Emily Parker
Betejat kibernetike të ditëve të sotme të bëjnë pothuajse të të marrë malli për Luftën e Ftohtë. Gara e armëve bërthamore kishte krijuar një ndjesi rreziku ekzistencial, por të paktën të gjithë e dinin se kush i kishte armët në dorë. Në të kundërt, një sulm kibernetik mund të vijë sot nga çdo anë dhe nga çdokush. Gjithnjë e më shumë vende të botës lëshojnë sulme kibernetike, por në të njëjtën kohë, edhe goditen here pas here prej tyre. Në epokën e zhvillimit të jashtëzakonshëm teknologjik dhe të garës se kush lëshon më shumë sulme kibernetike, vetëm një gjë e sigurt: pasiguria.
Si mund të kundërpërgjigjet një qeveri ndaj një sulmuesi të padukshëm, veçanërisht kur nuk ekzistojnë rregulla të mirëpërcaktuara të angazhimit? Si mund të bindin zyrtarët qeveritë e tjera dhe publikun se i kanë drejtuar gishtin të dyshuarve të duhur? Si mund të parandalojë një shtet sulmin kibernetik kur është pothuajse e pamundur të fajësohet një palë e caktuar dhe logjika tradicionale e mbrojtjes – nëse më sulmon, do të kundërsulmoj – nuk është më e aplikueshme?
Dy libra të kohëve të fundit janë përpjekur të zhyten pikërisht në këtë vorbull diskutimi për të gjetur përgjigje. “Territori i Errët” i shkruar nga Fred Kaplan dhe “Rendi Botëror i Hakuar” nga Adam Segal, shpjegojnë historikun e sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara dhe rreziqet potenciale që mund të sjellin konfliktet e së ardhmes. Të dy autorët qartësojnë se, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe institucionet amerikane ndodhen shpesh nën shënjestrën e kriminelëve kibernetikë dhe hakerëve, vetë Amerika është gjithashtu një agresore e fuqishme në hapësirën kibernetike.
Në të ardhmen, Shtetet e Bashkuara duhet ta përdorin me maturi pushtetin kibernetik. Çdo konflikt sjell rrezikun se njëra nga palët mund të bëjë një gabim ose të reagojë në mënyrë të paparashikuar, duke bërë që gjërat të dalin jashtë kontrollit. Kur bëhet fjalë për luftën kibernetike, rreziku është veçanërisht i lartë për Shtetet e Bashkuara, duke qenë se sofistikimi i lartë teknologjik e kthen automatikisht në një viktimë të dobët përballë sulmit.
Superfuqi kibernetike
Titujt dramatikë të të ashtuquajturës ndërhyrje të Rusisë në hapësirën kibernetike të Shteteve të Bashkuara gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar dhe përhapja e informacioneve të rreme në internet gjatë procesit zgjedhor e përforcuan edhe një herë bindjen e qytetarëve amerikanë se Shtetet e Bashkuara janë viktimat kryesore të sulmeve kibernetike. Kjo nuk është e vërtetë. Kaplan shpjegon historinë e gjatë të agresionit të Shteteve të Bashkuara në hapësirën kibernetike. Nuk është e lehtë të shkruash një libër mbi luftën kibernetike dhe Kaplan, reporter i sigurisë kombëtare tek Slate, ka bërë një punë të mrekullueshme. Ai prezanton të dhëna të qarta të evolucionit të Shteteve të Bashkuara në një superfuqi të jashtëzakonshme kibernetike, duke e udhëzuar lexuesin përmes detajeve më të vogla teknike dhe akronimeve qeveritare.
Rezulton se qeveria e Shteteve të Bashkuara e kanë përdorur pushtetin kibernetik si armë prej një çerek shekulli. Kaplan përshkruan se sulmet kibernetike për të trazuar aftësinë e armikut për të kontrolluar forcat e tij, daton që në vitet 1990-1991 në Luftën e Gjirit. Në kohën kur presidenti George H. W. Bush ende nuk kishte përdorur ndonjëherë një kompjuter, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) ishte duke përdorur satelitë sekretë për të monitoruar bisedat e presidentit iraken Saddam Hussein dhe gjeneralëve të tij, që ndonjëherë zbulonin edhe vendndodhjet e ushtarëve irakenë.
