Kush është e emëruara nga Donald Trump në krye të “Zërit të Amerikës”

Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të mërkurën në mbrëmje se planifikon që ish-moderatorja televizive dhe republikania nga Arizona, Kari Lake të emërohet në postin e drejtorit të Zërit të Amerikës, që financohet nga qeveria amerikane.

Zoti Trump e njoftoi zgjedhjen e tij në një postim në platformën, “Truth Social”.

Zonja Lake është një aleate e ngushtë politike e presidentit të zgjedhur dhe një ish-moderatore e një filiali të televizionit Fox News në Feniks të Arizonës.

Ajo punoi për 27 vjet në gazetari përpara se të linte profesionin në vitin 2021 për të kandiduar për postin e guvernatorit të Arizonës. Në një garë për Senatin në vitin 2024 që ajo e humbi, zonja Lake tha se Arizona duhet të jetë një “model i ndjekjes së politikave (të zotit Trump) ‘Amerika e Para’”.

Në postimin e tij, Presidenti i zgjedhur Trump la të kuptohet se do të njoftojë së shpejti zgjedhjen e tij për drejtuesin e Agjencisë Amerikane për Media Globale.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kari Lake do të shërbejë si Drejtorja e ardhshme e Zërit të Amerikës. Ajo do të emërohet nga dhe do të punojë ngushtë me kreun e ardhshëm të Agjencisë Amerikane për Median Globale, të cilin do ta shpall së shpejti”, shprehet Presidenti i zgjedhur në postimin e tij.

Kjo agjenci (USAGM) mbikëqyr Zërin e Amerikës së bashku me entitetet e tjera të transmetimit, të financuar nga SHBA. Shefi Ekzekutiv i USAGM-së emërohet nga presidenti dhe kërkon miratimin e Senatit.

Shefi ekzekutiv i USAGM-së e cila financohet nga fonde publike siguron që entitetet e saj të përmbushin misionet e tyre për gazetari të besueshme dhe të saktë në vendet ku liria e medias është e kufizuar.

Drejtori aktual i Zërit të Amerikës, Mike Abramowitz, i dërgoi një email personelit të enjten në mëngjes duke thënë se ai e pa njoftimin për zonjën Lake të mërkurën të mbrëmje dhe se nuk i ishte dhënë informacion tjetër përveç postimit në mediat sociale.

“Unë mirëpres një tranzicion të rregullt të pushtetit si për USAGM-në ashtu edhe për Zërin e Amerikës. Unë do të bashkëpunoj me administratën e re dhe të ndjek procesin”, u shpreh ai.

Një ligj i vitit 2020 ristrukturoi menaxhimin e Agjencisë

Shefi ekzekutiv i USAGM ka kompetencën të emërojë ose shkarkojë drejtuesit e rrjetit, por sipas një projekt-ligji dypartiak të miratuar në dhjetor 2020, ndryshimet në krye të rrjeteve kërkojnë shumicën e votave të Bordit Këshillimor të Transmetimeve Ndërkombëtare.

Bordi përbëhet nga gjashtë anëtarë të emëruar nga presidenti, mandatet e të cilëve fillojnë dhe mbarojnë në kohë të ndryshme, plus Sekretari i Shtetit. Funksioni i Bordit është të këshillojë Shefin Ekzekutiv për t’u siguruar që ai ose ajo respekton pavarësinë editoriale dhe integritetin e entiteve transmetuese dhe që të respektohen standardet më të larta të gazetarisë.

Vetë zonja Lake tha në platformën X se ndjehet “e nderuar që Presidenti Trump më ka kërkuar të drejtoj Zërin e Amerikës”.

Ajo tha se Zëri i Amerikës “është një media ndërkombëtare jetike” që promovon “demokracinë dhe të vërtetën”.

“Nën udhëheqjen time, Zëri i Amerikës do të shkëlqejë në misionin e saj: pasqyrimin e arritjeve të Amerikës në mbarë botën”, tha ajo.

Zëri i Amerikës u përpoq ta kontaktonte zonjën Lake për një koment përmes seksionit të marrëdhënies me median të faqes së saj të fushatës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kishte marrë përgjigje.

Zëri i Amerikës ka një audiencë javore prej 354 milionë vetësh dhe transmeton në 49 gjuhë.

Drejtori aktual i saj Abramowitz, është ish-president i organizatës Freedom House dhe ka qenë gazetar dhe redaktor i gazetës “The Washington Post” për 24 vjet.

Artikulli paraprakRreth ¼ e shqiptarëve në rrezik varfërie, treguesi edhe më i lartë nëse s’do të mbaheshin me pensionet
Artikulli tjetërZËRI I AMERIKËS/ STUDIMI: Buxheti i shtetit përdoret për ndikime elektorale