Këshilli i Lartë Gjyqësor, përmes një deklarate për mediat sqaron se ky institucion nuk mund të marrë masa për verifikime disiplinore nga gjykatësve, pasi kjo detyrë i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, post i cili deri dje ishte bosh.
Në këtë pozicion u votua dje nga Kuvendi Artur Metani, që sipas opozitës do ti mundësojë Ramës që të ketë pushtet absolut mbi gjyqësorin.
Pak ditë më parë ishte Ministrja e Drejtësisë Etilda Gkonaj, e cila kërkoi publikisht nisjen e hetimeve ndaj gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, pasi kjo e fundit liroi nga urgu të dënuarit përjetë Endrit Dokle, anëtar i bandës së Durrësit.
Po ashtu vendime të dyshimta ka marrë dhe gjyqtari i Fierit Petrit Sote, i cili i fali 5 vite burg, anëtarit tjetër të bandës së Durrësit, Sardian Sulejmani.
Deklarata e plotë e KLGJ-së:
Duke marrë shkas nga disa zhvillime të kohëve të fundit dhe në vijim të kërkesave të përsëritura nga individë dhe institucione shtetërore në adresë të tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron opinionin publik në lidhje me procedimin disiplinor të gjyqtarëve.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton Këshillin e Lartë Gjyqësor si organin përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve.
Në lidhje me këtë të fundit, neni 147/d i Kushtetutës parashikon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pra, nuk është Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Inspektori i Lartë të Drejtësisë, organi kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.
Kompetencat dhe përgjegjësitë respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë rregullohen më hollësisht edhe në Ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për rrjedhojë, të gjitha kërkesat e depozituara pranë KLGJ nga individë dhe institucione shtetërore në të cilat ngrihen pretendime lidhur me shkelje disiplinore të gjyqtarëve, janë administruar rregullisht dhe do t’i përcillen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë me krijimin e këtij institucioni.