Gjyqtari i Tiranës, Julian Haxhiu, mund ta konsiderojë si “shansin e karrierës” së tij procesin gjyqësor, në të cilën Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama, Linda, po zhvillon kundër 9 mediave on-line e të tjerë, mes të cilëve edhe gazetari Jetmir Olldashi, si individ.
Për të rritur shanset në Veting, i kontrolluar dukshëm nga eksponentë të lartë qeveritarë, gjyqtari Haxhiu po zhvillon një proces gjyqësor, në shkelje flagrante ligjore dhe proceduriale.
Në janar të vitit 2019, në disa media on-line u aludua se kandidatura e kryeministrit Edi Rama për postin e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, ishte në një lidhje intime me zonjushën Xhillari. Në këtë histori, gazetari Olldashi nuk është përfshirë personalisht me asnjë shkrim apo artikull.
Gjithësesi, agjencia on-line nën administrimin e Olldashit, “Boldnews.al”, pjesë e “Media Solution”, ka publikuar të paktën 3 artikuj mbi këtë temë. Në dy artikuj janë publikuar; qëndrimi i Rea Xhillarit për lajmet e përhapura, duke u fokusuar kryesisht në një përgënjestrim virtual ndaj gazetarit Artur Zheji (agjencia 360grade.al), si edhe reagimin e këtij të fundit.
Ndërsa shkrimi i tretë i publikuar nga “Boldnews.al” është një analizë e marrë nga “gazetaimpakt.com”, në të cilën aludohet se një nga arsyet që Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakaj në postin e Ministrit të Jashtëm mund të jetë edhe një lidhje e mundshme me Rea Xhillarin.
Kaq është impenjimi i “Boldnews.al”, dhe jo i individit Jetmir Olldashi, në këtë histori. Por, pikërisht, publikimi i shkrimit të marrë nga “gazetaimpakt.com” e ka shndërruar gazetarin Olldashi (jo administratorin, por individin) në një person të paditur nga Rea Xhillari në procesin gjyqësor që po zhvillohet nga Gjykata e Tiranës.
Gjithësesi, sa më sipër është çështje e shqyrtimit gjyqësor në themel. Por, ajo që konstatohet lehtësisht janë shkeljet ligjore dhe proceduriale të gjyqtari Julian Haxhiu në shqyrtimin e këtij rasti.
Shkeljet
Procesi gjyqësor, në të cilin Xhillari kërkon “konstatimin e cënimit të nderit dhe personalitetit nëpërmjet thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse” dhe “dëmshpërblim 10 milionë lekë të reja nga të paditurit” ka nisur në Qershor 2019.
Të paditur janë: Personi Fizik “Artur Zheji”, AKEP, Personi Fizik Çeljeta Sherifi (“Albeu”), “Hekla” shpk (gazeta “Telegraf”), Personi Fizik “Kasem Hysenbelliu”, “Qendra për Informim të Lirë” (Syri.net); “Standart LTD” (Gazeta “Standart” dhe Jetmir Olldashi.
Deri më tani janë zhvilluar 3 seanca, ndërkohë që të paktën 3 prej të paditurve nuk kanë asnjë dijeni se kundër tyre po zhvillohet proces gjyqësor.
Gazetari Jetmir Olldashi, i cili është paditur si individ siç rezulton nga faqja e Gjykatës së Tiranës, nuk ka pasur asnjë dijeni zyrtare se ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor.
Në datën 27 Tetor 2019, avokati i një prej të padituri publikon një koment mbi këtë proces gjyqësor në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, në të cilin përmendet edhe fakti se i paditur është individi-gazetar, Jetmir Olldashi.
Ky është momenti i parë kur gazetari Olldashi merr informacion, jo-zyrtar, për procesin gjyqësor. Të nesërmen, më datë 28 Tetor 2019, ditë kur gjyqtari Julian Haxhiu kishte caktuar seancën e radhës, në proces paraqitet përfaqësuesi ligjor i gazetari Olldashi, avokati Indrit Sefa, për t’u informuar mbi situatën.
Avokati informohet nga gjyqtari se ai (gjyqtari) kishte bërë përpjekjet për njoftimin e individit-gazetar Jetmir Olldashi për procesin. Në dokumentat e gjykatës rezulton se nëpunësi i gjykatës kishte marrë zarfin me adresën “Jetmir Olldashi-Kashar”, por nuk e kishte gjetur adresën.
Natyrisht, me atë adresë, asnjë postier nuk mund të gjente adresën e të paditurit, në një zonë ku banojnë disa dhjetra mijëra persona.
Pas këtij “dështimi”, gjyqtari vendos të bëj njoftimin për gazetarin Olldashi “me shpallje” në ambjentet e gjykatës së Tiranës, duke anashkaluar me dashje përcaktimet ligjore në Kodin e Procedurës Civile.
Në këtë Kod i është dhënë një vëmendje e veçantë momentit procedurial të njoftimit të palëve. Në nenet 128 e vijues të Kodit të Procedurës Civile janë parashikuar hapat e detyrueshëm të gjykatës për njoftimin e palëve.
Në rast se nuk gjendet një adresë e saktë, gjykata mund të dërgojë njoftimin tek familjarët e të paditurit, tek godina ku punon, tek banorët fqinjë, tek qendra e punës, tek kolegët, etj, etj. Në fund, në rast se të gjithë këto tentativa njoftimi dështojnë, atëherë gjykata vendos shpalljen në ambjentet e gjykatës.
Por, siç rezulton në rastin konkret, gjyqtari Julian Haxhiu, nga një njoftim me adresë tërësisht të paplotë, ka kaluar në fazën e fundit të njoftimit, atë me shpallje. Në këtë mënyrë, ai ka anashkaluar me dashje të plotë përcaktimet e detyrueshme të Kodit të Procedurës Penale.
Duket qartë se gjyqtari Julian Haxhiu nuk ka preferuar të ketë në seancë të gjithë të paditurit. Në rastin e gazetarit Jetmir Olldashi, gjyqtari dhe administrata gjyqësore e kanë pasur shumë të thjeshtë për ta kontaktuar.
Gazetari Jetmir Olldashi, megjithëse është paditur si individ, në fakt gjendet në proces gjyqësor si administrator i “Boldnews.al”. Gjyqtari Haxhiu dhe gjykata, me vullnet minimal, mund të kishin gjetur adresën e kontaktit të gazetarit Jetmir Olldashi.
Kompania “Media Solution”, pjesë e të cilës është agjencia e lajmeve “Boldnews.al” është e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 1 Korrik 2016. Në ekstraktin e QKB-së, i cili është publik për këdo, gjendet adresa e plotë e “Boldnews.al”. Mjaftonte një klikim i thjeshtë në faqen e QKB-së dhe gjyqtari Julian Haxhiu e administrata gjyqësore mund të njoftonin lehtësisht gazetarin Olldashi.
Por, gjyqtari dhe gjykata e Tiranës kanë vendosur të anashkalojnë procesin e thjeshtë të kërkimit të adresës së individit-gazetar Jetmir Olldashi.
Tashmë, procesi gjyqësor është në fazën e konkluzioneve, ndërkohë që gazetari Olldashi, si edhe Personat Fizikë “Kasem Hysenbelliu” e “Gentjan Çekeli” nuk kanë pasur asnjë dijeni zyrtare për padinë ndaj tyre.
Ky fakt pranohet edhe nga vetë gjykata, e cila, në tre seancat gjyqësore të zhvilluara, ka konstatuar se tre të paditurit nuk kanë njoftim për procesin.
Boldnews.al