Shtetet e Bashkuara i kanë shfrytëzuar muskujt e tyre dixhitalë edhe në fund të viteve 1990, kur serbët në Bosnje-Hercegovinë protestonin prezencën e ushtarëve të NATO-s duke monitoruar zbatimin e marrëveshjes së paqes së Daytonit në vitin 1995, e cila i kishte dhënë fund luftës në Bosnje. Zyrtarët amerikanë zbuluan se repoterët e zonës ishin duke njoftuar protestuesit dhe kur dhe ku duhet të mblidheshin, madje i nxisnin ata që të gjuanin me gurë ushtarët e NATO-s.
Rezultoi më pas se 85 për qind e serbëve i merrnin transmetimet e tyre televizive nga pesë kulla transmetimi. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, duke punuar me forcën stabilizuese të drejtuar nga NATO, ose SFOR-i, instaloi pajisje të veçanta në këto pesë transmetues që i lejonin inxhinierët e SFOR-it që t’i ndiqnin dhe fiknin ato sipër dëshirës nga larg. Sa herë që mediat nxisnin popullin të protestonte, inxhinierët fiknin transmetuesit.
Zyrtarët amerikanë kanë përdorur edhe ndihmën e producentëve të Hollivudit, duke i bindur ata të ofronin programacion për stacionet televizive serbe që ishin në krah të Shteteve të Bashkuara. Gjatë një proteste të madhe antiNATO, serbët hapën televizorin dhe panë se transmetoheshin vetëm seritë e “Baywatch”-it. “Shumë serbë, të cilët do të kishin përfunduar në rrugët e qytetit duke shkaktuar telashe të mëdha, qëndruan në shtëpi për të parë femra të bukura që vraponin në plazh me rrobe banjo”, thotë Kaplan.
Rreth një dekade më pas, Shtetet e Bashkuara ngritën njësinë e ashtuquajtur “miniNSA” në Irak. Kaplan përshkruan me detaje se si ekipe te NSA-së në Lindjen e Mesme përgjonin e-mail-et e kryengritësve dhe fikën serverat e tyre me viruse kompjuterike. Në raste të tjera, ata u dërgonin e-mail-e mashtruese që i drejtonin kryengritësit në vende ku forcat speciale amerikane i prisnin për t’i vrarë. “Vetëm në vitin 2007, këto lloj operacionesh vranë pothuajse katër mijë irakenë rebelë”, shkruan Kaplan.
Sulmi kibernetik më ambicioz i Shteteve të Bashkuara filloi në vitin 2006, kur u bashkua me Izraelin për të sabotuar programin bërthamor të Iranit. Bashkëpunimi, i quajtur ndryshe Operacioni Lojërat Olimpike, vuri nën shënjestër reaktorin e Iranit në Natanz, i cili përdorte kontrolle kompjuterike me telekomandim. Virusi i krijuar nga programuesit amerikanë goditi ashpër valvulën e pompave të reaktorit, duke i lejuar operativët e NSA-së të rrisnin rrjedhën e gazit uranium në centrifuga, duke çuar deri në shpërthimin e tyre. Deri në fillim të vitit 2010, operacioni kishte shkatërruar pothuajse një të katërtën e 8,700 centrifugave të Iranit.
Për vite me radhë, iranianët nuk arritën as të kuptonin ndërhyrjen kibernetike që ishte bërë dhe pyesnin vetëm nëse keqfunksionimi ishte gabim i tyre. Në këtë rast, shkruan Kaplan, qëllimi ishte lufta e informacionit dhe nën shënjestër nuk u vu thjesht programi bërthamor, por edhe besimi i iranianëve tek sensorët e tyre, pajisjet, teknologjia dhe vetja. Iranianët dhe publiku i gjerë mund të mos e kishin mësuar kurrë ekzistencën e virusit, tani i njohur si Stuxnet, po të mos ishte shpërndarë aksidentalisht nga kompjuterët e Natanzit tek makineritë në pjesë të tjera të botës, ku u zbulua më në fund nga kërkuesit e sigurisë kibernetike të sektorit privat.
