Kush është dhëndri i Donald Trump

Kur Paul Manafort ka filluar të ngecë, i kritikuar nga çdo anë prej lidhjeve opake të dikurshme të tij me autokratë dhe satrapë, i braktisur nga kolegë të afërt e të largët, Donald Trump ka ngritur telefonin për të kërkuar këshilla sesi të vepronte. Duhej ta shkarkonte apo ta shpëtonte menaxherin e fushatës elektorale të tij, atë të punësuar disa muaj më parë për të zëvendësuar një funksionar tashmë të papëlqyer nga shumë në rrethin magjik? I fundit që ka pyetur ka qenë dhëndri, Jared Kushner, që në atë moment ndodhej me pushime në Kroaci bashkë me të shoqen Ivanka dhe tri fëmijët e tyre. Kushner është shprehur pa hezitim në favor të shkarkimit. Dy ditë më pas ndodhej në New York, i ulur rreth një tavoline bashkë me Trump, Manafort dhe të dytin pas tij, Rick Gates; ishin edhe Stephen Bannon e Kellyanne Conway, që me miratimin e dhëndrit kandidati i kishte përfshirë në fushatën elektorale. Me miratimin e Jared, koka e menaxherit të fushatës ka rënë pak ditë më vonë dhe diarkia e re ka vënë duart mbi operacionet elektorale, duke inauguruar një fazë tjetër stilistike. Me Conway, Trump ka kaluar nga ashpërsitë e kandidadit “law and order” në “populizmin e dhembshur”, siç e thotë përkufizimi gjenial i Rich Lowry.
Në universin e Trump nuk lëvizet asgjë pa miratimin e Kushner. Ka qenë gjithmonë ai që ka dekretuar fundin e përvojës së Corey Lewandowskit, menaxherit të parë të punësuar nga Trump pas një bisede pak minutëshe në zyrën e tij të Trump Tower. Lewandowski nuk kishte as kredencialet, as përvojën e nevojshme për të drejtuar një fushatë elektorale për Shtëpinë e Bardhë, por Trump nuk është njeriu që shikon kurrikulumin për të marrë vendimet. Parimet vendimmarrëse qëndrojnë tek “gut”, zorrët, seli e një instinkti që është konstantja e vetme e një afaristi vullkanik dhe pa pika referimi dhe barku kësaj radhe i kishte sugjeruar që ta merrte në punës atë 42-vjeçar me fytyrën si të pakënaqur që premtonte t’i kafshonte kaviljen çdo kundërshtari që do t’i dilte përpara gjatë rrugës. E kishte bërë deri edhe kundër këshillës së mikut dhe këshilltarit të vjetër Roger Stone, “dirty trickster” i Richard Nixon që për dekada të tëra ka qenë prapa të gjitha operacioneve të mjegullta republikane, duke fituar pashmangshmërisht vlerësimin e familjes Trump, që me modus operandi nixonian ishte në elementin e vet nga kohërat në të cilën argëtoheshin me ish-Presidentin pas predikimit në Marble Church të Manhattan. Trump e konsideronte nuhatjen e tij më të rëndësishme sesa gjykimi i Stone – që është larguar nga fushata, duke nisur ta ushtrojë influencën e tij në prapaskenë – por jo sa ai i Kushner. Kur Lewandowski, i rënë në vorbullën e paranojës trumpiane, ka nisur të kërkojë në cepat më të errët të gazetarisë informacione kundër Kushner, vajza dhe dhëndri i janë paraqitur kundër kandidatit me një mesazh të qartë: o ai, o ne. Trump i ka treguar derën Lewandowskit. Nuk kish ndihmuar në çtensionim klima e mosdakordësisë së menaxherit me Hope Hicks, zëdhënësen e re të Trump që vinte nga rrethi i marrëdhënieve të Ivankas. Hicks kishte punuar në marrëdhëniet publike të kompanisë së saj të modës dhe Ivanka nuk e kish vlerësuar aspak atë herë në të cilën gazetarët kishin përcjellë një grindje, me ulërima dhe klithma, në Fifth Avenue. Natyrisht, Kushner ishte dakord në të gjithë linjën.
