Disa muaj pas anulimit të tenderit për tunelin e Llogarasë, Ministria e Infrastrukturës do të rishpallte përsëri tenderin me fond limit 18.9 miliardë lekë. Në garë kësaj radhe do të merrnin pjesë 4 grupe kompanish. Pas studimit të dokumenteve të tenderit, Open Data Albania e shënoi me flamur të kuq. Kjo pasi më 8 tetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të skualifikonte të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të konsorciumit të kompanive turke “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”, të cilët u shpallën automatikisht fituese me ofertë 17 miliardë lekë ose 200 milionë euro me TVSH.
Sipas Open Data, ky tender paraqet rrezik të mundshëm për korrupsion, për shkak të skualifikimit të paqartë të konkurrentëve. Bie në sy fakti se, grupi i kompanive shqiptare dhe të huaj, “JV CONCORD ENGINEERING AND CONTRACTING”, “ALB BUILDING” shpk dhe “ALB STAR”, kishin ofertë më të ulët se kompanitë turke me vlerë 15.8 miliardë lekë. Pra, të skualiufikuarit kishin një ofertë gati 12 milionë euro më pak se oferta fituese.
Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ky grup kompanish u skualifikuan sepse nuk kishin asnjë projekt të ngjashëm për ndërtimin e një ure me gjatësi 120 m.
Nga hulumtimi i dokumenteve zbulohet një detaj i vogël, që mund të vendosi në pikëpyetje ligjore garën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Kjo për faktin se, te specifikimet teknike, në faqen 24, deklarohet se kompania e huaj duhet të bëjë ekuivalentimin e licencave profesionale të lëshuara nga vendi i origjinës, për kategoritë e punimeve në Ministrinë e Infrastrukturës.
Madje, në rast të mosdorëzimit të këtyre dokumenteve, kompania do të skualifikohet.
Por, a është plotësuar ky kriter?
Nga momenti i hapjes së garës për tenderin e Tunelit të Llogarasë e deri në ditën e fundit, kur dorëzohen dokumentet, kompanitë turke kanë patur kohë maksimale 35 ditë.
Në portalin qeveritar e-Albania ilustrohet se si mund të kryhet regjistrimi dhe të dorëzohet elektronikisht kërkesa për ekuivalentimin e këtyre licencave.
Njehsimi i licencave profesionale merr më shumë kohë, ku sipas e-Albania duhen, të paktën, 38 ditë për realizimin e këtij shërbimi.
Këtu kemi të bëjmë me dyshime favorizimi, pasi edhe sikur kompanitë turke të kishin aplikuar në ditën e parë të shpalljes së tenderit, ato përsëri nuk do të arrinin të realizonin ekuivalentimin e licencave brenda afateve. Ndërkohë, dega në Shqipëri e kompanisë së përzgjedhur është hapur një muaj pasi kanë fituar tenderin nga Ministria e Infrastrukturës.
Në këtë rast, ekspertët ngrenë pyetjen: Si kanë arritur kompanitë turke të kualifikohen kur ekuivalentimi kërkon më shumë kohë se afati i fundit i dokumenteve?
Ministria e Infrastrukturës, në fazën e “arnimit” të dokumenteve, ka zbutur edhe kriteret për projekte të ngjashme, ku përfshihej ndërtimi i 4 urave me gjatësi 120 m, duke vendosur si kriter vetëm: “punë të ngjashme për ndërtimin e vetëm një ure të tillë”.
Por dokumentet e tenderit kanë edhe ndryshime të tjera, të cilat lidhen me kompaninë nën-kontraktore. Në tenderin e anulluar, përqindja e punimeve që mund të realizoheshin nga nën-kontraktori nuk ishin të specifikuara, ndërkohë që në tenderin e rishpallur lejohet nen-kontraktimi jo më shumë se 50% e vlerës së kontratës.
Një muaj pasi fituan tenderin, në nëntor 2021, konsorciumi turk i kompanive themeluan në Shqipëri degën e tyre “INTEKAR – ASL”. Kompania “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” zotëron 30% të aksioneve me përfaqësues Serkan Çam dhe kompania tjetër “ASL INSAAT TAAHHUT” zotëron 70% të “INTEKAR ASL” me përfaqësues Abdulkadir Kart.
Konsorciumi turk ka marrë si nënkontraktor për këtë projekt kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me pronar Rrok Gjoken, i njohur edhe si fitues në disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri.
Burime të rezervuara brenda komisionit kanë konfirmuar për “Vetting” se, në tenderin e parë të anulluar, “Gjoka Konstruksion” kishte ofertën më të mirë ekonomike bashkë me një kompani tjetër turke.
Aktualisht, personi që kryen veprime të ndryshme financiare për konsorciumin turk në Shqipëri “INTEKAR ASL” është Rovena Dorezi, juriste e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Balkanweb.com