Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, për të riun Rigels (Riljon) Lala, i cili u arratis mëngjesin e sotëm nga ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë.
Lala akuzohej për armëmbajtje pa leje, pasi u kap pasditen e 2 Janarit duke qarkulluar me pistoletë në zonën e Alidemit në Tiranë. Më poshtë është edhe fotoja e të riut nga Burreli, i cili tashmë shëtit i lirë, në sajë të neglizhencës apo ndoshta edhe korruptimit të punonjësve të Policisë që ishin duke e shoqëruar
Burimet bëjnë me dije se Lala shoqërohej nga 2 efektivë të policisë për të lënë shenjat e gishtave, ndërsa paraditen e sotme pritej të dërgohej në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai ka përfituar nga mungesa e vigjilecës së policëve dhe ka arritur të largohet nga komisariati nr 1 ku mbahej që prej pasditës së 2 Janarit.
Ndërkohë që vijojnë kërkimet për rikapjen e tij, SHÇBA ka nisur punën për hetimin e rastit. Lala u arrestua për armëmbajtje pa leje pas sinjalizimit të policisë se një person lëvizte me armë në “Ali Dem”.
Në ditën kur ndodhi ngjarja, dëshmitarë thanë për Faxëeb.al se i riu kishte qëlluar me armë, por ky version u hodh poshtë nga ana e Policisë.
I riu bëri rezistencë ndaj Policisë dhe tentoi që t’ia mbathte, por më pas u arrit që të kapej nga “Shigjetat”. Tashmë ai ka mundur që të largohet nga komisariati numër 1 në rrethana që mbeten për t’u sqaruar më tej në orët e ardhshme.
Derimë tani nuk ka një reagim zyrtar nga ana e Policisë për mënyrën sesi ka ndodhur arratisja e të riut, dhe nëse kemi të bëjmë me një neglizhencë nga ana e bluve që ishin duke e shoqëruar.