Që Ivanka është fëmija e parapëlqyer e Trump është fakt jashtëzakonisht i rëndësishëm në metamorfozën progresive të Trump. Donald e konsideron të bijën si një zë të çmuar kur i duhet të marrë vendime dhe më shumë se një herë ka lënë të kuptohet se me atë fytyrë dhe me atë trup do ta ftonte për darkë, sikur të mos ishte e bija. Bota e ka kapur komentin si apoteozën e shijes së keqe, por për playboy-n e moshuar të rritur në shkollën e shenjtë të Studio 54 ishte më i miri i komplimenteve. Falë aktives Ivanka ka nisur të çmojë dhëndrin, një 35-vjeçar i heshtur që vesh kostume me prerje europiane dhe drejton konglomeratin mediatik që kontrollon “New York Observer”, të përjavshmen më të lexuar nga komuniteti njujorkez i real estate. Kushner është njëherazi i kundërti dhe identiku i Trump. Ndryshe nga vjehrri, flet në publik vetëm kur është patjetër e domosdoshme, shmang gazetarët, nuk beson në thënien e dashur të Trump, sipas së cilës nuk ka një dallim të vërtetë midis publicitetit të mirë dhe të keq. Me fizikun si prej okllaie, kollaren e ngushtë dhe shikimin alla Joseph Gordon-Levitt, nuk humb asnjë takim mondan në krah të së shoqes, që me buzëqeshjen e saj verbuese transmeton atë ton diellor që i mungon të zemëruarit Donald dhe dinakes Melania. Nëse Trump është një konglomerat eksesesh dhe hiperbolash, një i devotshëm ndaj improvizimit, Jared është thelbi i moderimit dhe i llogaritjes, një njeri i botës që kur vendos të komunikojë ia beson mesazhin fjalës së shkruar. Edhe bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij më të ngushtë betohen se nuk është aspak e thjeshtë t’ia kapësh atë që realisht mendon. Ajo që e bashkon me Trump është pasioni për pushtetin dhe paranë, ambicie të shfrenuara që të dy i kanë trashëguar nga baballarët.
Jared është një nga katër fëmijët e Charles Kushner, që ndryshe nga Trump nuk është një emër i njohur për shtëpiaket amerikane, njëlloj si manjati me baluke është një aktor monumental i skenës së tregut imobiliar, njeri i periferisë së New Jersey që ka hyrë me të shtyra në rrethin e ndërtuesve të Manhattan. Gjyshërit e Jared i patën mbijetuar Holokaustit që nga Bjellorusia janë strehuar në Amerikë. Ai ka punuar si karpentier përpara se të formonte kompaninë e tij të vogël të ndërtimit. Më 1985 kompania e Charles, me seli në Florham Park, posedonte 4000 apartamente në New Jersey dhe më 2007 i biri ka blerë pallatin e vetëm më të kushtueshëm të Manhattan, në numrin 666 të Fifth Avenue, për 1.8 miliard dollarë. Kështu, djaloshi Kushner ka kompletuar paralelen me vjehrrin, duke u bërë anëtari i parë i familjes së imobiliaristëve që hidhet në xhunglën e Manhattan, tregun më kompetitiv të botës, i dominuar nga një tribu dinastish të “old money”. Edhe Fred, babai i Donald, kishte pasur një sukses të madh në sektorin imobiliar, por nuk e kishte pasur kurrë kurajën që të kalonte nga shtëpitë popullore të Brookly-n e të Queens në qiellgërvishtëset ikonë të Manhattan. Donald ka pasur gjithmonë një simpati të veçantë për ata që, si ai, i shtyjnë ambiciet e trashëguara në një nivel më të lartë. Jared është arsimuar në një shkollë ekskluzive hebraike në Paramus të New Jersey dhe më pas është diplomuar për Sociologji në Harvard. Dashakeqësit – ose ndoshta realistët – nënvizojnë se rendimenti shkollor i tij nuk ishte tamam për Ivy League, por dhurimi prej 2.5 milionë dollarësh që i ati i ka bërë institucionit të famshëm të Massachusetts e ka lehtësuar pranimin e Jared dhe të Joshua, vëllait më të vogël. Gjatë dekadave, familja ka dhënë shumë çeqe në favor të Partisë Demokrate, sidomos në adresë të guvernatorit Jim McGreevey, që e ka përfunduar përpara kohe mandatin e tij midis skandalesh dhe hetimesh për favorizim. Charles është dënuar edhe me 2 vjet burg për evazion fiskal, kontribute elektorale të paligjshme dhe prishje të provave. Midis gjërave të tjera, kish tentuar të filmonte kunatin në shtrat me një prostitutë në mënyrë që të shantazhonte të motrën, pak si shumë e prirur për të diskutuar muhabete të caktuara të familjes. Nuk janë operacione të pazakonta për kë navigon në ujëra të caktuara: por ajo që është e veçantë është se prokurori që ka hetuar Kushner duke vepruar si ndjekës është Chris Christie, një prej aleatëve të hekurt të Trump. Dhëndri i kandidatit nuk është larguar asnjëherë nga biznesi i familjes dhe bile i ka marrë frenat e kompanisë kur i ati ishte i zënë me drejtësinë, duke e zgjeruar perandorinë nga tulla tek letra. Nën drejtimin e tij, ka shkruar “Vanity Fair”, “NY Observer ka humbur pothuajse të gjithë forcën kulturore të tij pranë elitës së New York, ama gazeta ka prodhuar fitime dhe e ka rritur trafikun, me 6 milionë vizitorë të veçantë në muaj, kundrejt 1.3 milionëve të 2013”. Në fillim të fushatës Trump e ka përdorur Kushner para së gjithash si portal aksesi në botën hebraike, pranë të cilës kandidati nuk gëzon reputacion të mirë: prej gjeneratash qarkullojnë zëra lidhur me tendencat antisemite të familjes, me origjinë nga Gjermania.
