Kush është 37-vjeçari që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në Vlorë

37-vjeçari Delon Troqe u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e sotme në Vlorë. Sipas dëshmive paraprake të marra nga efektivët, ai është qëlluar me breshëri armësh zjarri në lagjen “Pavarësia”. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën.

Delon Troqe është pronari i një servisi makinash në rrugën “Pelivan Leskaj”, që ndodhet pikërisht në lagjen “Pavarësia”, ku ndodhi edhe vrasja.

Mësohet se viktima Delon Troqe pronar i një servisi në lagjen Pavarësia, ishte kthyer rreth 2 javë më parë nga Spanja. Po kështu ka të dhëna se ai ka qene i dënuar për trafik droge.

Ndërkohë mësohet se Troqe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Pas këtij momenti familjarët të cilët shkuan në spital me shpresën se ishte dërguar i gjallë kanë shkaktuar një përplasje me policinë.

Pas krimit, një automjet është gjetur duke u djegur në Sherishtë të Vlorës, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët.

Policia njoftoi se: “Rreth orës 21:50, në lagjen ‘Pavarsia’, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri 38-vjeçari, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve. Gjatë krehjes së zonës, në fshatin ‘Sherishtë’, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve”.

Vetëm disa ditë më parë qyteti bregdetar u trondit nga një vrasje e bujshme, ku u vra 40-vjeçari Bledar Birçe me kallashnikov.

Ndërkohë po mbrëmjen e sotme të shtëna me armë zjarri u raportuan në fshatin Poshnje të Beratit, ku për pasojë u plagos një 33-vjeçar.

Exit mobile version