Kush është mafiozi që armatosi Serbët në luftën e Kosovës?

Varësia e Kryeministrit Edi Rama ndaj krimit nuk njeh kufij dhe kombësi. Faktet tronditëse të publikuara nga “BIRN” tregojnë se Kombinati i Armëve në Poliçan i është kaluar për vlerën 1 euro një prej organizatave mafioze më të rrezikshme në Europë, konkretisht bosit të krimit të organizuar në Bullgari, Bojan Borisov, i mirënjohur me emrin Baroni. Kombinati i Poliçanit është vendosur t’i kalohet “Algans LTD”, pasi Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Ekonomisë ka rënë dakord me planet që kanë mafiozët bullgarë për të zhvilluar biznesin e armëve në Shqipëri.
Marrëveshja e qeverisë tonë me mafian bullgare është mbyllur muaj më parë, por shqetësimi i shfaqur prej disa vendeve perëndimore, i ka ngadalësuar gjërat, pavarësisht se drejtori i këtij kombinati, Altin Lamçe është besimplotë se planet e ringjalljes së kësaj kompanie do të vihen në jetë së shpejti. Se çfarë do të prodhohet në këtë kombinat prej bullgarëve e thotë një prej inxhinerëve, kur pohon se do të prodhohen fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Kompania “Algans LTD” me pronar Aleksandër Dimitrov është shfaqur vitet e fundit në tregun ndërkombëtar të armëve. Një vit më parë mediat bullgare dhe ndërkombëtare shkruan rreth një tragjedie që ndodhi në një prej poligonëve të përdorur prej kësaj kompanie, ku mbeti i vrarë një ekspert privat amerikan i përdorimit të armëve dhe u plagosën disa të tjerë. Ata po testonin disa granata sovjetike të prodhuara rreth 30 vite më parë. Në vitin 2008 një tragjedi e ngjashme kishte ndodhur nga shpërthimi i një depo armësh ku zhvillonte aktivitetet e saj kompania tjetër nën emrin e Dimitrov, “ALMA D”.
Që në momentin e parë, mediat bullgare raportuan se pronari i vërtetë i “Algans” është kryemafiozi Borisov ose Baroni, i cili është nën një sërë procesesh gjyqësore në Bullgari i akuzuar për krime të rënda, si grabitje, trafiqe, kontrabandë. Në intervista, Baroni thotë me krenari se është nga të paktët kriminelë bullgarë ende i gjallë që e kanë filluar aktivitetin e tyre më 1977, gjatë komunizmit.
Baroni ka përfituar miliona me kontrabandën e armëve dhe karburanteve gjatë kohës që Serbia sulmonte popullsinë e pambrojtur shqiptare të Kosovës. Në një përplasje me organizatat e tjera kriminale, Baroni u gjet fajtor për pengmarrje dhe u dënua nga gjykatat. Aktualisht, Baroni ka planifikuar të zgjerojë bizneset e tij në Afrikë, kryesisht në kazino dhe lojërat e fatit, nëse del i palagur nga akuzat për bashkëpunim në pengmarrje të djalit të një bosi tjetër të mafias pak muaj më parë.
Një tjetër media amerikane, “Buzzfeed Neës” publikoi pak muaj më vonë një raport të plotë se si kjo kompani ishte e përfshirë në transportin e paligjshëm të armëve që dërgoheshin në Siri. Bullgaria nuk i lejon kompanitë e saj të tregtojnë armë në Siri. Marrëveshja e ekspozuar në media përfshinte një kontratë për blerje armatimesh në vlerën e 26.7 milionë dollarëve, e nënshkruar në dhjetor 2014.
Dimitrov është nga një fshat me Baronin e krimit të organizuar, ndaj prezantimi i tij si president i një sërë kompanish është thjesht një mënyrë e Baronit për të ruajtur aktivitetet dhe paratë e tij, ndërsa ai është vazhdimisht në probleme me drejtësinë dhe ligjin. Gjithsesi edhe Dimitrov paguhet mirë për shërbimet e tij dhe duket se ka pjesë në këto biznese, të paktën zyrtarisht qysh nga viti 2004, kur ai dhe Baroni patën regjistruar një kompani që shiste skrap.
Dimitrov jeton në një shtëpi të madhe dykatëshe në një kompleks të rrethuar dhe të ruajtur në periferi të Sofjes, kryeqytetit të Bullgarisë. Ai nuk e fsheh jetën e tij luksoze me makina të shtrenjta, sikurse ka dështuar të mbajë fshehur edhe lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe konkretisht me Baronin e krimit. Mediat bullgare kanë publikuar ndërkohë kopjen e regjistrit të biznesit, ku Dimitrov dhe Baroni figurojnë ortakë dhe adresa e biznesit është një prej apartamenteve të Baronit në Sofje.

Shqipëria e Ramës, parajsa e krimit

Preferenca e Kryeministrit Rama për baronët e krimit është diçka tepër e njohur. Fakti që Kryeministri refuzon interesin e shprehur nga dy kompani amerikane për të vënë në punë Kombinatin e Poliçanit, që janë nderuar për rolin e paçmuar që kanë luajtur vitet e fundit për modernizimin e ushtrisë shqiptare, tregon se në këtë marrëveshje për 1 euro (?) ka interesa të mëdha financiare.
Shqetësuese në të gjithë këtë histori është se Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s po vihet jo vetëm nën thundrën e krimit dhe korrupsionit, por edhe terrorizmit. Janë një sërë indikacionesh se mafia bullgare është prapa shitjeve të municioneve për shumë organizata terroriste në botë, përfshi ISIS. Demokracitë e dështuara me liderë të korruptuar dhe inkriminuar janë lehtësisht të aksesueshëm dhe të shantazhueshëm nga terroristët. A është rasti i Kryeministrit tonë një demonstrim i qartë i këtij rregulli, e tregon investimi i tij drejtpërdrejt në një marrëveshje që mban erë krimi. T’i vësh në dispozicion pasuri kombëtare një organizate kriminale ndërkombëtare dhe të pranosh të punësosh qytetarët e tu për të prodhuar municione për kriminelët dhe terroristët është një njollë, që shpjegon shumë gjëra edhe në realitetin tonë të përditshëm.
Mënyra se si Rama po e shndërron Shqipërinë në një parajsë të krimit të organizuar duket nga plantacionet e panumërta të drogës që sponsorizohen nga qeveria dhe ruhen nga policia. Shqipëria, parajsë e krimit dëshmohet nga fakti se vrasës dhe trafikantë janë emëruar deputetë, drejtorë dhe kontrollojnë pikat kyçe të policisë dhe administratës.

Arben SHAHINI

Exit mobile version