Kush është Hajdari që Rama e bëri kryeinspektor?

Në prag të Reformës në Drejtësi, Kryeministri bëri një emërim special. Prokurorin Shkëlqim Hajdari e vendosi pranë vetes si kryeinspektor, një post kyç kontrollues të prokurorive të Shqipërisë, pranë ekzekutivit dhe drejtpërsëdrejti nën urdhrat dhe pushtetin e Edi Ramës.
Duke qenë se në fjalimet e Kryeministrit, kundër “Kënetës së sistemit të drejtësisë”, ka shumë frymëzim dhe ngrihen shumë argumente, kryesisht argumente moralë, në lidhje me atë, se si duhet të jetë drejtësia shqiptare sipas Kryeministrit, vëmendja ndaj këtij emërimi ishte e madhe.
Gjëja që bën më shumë përshtypje, është se zoti Hajdari, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës, ka patur një angazhim të drejtpërdrejtë, me problemet që Rama kishte, në vitet 2002-2005 me drejtësinë e “korruptuar” shqiptare. Probleme të mprehta dhe të qëndisura me shumë akuza dhe denoncime të forta, që e bënë asokohe situatën e tij, shumë delikate.
Sigurisht, një pjesë e akuzave kishin edhe prapavijë politike, por kishte edhe disa nga ato, që ishin realisht të mprehta dhe me dosje me përmbajtje shumë helmuese.
Në ato vite pati edhe një komision hetimor parlamentar për ish-kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit dhe situata e Ramës, ishte kritike.
Personi kyç që lidhet me këtë situatë kritike të Ramës, rezulton të jetë si për çudi, Shkëlqim Hajdari.
Dhe sipas “investigimeve” të atëhershme të zotit Hajdari, kryetari i atëhershëm i Bashkisë së kryeqytetit, kishte zero probleme korruptive ose zero komplikime që ta bënin atë të ndjekshëm penalisht.
Nëse drejtësia shqiptare është një “kënetë e qelbur”, që pak përpara kapitullimit të tij, Rama, donte ta zhbënte, nën petkun vezullues të reformizmit, kjo drejtësi e atëhershme, me emrin edhe të Shkëlqim Hajdarit, e nxori Ramën të pafajshëm.
Është pra, ky episod i të kaluarës, që e ka graduar dhe përkëdhelur karrierën e sotme të zotit Hajdari?
Ndoshta po dhe ndoshta jo.
Por nëse ky është modeli i drejtësisë së reformuar sipas Kryeministrit, rasti Hajdari është kuptimplotë. Madje edhe si emërim, rasti i tij, që ka kaluar nëpër duart e veta dhjetëra dosje të Edi Ramës, shënon një konflikt të pastër interesash.
Dhe rrëfen sa mijëra fjalë dhe akuza, një qelizë të sëmurë, të asaj sëmundjeje të re, që Kryeministri, nën pretekstin e Reformës në Drejtësi, kërkonte të sëmurte edhe më shumë këtë drejtësi në lëngatë.
Sepse nuk ka sëmundje më vdekjeprurëse se sa kapja e drejtësisë nga pushteti.
Kjo nuk është një sëmundje shqiptare, as një sëmundje e shpikur nga Rama në Shqipëri, por ishte një tentativë e Ramës, për ta çuar në përsosmëri, të keqen e saj. Në shërbimin e vet, si dhe duket se është rasti i Shkëlqim Hajdarit. Por zoti Hajdari ka edhe thesare të tjera në karrierën e vet.
Ai ka qenë në grupin investigues të vrasjes së Azem Hajdarit, duke qenë kështu, një thesar i paçmuar, faktesh dhe detajesh, që lidhen me këto dy tragjedi. Thesar i paçmuar për Kryeministrin, që dukshëm ka shumë besim, te investiguesi i tij i dikurshëm në vitet 2002-2005.
Komentet e tjera duken të tepërta. Ja edhe një biografi e shkurtër, që do t’i paraqitet Vetingut të nesërm e zotit Shkëlqim Hajdari.
Shkëlqim Hajdari, ish-kryetari i Shoqatës së Prokurorëve është emëruar në postin e kryeinspektorit të Përgjithshëm me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shkëlqim Hajdari u dorëhoq nga posti i prokurorit pas një konflikti me kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili e transferoi dhjetorin e shkuar në Shkodër. Hajdari refuzoi këtë transferim dhe dha dorëheqjen si prokuror.
Por cila është karriera e Shkëlqim Hajdarit në drejtësinë shqiptare dhe cilat janë çështjet kryesore që ai ka hetuar?
Në vitin e largët 1993 Hajdari emërohet si shef i Policisë Hetimore pranë Komisariatit nr. 4 në Tiranë. Më pas në vitin 1995 nis karriera e tij në Prokurori kur emërohet si oficer Policie Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2002, Shkëlqim Hajdari emërohet si prokuror në Tiranë, nga Presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu.
Në vitet 2008-2014, Shkëlqim Hajdari mban postin e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit. Ndër çështjet kryesore të hetuara nga Shkëlqim Hajdari renditen ato të Remzi Hoxhës në vitin 1994. Ndërsa në vitin 1995, Shkëlqim Hajdari ka hetuar vrasjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.
Në vitet 1998-2000, Shkëlqim Hajdari ishte pjesëtar i grupit të hetimit të çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Ndërsa në vitin 2013, Hajdari mbrojti në Gjykatën e Apelit çështjet e “Gërdecit” dhe “21 janarit”.
Sot Shkëlqim Hajdari, që ka qenë prokuror i disa çështjeve mjaft të diskutuara në drejtësinë shqiptare është emëruar në postin e kryeinspektorit të Përgjithshëm, i cili është përgjegjës për të gjitha inspektoratet e tjera dhe është në varësi të Kryeministrit Rama.

Artikulli paraprakPresidenca: Bushati i paftuar, hyri me forcë në pritjen e Presidentit
Artikulli tjetërTruket që na manipulojnë trurin