IS-i ishte i armatosur mirë me armë dhe municione, një pjesë e të cilave ishin edhe prodhime evropiane. Nga pikëpamja ushtarake i ashtuquajturi Shteti Islamik është mposhtur në pjesën më të madhe. Territoret që mbaheshin me një gjerësi 600 km në Siri dhe Irak janë çliruar me përjashtim të disa grupeve të fshehura rezistence. Për të fituar në luftën kundër milicisë terroriste duhej një koalicion i përbërë nga 60 vende dhe një periudhë kohore prej më shumë se tre vjetësh. Popullsia civile në territoret e çliruara ka paguar një çmim të lartë. Dhjetëra-mijëra vetë kanë humbur jetën. Kryeqyteti i IS në Siri, Rakka është shkatërruar po ashtu si Mosuli, Ramadija ose Titriti në Irak. Shteti i ashtuquajtur islamik ishte i armatosur mirë me armë dhe municione. Ato ishin edhe prodhime evropiane. Mbas një kërkimi trevjeçar është bërë e mundur të skicohet rruga që kanë bërë armët. Fakti që IS ishte në gjendje të qëndronte kaq gjatë dhe të mbronte me gjak sundimin e vet, nuk kishte të bënte vetëm me fanatizmin e idhtarëve të vet. Po aq e rëndësishme ishte rryma e armëve dhe e municioneve të xhihadistëve. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre armëve vinin nga vende të NATO-s dhe BE-së, që kishin kaluar nëpër SHBA dhe Arabi Saudite. Këtë e ka dokumentuar organizata ndërkombëtare Conflict Armament Research, CAR, në një kërkim që ka zgjatur tre vjet.
Kur linja e frontit ndryshoi nga korriku 2014 deri në nëntor 2017, ekipi i ekspertëve të CAR ndodhej aty. Ata studiuan armët dhe armatimet e tjera që koalicioni kundër IS kapi gjatë luftimeve kundër IS. Ekspertët e CAR-it analizuan gati 2 000 armë dhe 40 000 copë municione nga Kobane në kufirin turko-sirian deri në kryqytetin irakian, Bagdad. Dhe ata ishin në gjendje të përshkruanin rrugën e furnizimit që kishin bërë ato duke u bazuar tek udhëzimet e prodhuesve dhe numrat e serisë. Ky studim u financua nga Bashkimi Evropian dhe nga Ministria e Jashtme gjermane.
Mosrespektim i normave të eksportit evropian të armëve
Damian Spleeters, është drejtor i operacionit të CAR-it në Siri dhe Irak dhe autori kryesor i raportit të botuar në mes të muajit dhjetor. Ai thotë për Deutsche Wellen se çudia është “sa shpejt ka qenë e mundur që mbas eksportit të tyre armët të përfundonin në arsenalin e IS-it”. Si shembull ai përmend një raketë anti-tank të prodhimit bullgar. Ajo është shitur në dhjetor 2015 në SHBA. Pa mbushur dy muaj ajo u kap mbas ripushtimit të Ramadijes prej ushtarëve irakianë, të cilëve u ra në dorë armatimi i lënë në ikje e sipër prej IS. Ajo që nuk dihet është nëse armët e IS janë marrë nga fusha e betejës, janë marrë nga ushtarët që kanë kaluar nga njëri krah tek tjetri, apo janë blerë nga grupet konkurrente. Rruga që ka bërë kjo armë anti-tank mund të ndiqet vetëm pjesërisht. Bullgaria e ka eksportuar në SHBA. Raketa antitank i është furnizuar atje firmës amerikane Kiesler Police Supply. Kërkesës për licencën e importimit i ishte bashkangjitur sipas rregullit një deklaratë e përdoruesit të fundit që është lëshuar nga ushtria amerikane. Por kjo nuk e ka penguar SHBA të dërgojë direkt materialin e luftës në Lindjen e Mesme. Spleeters sheh këtu një dëshmi se “importues shumë të rëndësishëm si Arabia Saudite dhe SHBA, që janë klientët më të rëndësishëm të blerjes së armëve evropiane, nuk i respektojnë bazat e eksportit evropian të armëve: Deklaratën e përdoruesit të fundit”. Ka mundësi që kjo të jetë gjysma e të vërtetës. Patrick Wilcken është i bindur se të gjithë pjesëmarrësit në rrjetin e distribuimit e kanë ditur që armët kanë qenë për luftën irako-siriane, megjithëse dokumentat kanë thënë tjetër gjë. Specialisti i kontrollit të armëve në Amnesty International thotë për Deutsche Wellen, “do ishte shumë mirë nëse shtetet pjesëmarrëse të mos e dinin destinacionin e armëve”.
Armë të prodhimit evropiano-lindor
Kjo vlen edhe për eksportuesit e mëdhenj të armëve evropiano-lindore në Arabinë Saudite, dhe kalimin e mëtejshëm të armëve në grupet e Sirisë. Para luftës civile siriane, Arabia Saudite pati treguar interes për armët e prodhimit evropiano-lindor. Ato nuk janë të përshtatshme për armatimin e trupave saudite. Ato armatosen me armë nga SHBA dhe Evropa Perëndimore. CAR ka qenë në gjendje të ndjekë rrugën e materialit ushtarak të IS që ka ardhur nga eksportet bullgare në Arabinë Saudite. Që në vitin 2016 investigimet e “Balkan Investigative Reporters Network” si dhe të “Organized Crime and Corruption Reporting Project” kanë treguar për lulëzimin e tregtisë së armëve midis vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore nga njëra anë dhe Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqisë nga ana tjetër. Kallashnikov, automatikë, raketahedhës, sisteme mbrojtëse në vlerë prej 1,2 miliardë eurosh kanë shkuar në këto zona lufte. Wilcken shton se në konfliktin sirian dërgimi i armëve në rajon është parë herët. “Dhe nuk ka ekzistuar mundësia për të kontrolluar se ku përfundonin armët, pasi shkonin në rajon”. Kur armët përfundonin nga një palë e tretë në një nga grupet e konfliktit në Siri dhe Irak, atëherë ato furnizonin makinën luftarake të IS. Një gjë është e sigurt, se IS ka qenë më i fortë se sa duhet të ishte. Dhe lufta zgjati më shumë duke kërkuar më shumë viktima sepse fuqitë e huaja dërguan armë në rajon, armë që përfunduan në duart e IS dhe sepse deklarata evropiane për përdoruesin e fundit nuk ka pasur as vlerën e letrës në të cilën është shkruar.