte Putini qysh më 2003, “Si vend euraziatik, Rusia është një shembull unik dialogu midis qytetërimeve kulturore”. Putini dhe disa prej këshilltarëve më të ngushtë të tij mendojnë se Europa Perëndimore është një dështim. Sipas tyre, shtetet europiane janë hapur ndaj të gjitha emigracioneve dhe nuk janë në gjendje t’i bëjnë rezistencë helmit të islamizmit apo asaj që e shohin si një pushtim mysliman. Për sa u përket qytetarëve të saj, shikohen si konsumatorë pa tru dhe sipërfaqësorë që kanë humbur ndjenjat e tyre të patriotizmit dhe të frymëzimit nga ideale të mëdha”.
Kush e këshillon më shpesh Putinin? “Përjashto këshilltarët që shkruajnë diskutimet e tij, Putini ka disa persona të enturazhit të tij që mund të rivendikojnë titullin e ideologut. Njëri është Vladimir Yakunin. Ka marrë një Doktoraturë në Shkenca Politike, është Presidenti i kompanisë Hekurdhat Ruse, është mjaft i afërt me Presidentin dhe organizon simpoziume intelektuale me temën e ‘dialogut të qytetërimeve’. Kultivon një imazh jashtëzakonisht fetar dhe shkon në Jeruzalem çdo vit për shërbimin e Pashkës, me qëllim që të sjellë flakën e ‘zjarrit të shenjtë’. Financon dhe organizon ‘ture’ me relika në Rusi. Drejton një rilindje fetare dhe morale në Rusi.
Së fundi, ndërsa nuk janë politikanë, dy njerëz të tjerë influencojnë mendimin e Presidentit rus. Nikita Mikhalkov, regjisori, ka mishëruar rinovimin e një ‘Rusie të bardhë’ në vijim të rënies së komunizmit. Pastaj, ka mundësi që Putini të ketë një rrëfyes, At Tichon Shevkunov”. Vazhdon më tej Eltchaninoff: “Putini ka kërkuar të rizgjojë dy emocionet tek bashkëkombasit e tij: krenarinë në një rikthim të madh të Rusisë që mund ta aneksojë Krimenë pavarësisht të drejtës ndërkombëtare dhe ndjesinë e të jetuarit në një kështjellë të rrethuar”.
Një rikthim që sipas planeve të Kremlinit kalon edhe nga një katedrale në zemër të Parisit. E ripagëzuar “Shën Vladimir” nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Mitterrand. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, amerikanët e kishin zakon ta quanin Bashkimin Sovjetik si “perandoria ateiste” që do të shembej pse kish eliminuar fenë. Pas 20 viteve putinizëm, është Kremlini i banuar nga një ish-oficer i KGB-së dhe i pagëzuar me fshehtësi të madhe ai që lëshon të njëjtën akuzë për ateizëm Perëndimit. Sot kisha ortodokse ruse ka deri një emisar për marrëdhëniet me kristianët amerikanë, Peshkopin Hilarion Alfeyev, që në një udhëtim të tij të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara ka takuar ish-Presidentin George W. Bush. Është ky, konkludon Michel Eltchaninoff, basti i Putinit: “Të bëjë të besohet se Rusia është sot një pol antidekadent dhe konservator në Europë dhe në botë”.
(nga Il Foglio)

Përgatiti:

Armin TIRANA

Exit mobile version