Rigels Seliman
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar hapur Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën për një aleancë të fshehtë kundër reformës në drejtësi, duke i quajtur pjesë të “Trekëndëshit të Bermudës.” Sipas tij, të tre liderët flasin me të njëjtën gjuhë dhe sulmojnë institucionet e drejtësisë, sepse i frikësohen llogaridhënies. Basha theksoi se protesta e fundit dhe refuzimi i Policisë për të mbrojtur institucionet e drejtësisë janë dëshmi e qartë e këtij koordinimi.
Ai akuzoi Ramën dhe Berishën se njëri dërgon militantët në sulm dhe tjetri administratën shtetërore, ndërsa Meta luan rolin e mbështetësit nga prapaskena. Duke bërë thirrje për ndëshkim me votë më 11 maj, Basha tha se qytetarët duhet të zgjedhin mes pandëshkueshmërisë dhe një të ardhmeje ku drejtësia funksionon pa ndërhyrje politike. Ndërkohë Basha kërkoi ndjekje penale për të gjithë shkelësit e ligjit, duke përfshirë organizatorët e sulmeve ndaj drejtësisë, drejtuesit e Policisë dhe vetë kryeministrin. Ai siguroi mbështetësit e tij se 11 maji do të jetë dita kur Shqipëria do të ndahet nga tranzicioni dhe do të nisë një epokë e re e shpresës dhe mirëqenies. Po ashtu, Z. Basha u zotua se Partia Demokratike që ai drejton nuk do të lejojë më që drejtësia të mbetet peng i politikanëve të vjetër.
Vota e 11 majit vendimtare për fundin e pandëshkueshmërisë
Konkretisht kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka postuar dje një video në “Facebook” sulmet me të njëjtën gjuhë të Ramës dhe Berishës ndaj SPAK. Basha shkruan se sulmet ndaj drejtësisë vijnë nga ata që kanë të njëjtin hall. Ai e cilëson votën e 11 majit si vendimtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të hapur një kapitull të ri shprese dhe mirëqenieje për familjet shqiptare. “Dëgjojini, me zë e figurë, e njëjta gjuhë, të njëjtat sulme ndaj drejtësisë, sepse kanë të njëjtin hall. Është e qartë tashmë kush është në luftë kundër drejtësisë dhe kush e mbështet atë pa kushte. Vota juaj më 11 maj është vendimtare për ta lënë pas tranzicionin, përmes fundit të pandëshkueshmërisë, për të nisur një kapitull të ri shprese dhe mirëqenie për familjet shqiptare. Shqipëria meriton më shumë”, shkroi dje Basha.
Aleanca e Trekëndëshit kundër drejtësisë
Sakaq kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një postim të dytë në “Facebook”, shprehet se aleanca e Trekëndëshit vazhdon të koordinojë sulme ndaj institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, kjo betejë zhvillohet përmes veprimeve të kundërta, ku njëra palë dërgon militantët dhe tjetra administratën. Basha akuzon Policinë për refuzimin e mbrojtjes së institucioneve të drejtësisë, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të rëndë dhe të qëllimshëm. Ai kërkon që të nisë një hetim penal ndaj përgjegjësve, duke përfshirë edhe protestuesit, urdhëruesit dhe drejtuesit e Policisë. “Aleanca e Trekëndëshit kundër Drejtësisë vazhdon në koordinim betejën e saj.
Dhëmb për dhëmb me drejtësinë, herë njëri e herë tjetri. Gjithçka në koordinim për t’i bërë presion dhe për ta shantazhuar. Njëri çon militantët, tjetri administratën. Njëri e sulmon, tjetri bën sikur e mbron. Refuzimi i Policisë për të mbrojtur institucionet e Drejtësisë është një akt i rëndë, i kryer me vetëdije dhe qëllim, i cili nuk mund të kalohet pa përgjegjësi ligjore dhe politike. Vetë institucionet e Drejtësisë kanë të gjithë autoritetin për të nisur ndjekjen penale ndaj shkelësve të ligjit, duke filluar nga protestuesit e deri te urdhëruesit, për të vijuar me drejtuesit e Policisë, ministrin dhe deri te kryeministri. Qytetarët, jam i bindur, do t’i ndëshkojnë me votën e tyre më 11 maj dhe do të hapin një faqe të re, ku të gjitha institucionet luftojnë korrupsionin dhe nuk e mbrojnë atë”, nënvizoi Basha.