Kush është 27-vjeçari i arrestuar në Itali për vrasjen në Sarandë

Kur karabinierët e ndaluan, ai paraqiti një pasaportë dhe në emër të tij ishin “fshirë” të gjithë precedentët e mëparshëm dhe të gjitha problemet me drejtësinë. Për fat të keq, nuk ia doli kësaj here. Të mërkurën pasdite, Policia e Sesto San Giovannit në Itali, ka arrestuar Keivi Hysën, 27 vjeç, nga Mamurrasi, i akuzuar në vendin e tij për vrasje dhe posedim të armëve, shkruajnë mediat italiane.
Në orët e pasdites, policia urdhëroi ndalimin e një mjeti tip “Opel Corsa”, në bordin e të cilit, ishte edhe një 45- vjeçar po shqiptar bashkë me Hysën. Pas një përpjekje fillestare për të shpëtuar, e cila zgjati shumë pak, të dy u ndaluan në Bruzzano dhe u kontrolluan menjëherë. Shoferi i tregoi karabinierëve një licencë, e cila doli të jetë krejtësisht ligjore, ndërsa 27-vjeçari paraqiti një pasaportë me viza të shumta me hyrje dalje nga Italia dhe Spanja.
Megjithëse kontrollet e para treguan se dy shqiptarët nuk kishin asgjë për të fshehur, policia vendosi të thellonte kontrollet dhe gjeti që fotografia në pasaportë nuk korrespondonte me emrin e shkruar në dokument. Në atë moment, pas sjelljes së të riut në komisariat, policia kuptoi se ai ishte marrësi i një urdhri arresti evropian që nga viti 2015.

Si ndodhi vrasja më 10 korrik 2015?
Më 10 korrik të atij viti, ndërsa ishte në Sarandë me pushime me familjen e tij, djali kishte marrë pjesë në vrasjen e një 32-vjeçari. Shtetasi Edmond Theodhori i njohur edhe si Edmond Mehmeti, u vra me armë zjarri më 10 korrik 2015 në qytetin e Sarandës. Krimi i rëndë erdhi pas një zënke midis viktimës dhe autorëve natën përpara krimit, shtetasi Keivi Hysa dhe xhaxhain e tij, Gani Hysa për motive të dobëta.
Pas kësaj ngjarje të dy personat e sipërpërmendur rreth orës 01:00 të një dite më pas, kanë vënë në dijeni për konfliktin edhe 23-vjeçarin Elion Hysa nga Gjormi i Krujës dhe shokët e tij Enkeled Hysa, Ajman Zyba nga Laçi dhe Ylli Reçi nga Gjormi i Krujës dhe së bashku e kanë kërkuar viktimën nëpër qytet dhe e kanë gjetur, pikërisht në vendin ku kishte ndodhur konflikti një natë më parë. Sapo e kanë parë, kanë rrethuar mjetin dhe kane thyer xhamat me shkop bejsbolli dhe me qytën e pistoletës, ku pas kësaj, njëri prej autorëve i është afruar dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të 32-vjeçarit Edmond Theodhori, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, të gjithë autorët janë larguar menjëherë nga qyteti i Sarandës, ku ndodheshin me pushime, në drejtim të vendbanimeve të tyre.

Artikulli paraprakNjë shqiptar kapet në Itali me 5 kg kokainë
Artikulli tjetërPërplasja me dy të vdekur në Maminas klasifikohet si ngjarje aksidentale