Kush është operatori i Ramës që vidhte telefona e biçikleta

Operatori i kryeministrit Rama ka përfunduar në pranga për vjedhje telefonash dhe biçikletash. Lajmi u publikua dje nga policia, e cila njoftoi se 39-vjeçari Erind Vogli me banim në Tiranë është arrestuar për 4 vjedhje. Erind Vogli është kameramani personal i Edi Ramës në kryeministri.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 14.06.2017, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1, kanë finalizuar me sukses operacionin “Taktika”, ku është arrestuar në flagrancë shtetasi Erind Vogli, 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Për këtë shtetas është arritur të dokumentohet me prova ligjore se është autor i dyshuar i vjedhjeve të ndodhura në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 1. Më datë 14.06.2017, në afërsi të Pazarit të Ri, ka vjedhur telefonin e markës “HTC”, në pronësi të shtetases E.K. Më datë 10.06.2017, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ka vjedhur telefonin e markës “Samsung”, në pronësi të shtetases E.G.
Në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 1: Më datë 12.06.2017, në Rrugën e “Kavajës”, ka vjedhur telefonin e markës “Huawei”, në pronësi të shtetases H.Q. Më datë 09.06.2017, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ka vjedhur telefonin e markës “Samsung”, në pronësi të shtetases E.S.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një telefon i markës “HTC”, një biçikletë e markës “Gial” dhe dy bluza, të cilat dyshohen të jenë përdorur prej tij në momentin e ngjarjeve.
Pas publikimit të lajmit në media, zyra e shtypit e Kryeministrit njoftoi se Erind Vogli është pushuar nga puna më 12 maj. Pasi mediat publikuan fotot e Ramës me kameramanin e tij, duke qeshur së bashku, menjëherë zyra e shtypit e kryeministrisë nxori fletën e pushimit nga puna të kameramanit. Dokumenti nuk jep arsyet e largimit, është firmosur më 12 maj nga Ëngjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri. Mesazhi në këtë rast është i qartë. Ndërsa Erind Vogli është në qeli dhe të gjitha mediat kanë nxjerrë fotot mes tij dhe Ramës, dokumenti jep idenë se kryeministrin nuk e lidh asgjë me të arrestuarin.
Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Pavarësisht se e ka pushuar nga puna, Edi Rama ka pasur një marrëdhënie të afërt me 39-vjeçarin, që u arrestua dje. Që prej vitit 2003, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka punuar në disa fushata me kameramanin e tij personal, Erind Voglin. Një fakt i tillë është i njohur për gazetarët, që e njohin dobësinë e kryeministrit për kameramanin e tij. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur në mes janë 14 vjet bashkëpunim.
Por në vend të heshtë për ngjarjen dhe të lërë drejtësinë të bëjë punën e saj, Rama ka vendosur të distancohet, duke bërë publike fletën e largimit nga puna të 39-vjeçarit. A thua se një akt i tillë, i rikthen nderin e humbur nga fotot e publikuara në media me të arrestuarin.
Është afërmendsh që Edi Rama ka pasur arsye të forta për ta larguar nga puna 39-vjeçarin pas shumë vitesh bashkëpunim. Por pikërisht prej marrëdhënies personale të krijuar, është i shëmtuar fakti që Rama publikon në media dokumentin ku tregohet pushimi nga puna, për t’u distancuar nga një prej njerëzve të stafit të tij.
14 vite më parë Erindi mbante në njërën dorë kamerën, në tjetrën aparatin fotografik, ndërsa shoqëronte Edi Ramën në fushatë. Tani situata ka ndryshuar. Rama shoqërohet kudo nga një regji lëvizëse që transmeton gjithçka live. Kudo e ndjekin disa kameramanë, disa fotografë dhe një shpurë teknikësh dhe të punësuar të tjerë që regjistrojnë gjithçka thotë dhe bën, shefi i qeverisë.

Artikulli paraprakVasili: Shqipërinë e qeveris një i çmendur
Artikulli tjetërFaqja e pare