Nga Klodian Tomorri
Prej të paktën 3 vitesh buxheti i shtetit po paguan një kosto të rëndë korruptive për shkak se ministria e Shëndetësisë ka bllokuar listën e barnave të rimbursueshme. Edhe pse ligji për barnat e detyron Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që çdo vit të përpilojë listën e re me barnat e rimbursueshme, prej 3 vitesh lista nuk miratohet.
Lista e fundit e barnave është miratuar në vitin 2021, përpara pandemisë. Si rezultat buxheti rimburson barnat mbi bazën e listës së para 3 vjetëve, edhe pse në treg kanë hyrë alternativa të reja më efikase në kurimin e sëmundjeve, por edhe me kosto më të ulët.
Ndonëse e gjitha kjo ngjan një neglizhencë e rëndomtë burokratike, në fakt bllokimi i listës është një biznes i madh korruptiv me kosto miliona euro për buxhetin e shtetit dhe kosto të tjera të jashtëzakonshme shëndetësore për qytetarët, të cilëve u mohohet aksesi në alternativat e reja.
Shifrat e korrupsionit
Bllokimi i listës nuk është një lajthitje e pafajshme, por shumë më tepër se aq. Mjafton të merret vetëm një shembull, ndonëse ka me dhjetra të tillë. Xarelto është një medikament antikoagulant, i cili përdoret për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Emri xhenerik i këtij bari është Rivaroxaban dhe ai është i regjistruar nga kompania Bayer.
Por dy vitet e fundit, kanë hyrë në treg disa barna alternativë, të cilët trajtojnë të njëtën sëmundje, por me kosto disa herë më të ulët se sa Xarelto. Nga mos përfshirja në listën e rimbursimit të këtyre alternativave të reja, vetëm nga ky bar buxheti i shtetit ka një humbje të paktën 7.5 milionë euro për tre vjet, e cila vjen direkt si pasojë e diferencës në çmim.
Aktualisht Xarelto 15 dhe 20 miligram rimbursohet me 35.44 euro për kuti, ndërsa çmimi më i lirë i një prej alternativave të hyra në treg së fundmi është 14.2 euro. Nëse merret parasysh edhe marzhi 8 për qind i caktuar nga shteti për tregtarët diferenca është edhe më e thellë.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimburson çdo vit rreth 100 mijë kuti Xarelto, që do të thotë se buxhetit humbet çdo vit të paktën 2.5 milionë euro vetëm nga Xarelto.
Çmenduria vazhdon
Miratimi i listës së barnave u mbajt dy vjet peng nga ish ministrja Ogerta Manastirliu. Por çmenduria vazhdon dhe lista e barnave të rimbursueshme vazhdon të mos miratohet.
Tentakulat që e bënë Manastirliun të “harrojë” dy vjet miratimin e listës së barnave me sa duket kanë ja kanë dalë të kompromentojnë edhe ministren e re të Shëndetësisë, Albana Koçiu. Në rastin e Xarelton qytetarëve u janë vjedhur 7.5 milionë euro në tre vjet. Këto para janë përfituar padrejtësisht nga kompania që ka ekskluzivitetin e tregtimit të këtij bari në Shqipëri, Delta Pharma. Por janë më dhjetra medikamente, edhe të kompanive të tjera, të cilat nuk përditësohen.
Por teksa këta fitojnë para padrejtësisht dhe ndoshta i ndajnë ato me zyrtarët që bllokojnë listën e baranave, qytetarët nuk paguajnë vetëm koston e korrupsionit. Bllokimi i listës ka një kosto ndoshta edhe më të rëndë se sa paratë që vidhen. Ajo është kostoja shëndetësore, e cila vjen nga mospërfshirja në listë e barnave të reja, veçanërisht atyre onkologjike, për të cilat Shqipëria ka mungesë emergjente.
Një shembull që ilustron më së mirë se në Shqipëri, korrupsioni vret dhe jetët e njerëzve sakrifikohen për milionat e qelbura të kompanive farmaceutike dhe zytarëve të lartë të shëndetësisë. Nderkohë SPAK rri …./ Kapitali.al