Kush është 27 vjeçari që u ekzekutua sot në Mamurras, autori ende i lirë

Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Mamurras.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, afër xhamisë së qytetit, ku shtetasi Indrit Pepa është qëlluar me armë zjarri, duke mbetur i plagosur rëndë.
27 vjeçari, banues në Mamurras, është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.
Policia ka bërë identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit A.M. 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Vrasja dyshohet për hakmarrje, viktima plagosi autorin 6 vite më parë
Nga hetimet paraprake, dyshohet se i riu është ekzekutuar për hakmarrje, pasi 6 vite më parë ai kishte plagosur 49 vjeçarin. Indrit Pepa mësohet se jetonte jashtë vendit dhe prej pak kohësh ishte kthyer në Shqipëri.
Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kjo është vrasja e dytë në Mamurras në harkun e pak orëve. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:34, një 14 vjeçar u plagos rëndë me thikë pas një sherri me 15 vjeçarin me iniciale A.Xh.
Viktima, Adriel Sala, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Autori i dyshuar është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprimet e mëtejshme hetimore proçedurale, për veprën penale të kryer.

Exit mobile version