Me operacionin Lojërat Olimpike, Shtetet e Bashkuara “kapërcyen Rubikonin” sipas fjalëve të ish-drejtuesit të CIA-s, Michael Hayden. Stuxnet ishte virusi i parë që arriti të bëjë dëmin më të madh që ishte bërë ndonjëherë në një kompjuter dhe arriti më pas të shkaktojë shkatërrim fizik të aparaturave. “Ironia ishte e qartë”, shkruan Kaplan. “Për vite me radhë dhjetëra panele dhe komisione paralajmëronin se infrastruktura kritike e Shteteve të Bashkuara ishte e dobët përballë sulmeve kibernetike dhe tani, Amerika ishte duke lëshuar vetë sulmin e parë kibernetik kundër infrastrukturës kritike të një shtetit tjetër”.
Natyrisht, sulmuesit kibernetikë i kanë vënë shpesh nën shënjestër Shtetet e Bashkuara. Vetëm në vitin 2014, raporton Kaplan, vendi pësoi mbi 80 mijë ndërhyrje në sigurinë kibernetike dhe mbi 2 mijë prej tyre shkaktuan humbje të mëdha të dhënash. Ai thekson gjithashtu se deri kohët e fundit, politikanët amerikanë gabimisht nuk ishin aq sa duhej për Rusinë dhe Kinën që po angazhoheshin prej kohës jo vetëm në spiunazh dhe përgatitje sulmesh kibernetike, por edhe në aktivitetet e vjedhjes së sekreteve tregtare, pronës intelektuale dhe parave.
Kina dhe Rusia nuk janë lojtaret e vetme në fushë. Irani dhe Korea e Veriut i kanë sulmuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2014, biznesmeni Sheldon Adelson, kritikoi Iranin, i cili u kundërpërgjigj duke hakuar serverat e kompanisë së tij “Sands Corporation” në Las Vegas, duke shkaktuar një dëm prej 40 mijë dollarësh. Në të njëjtin vit, hakerët që e quanin veten Rojtarët e Paqes, penetruan në rrjetin e Sony-t.
Ata arritën të shkatërronin mijëra kompjutera dhe qindra server, nxorën në dritë mijëra numra të sigurisë sociale dhe publikuan e-mail-e të turpshme të përftuara nga profilet e ekzekutivëve të Sony-t. Zyrtarët e qeverisë së Shteteve të Bashkuara fajësuan Korenë e Veriut për sulmin në fjalë. Sony Pictures ishte gati për publikun filmin “Intervista”, një komedi qesharake rreth një tentative për të vrarë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Dita e premierës po afronte dhe hakerët kërcënuan kinematë me pasoja të rënda në rast se transmetonin filmin. Kur Sony e anuloi premierën, kërcënimet u ndaluan.
Të gjithë hakojnë
“Rendi Botëror i Hakuar” është një libër që mbulon të njëjtën fushë me “Territorin e Errët”, por me një lente pak më të gjerë. Përveç diskutimit të një sërë sulmesh kibernetike dhe përgjimesh, Segal, anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme, përshkruan në detaj se si Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera përdorin rrjetet sociale për qëllime politike. Rusia, për shembull, përpiqet të formojë një diskurs politik në internet duke shpërndarë “fake news” dhe duke përdorur një armatë të tërë për të postuar komente fyese dhe trazuese.
Thuhet se qeveria ruse ka punësuar anglishtfolës për të lavdëruar presidentin Vladimir Putin në faqet e internetit të mediave të huaja. Qëllimi nuk është detyrimisht për ta bërë figurën e Putinit më të pëlqyeshme për amerikanët, shpjegon Segal. Qëllimi i vërtetë është për të përhapur konfuzion në internet dhe për ta bërë tërësisht të pamundur diskursin e arsyeshëm dhe racional. Komentuesit kinezë në internet përpiqen gjithashtu të trazojnë ujërat e diskutimeve online. Segal pretendon se qeveria kineze paguan mbi 250-300 mijë persona për të mbështetur axhendën zyrtare të Partisë Komuniste në internet.
