Viktorjan Picaku kishte mbi një vit që kishte shkuar drejt Italisë fqinje, për shkak të papunësisë. 24-vjeçari, i cili mbrëmjen e së mërkurës u ekzekutua në mes të një sheshi në Corato të Barit, ishte me origjinë nga Mirdita dhe familja e tij jetonte në qytetin e Durrësit.
Por sipas të njëjtave burime, Viktorjani kishte shkuar në Itali, në përpjekje për të gjetur një punë më të mirë, megjithatë mbetet e paqartë se çfarë pune bënte i riu, shkruan TvKlan.
Deri në këto momente, mediat italiane nuk japin një shkak për vrasjen e 24-vjeçarit, i cili u qëllua nga dy persona nga prapa, gjatë kohës që ndodhej në një prej shesheve të populluara të zonës.
As për autorët nuk ka asnjë të dhënë, përveçse lëviznin me një scooter dhe e qëlluan të riun në kokë dhe kraharor, plumba të cilat rezultuan fatalë.
Ndërkohë, duket se gjatë kohës që jetoi në Itali, i riu shqiptar krijoi mjaft miq, kryesisht italianë. Shumë prej tyre në rrjetet sociale shprehin hidhërim për humbjen e mikut të tyre.
‘Vëlla, pushofsh në paqe. Do mbetesh gjithnjë në zemrën time. Pa fjalë vëlla”, shkruan një mik i tij, ndërsa një tjetër shprehet: “U prefsh në paqe, nga tani je engjëlli mbrojtës i të gjithëve’.
‘Të njihja prej pak kohësh, por e ndjeja që ishe një person i mrekullueshëm. Tani me siguri do të jesh në një vend më të mirë se ne. U prefsh në paqe mik’, shkruan një tjetër.