Kur janë martuar, Ivanka është konvertuar në hebraizëm, duke vulosur një pakt familjar me një botë që do të ishte vështirë e kalueshme për Donald. Kushner ka kontribuar në shkruajtjen e diskutimit që Trump ka mbajtur në konferencën kombëtare të AIPAC, lobit izraelian më të fuqishëm në Amerikë, duke e bindur deri që të lexojë nga teleprompter në mënyrë që të dallohej nga politikanët “all talk, no action”. Në një moment të caktuar ambasadori izraelian Ron Dremer është paraqitur në zyrën e Kushner për t’i përcjellë mesazhet drejtuar kandidatit republikan, duke e ngritur në fakt nga një pinjoll të establishmentit imobiliar në mjetin gjysmëzyrtar diplomatik, duke ia fshirë në çast protokollet dhe ritualet që qeverisin atë botë. Trump i ka besuar edhe detyrën që t’i organizojë një udhëtim në Izrael, për të theksuar afërsinë e tij me komunitetin hebraik dhe operacioni do të realizohej me sukses vetëm sikur Benjamin Netanyahu të mos e kishte kritikuar Trump për premtimin e tij të mbylljes së kufijve amerikanë për qytetarët myslimanë. Thuhet se kësaj radhe Jared, me vendimin që i është dhënë një dhëndri, ia ka bërë të qartë sesa e ka tepruar. Në “NY Observer” ka shkruar me dorën e tij një mbrojtje pasionante të Trump nga akuzat për antisemitizëm, me një nënkuptim që më i qartë nuk kishte si të ishte: “Vjehrri im nuk është antisemit”. Ka treguar me hollësi të madhe historinë e gjyshërve të tij që i kanë shpëtuar persekutimit nazist midis privimesh dhe vuajtjesh mizore, që një kushëri është ankuar për atë që i është interpretuar si një shfrytëzim politik i panevojshëm i një ngjarjeje private. Me kalimin e kohës roli i tij në fushatën elektorale është zgjeruar ndjeshëm, megjithëse duke mos u formalizuar asnjëherë, siç është kërkuar në mënyrë eksplicite nga Kushner. Duhej marrë me të mira Rupert Murdoch për të riformuar marrëdhënien me “Fox News”? Pyesni Kushner. Është për t’i kërkuar këshillë Henry Kissinger për të hartuar diskutimin mbi politikën e jashtme? Është marrë Kushner. Kush e udhëheq delegacionin në Kongres për të negociuar me spikerin Paul Ryan një axhendë të përbashkët? Kushner. Kush tërheq me sharmin e tij financuesit e paktë të Hollywood që duan të mbështesin kandidatin republikan? Gjithmonë Kushner. Kujt i takon fjala e fundit mbi shkarkimin e këshilltarit më të rëndësishëm të fushatës elektorale? Dihet, Kushner.
Disa muaj më parë, pas fitores së radhës gjatë primareve, Trump ka përshëndetur publikisht cilësitë e një njeriu që shfaqet në afresket e familjes, por nuk flet kurrë: “Ndershmërisht, Jared është një imobiliarist i suksesshëm, por mendoj se do më shumë politikën e sektorit imobiliar. Fakti është se është edhe shumë i zoti në politikë”. Kryeveprën në ushtrimin e influencës politike, dhëndri e ka bërë kur Trump ka zgjedhur kandidatin si zëvendëspresident. Instinkti, tribunali i instancës së fundit i vetëdijes politike të Trump, sugjeronte që të zgjidhte Christie, njeri me përvojë, pse jo edhe i pari midis eksponentëve të establishmentit që ka mbështetur kandidatin antisistem. Por Kushnerit ish-guvernatori i New Jersey nuk i pëlqente, pak prej problemeve gjyqësore të spikatura në të cilat qe ngatërruar i ati, pak pse dhëndri po punonte me metodën e dhënies së një lustre moderimi dhe prezantueshmërie një kandidati allasoj. Për Kushner duhej një i dytë më sigurues, në gjendje që ta modifikonte mesazhin e Trump lidhur me disa çështje themelore si emigracioni, ku tani po e tërheq premtimin e riatdhesimit të 11 milionë klandestinëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Me pak fjalë, Kushner donte një si Mike Pence, një guvernator pragmatist, të butë në stil e në fjalor, në gjendje që të përmblidhte me moderimin e tij shpirtërat e një partie të plagosur dhe të hallakatur.
Dhëndri ka arritur jo vetëm që të qeverisë instinktet e të vjehrrit dhe të përballojë sulmin e Christie, por edhe ka marrë garancinë nga Trump se do të jetë ai që do të drejtojë ekipin që do të merret me tranzicionin e posteve qeveritare në rast të një fitoreje në nëntor. Nga ai moment, Christie ka rrëshqitur gjithnjë e më shumë në cepat e skenës elektorale, i degdisur në role të vogla dhe i anashkaluar në proceset vendimmarrëse që kandidati ruan në brendësi të kufijve të klanit. Pa bërë shumë zhurmë, Jared është bërë ylli më i ndritshëm në qiellin e Trump.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Exit mobile version