Segal sugjeron se Shtetet e Bashkuara ka shumë gjasa të mos ta fitojnë kurrë luftën në mediat sociale kundër vendeve si Kina dhe Rusia. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit amerikan e identifikojnë veten në Facebook dhe Twitter, reagojnë ngadalë dhe me maturi përballë lajmeve dhe ofrojnë komente faktike, duke mos kapërcyer cakun. Fatkeqësisht, thekson Segal, “përmbajtjet tronditëse, konspirative dhe falso janë ato që e tërheqin më shumë turmën, krahasuar me përmbajtjet e arsyeshme, racionale dhe të matura”.
Betejat në rrjetet sociale zhvillohen edhe në Lindjen e Mesme. Në vitin 2012, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Hamasi u përfshinë në luftën e opinionit publik duke përdorur Facebook, Twitter, Google, Pinterest dhe Tumblr në të njëjtën kohë, njëlloj sikur të dy palët të ishin duke shkëmbyer zjarr ndërmjet tyre. Shteti Islamik (ISIS) ka lëshuar fushata të ashpra dixhitale që përdorin, sipas fjalëve të Segalit, “brutalitet dhe barbarizëm, së bashku me teknikat e sofistikuara të produksionit”.
Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të kundërluftojnë duke shpërndarë histori negative rreth Shtetit Islamik dhe në vitin 2014, krijoi edhe një video, duke përdorur xhirime të publikuara nga grupi, ku shfaqeshin imazhe të kokave të prera dhe kryqëzimit të njerëzve. Videoja u përhap në të gjithë botën, por analistët brenda dhe jashtë qeverisë amerikane e kritikuan si kopje të taktikave ekstremiste të ngjashme me ato të ISIS-it. Më tej, sipas Segalit, video nuk ka rezultuar e suksesshme në misionin për të bindur mbështetësit e Shtetit Islamik.
Ajo që e bën epokën kibernetike aq të vështirë për qeveritë është fati që konflikti nuk kufizohet vetëm tek shtetet. Shumë aktorë, përfshirë edhe individë dhe grupe të vegjël, mund të zhvillojnë sulme nga më të ndryshmet. Në vitin 2011, për shembull, grupi Anonymous goditi rrjetin e PlayStation të Sony-t duke i shkaktuar kompanisë 171 milionë dollarë riparime. Individët mund të trazojnë edhe diplomacinë tradicionale, si në rastin kur WikiLeaks publikoi mijëra e mijëra dokumente në vitin 2010 ku shfaqeshin diplomatët amerikanë duke dhënë deklarata shpeshherë të turpshme kundër homologëve të tyre të huaj.
Segal shpjegon akoma më në detaj strategjinë kibernetike të Kinës, mbi të cilën ka një ekspertizë të konsiderueshme. Amerikanët kanë tendencën ta shohin veten si viktima të hakerëve kinezë – dhe në fakt të tillë janë. Problemi është që Kina e sheh gjithashtu veten si viktimë dhe e konsideron Amerikën hipokrite. Në qershor të vitit 2013, ish-presidenti Barack Obama paralajmëroi presidentin kinez Xi Jiping se hakerët kinezë mund të dëmtonin rëndë marrëdhëniet politike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Po atë muaj, gazetarët publikuan dokumente të ofruara nga Edward Snowden, një ish-kontraktor i NSA-së, ku tregohej se NSA-ja kishte hakuar universitetet kineze dhe kompanitë e telekomunikacionit. Nuk u desh shumë kohë që kinezët dhe media shtetërore ta mbiquanin Amerikën si “Perandoria e Hakerëve”.
Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vuajnë gjithashtu nga një mosmarrëveshje thelbësore. Politikanët amerikanë besojnë se është e pranueshme të përgjosh për qëllime politike dhe ushtarake, por vjedhja e pronësisë intelektuale nga ana e Kinës duket se e kapërcen limitin e lejueshëm. Shtetet e Bashkuara mund të përgjojnë kompanitë dhe negociatorët tregtarë në të gjithë botën, por këtë e bën për interesat kombëtare, jo për të ndihmuar kompanitë amerikane. Kinezët nuk e shohin aspak këtë ndryshim.
“Shumë shtete, veçanërisht ato si Kina që kanë zhvilluar një formë kapitalizmi brenda vendit, nuk e dallojnë ndryshimin ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Format kineze janë pjesë e një përpjekjeje për të modernizuar vendin dhe për të shtuar pushtetin, nuk ka rëndësi nëse i përkasin sektorit publik apo privat. Vjedhja për të mirën e tyre, është për të mirën e vendit”, shpjegon Segal.
Fshehtësia intensive që rrethon luftën kibernetike kërkon edhe përcaktimin se cili hakim është i pranueshëm dhe cila sjellje kapërcen kufirin. Deklaratat e Snowden mund të kenë informuar publikun për shtrirjen e përgjimeve të qeverisë amerikane, por publiku qëndron ende në hije për konfliktet dixhitale. Amerikanët rrezikojnë shumë. Shtetet e Bashkuara mund të jenë superfuqia botërore më e fortë, por është edhe më e dobëta përballë një sulmi kibernetik.
“Shtetet e Bashkuara janë më të ekspozuara se vendet e tjera. Qytetet e ‘zgjuara’, interneti i gjërave, makinat pa shofer dhe teknologjitë e reja mund të jenë duke hapur shanse të paprecedent ekonomikë, por janë kthyer edhe në shënjestrën e sulmeve destruktive. Sulmet kibernetike mund të trazojnë dhe degradojnë mënyrën se si Amerika është mësuar të luftojë, duke u varur kryesisht nga sensorët, kompjuterët, komanda dhe kontrolli dhe dominimi i informacionit”, shkruan Segal.
Parashikueshmëria
As Kaplan dhe as Segal nuk ofrojnë zgjidhje të lehta ndaj këtyre sfidave. Kaplan argumenton se epoka kibernetike është akoma më e trazuar se epoka e Luftës së Ftohtë. Zyrtarët e kanë të vështirë të identifikojnë sulmuesit në mënyrë të shpejtë dhe të besueshme, duke i rritur kështu shanset që vendi i vënë në shënjestër të bëjë një gabim.
Qeveria amerikane dhe kompanitë amerikane përballen çdo ditë me sulme kibernetike dhe nuk ka një vijë ndarëse ndërmjet atyre që janë thjesht bezdi dhe atyre që përbëjnë rrezik të vërtetë. Publiku e ka më të vështirë të konceptojë rreziku e sulmeve kibernetike krahasuar me atë të armëve bërthamore. Shumica e informacionit kibernetik është i klasifikuar, duke i rritur dyshimet e publikut. “Të gjithë jemi duke u endur në një territor mjaft të errët”, përfundon Kaplan.
Konkluzionet e Segalit kanë disi më shumë perspektivë. Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin kërkimet dhe inovacionin teknologjik dhe jo vetëm duke ofruar financim federal. Segal rekomandon që Shtetet e Bashkuara të zëvendësojnë kërkimet federale me një plan në partneritet me sektorin privat për të sjellë ekspertizën akademike dhe tregtare. Qeveria dhe sektori privat duhet ta shpërndajnë informacionin ndërmjet tyre dhe kompanitë duhet të flasin më hapur me njëra-tjetrën për kërcënimet dixhitale.
Shtetet e Bashkuara duhet të zhvillojnë edhe “një kod sjelljeje që përcakton vijën e qartë ndarëse ndërmjet miqve dhe armiqve, si dhe kundërshtarëve të mudshëm”. Këtu do të përfshihej edhe kufizimi i sulmeve kibernetike në veprimet ushtarake dhe operacioneve të fshehta, duke ndjekur ligjin ndërkombëtar, duke i përgjuar rrallë miqtë dhe duke punuar për të forcuar normat kundër spiunazhit ekonomik. Nëse Shtetet e Bashkuara sulmohen, nuk duhet të lëshojnë detyrimisht një kundërsulm, sipas Segal, por duhet të përdoren forma të tjera si sanksionet.
Ndoshta është vetëm çështje kohe përpara se administrata Trump të përballet me një sulm kibernetik të madh. Kur kjo të ndodhë, qeveria duhet të reagojë me maturi, pa arritur në konkluzione të nxituara, pasi diçka e tillë mund të sjellë pasoja të rënda. “Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina mund të përfshihen në sulme shkatërrimtare kundër njëri-tjetrit. Rreziqet më të mëdha do të burojnë nga keqinterpretimi i ngjarjeve, keqllogaritjet dhe paparashikueshmëria”.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI