José Mourinho duket se ka filluar tashmë rinovimin e skuadrës së tij për sezonin e ardhshëm. Trajneri portugez ua ka vendosur tashmë kryqin më shumë se 5 lojtarëve, të cilët do t’i shesë këtë verë për të financuar transferimet e mëdha, që janë pjesë e planeve të tij për rindërtimin e ekipit, si Gareth Bale dhe Willian. Manchester United ka evidentuar tashmë Luke Shaw, Ander Herrera, Juan Mata, Chris Smalling, Phil Jones, Daley Blind dhe Matteo Darmian, të cilët janë gati të shiten këtë verë. Përveç kësaj, Marouanne Fellaini është i lirë në fund të sezonit dhe ka refuzuar të nënshkruajë një rinovim. Michael Carrick do të dalë në “pension”, ndërsa Ibrahimoviç do të largohet pa kufizime. Objektivat e Mourinhos janë: uellsiani i Real Madridit, Gareth Bale, partneri mbrojtës i Tottenham, Toby Alderweireld dhe Danny Rose, mesfushori i Chelsea, Willian, dhe Fred të Shakthar Donetsk. Pra, pavarësisht nga nënshkrimet e shtrenjta, që Manchester United ka bërë gjatë 14 muajve të fundit, për një vlerë totale prej më shumë se 300 milionë euro, duket se do të ketë një tjetër investim me të njëjtën madhësi apo edhe më të madhe. Përveç kësaj, qendërsulmuesi Romelu Lukaku ka konfirmuar: “E di se shumë lojtarë të mirë do të vijnë verën e ardhshme, kjo është e sigurt”.
Ndërkohë, Lukaku është shprehur se në verë do të vijnë shumë lojtarë të fortë. Romelu Lukaku, sulmuesi i Manchester United, ka folur në lidhje me merkaton e verës së ardhshme pas ndeshjes së Kupës së Anglisë të fituar nga skuadra e tij kundër Brighton: “E di se në verë do të merren shumë lojtarë të fortë”, ka thënë belgu.
Sipas “Daily Mail”, janë tre objektivat kryesorë të klubit anglez dhe të Mourinho-s: Fred i Shakhtar (68 milionë euro), Matuidi i Juventus (40 milionë euro) dhe Perisiç i Inter (62 milionë euro). Ylli i Leicester, Adrien Silva, është shprehur i kënaqur për dështimin e transferimit të tij te Chelsea më 2005-ën, kur ai ishte një futbollist i ri i Sporting-ut. “Falë Zotit, ka thënë ai për ‘The Guardian’, që Mourinho donte të fitonte menjëherë dhe nuk kishte kohë të priste për lojtarët e rinj që të rriteshin. Ka qenë një moment shumë i çuditshëm dhe unë isha shumë i ri”. “Mourinho erdhi dhe më takoi dhe nuk e dinim përse. Por kur një klub do diçka bën gjithçka për ta arritur. Ai erdhi të më shihte në Portugali dhe më pas ka shkuar te Chelsea për të parë qendrën stërvitore. Ishte një mundësi e rëndësishme për Sporting, por që nuk u realizua”. Më shumë se dhjetë vite më pas, Silva është transferuar në Angli, por nuk është lejuar të luajë me Leicester deri në janarin e këtij viti për shkak se kishin kaluar 14 sekonda nga afati i fundit i merkatos. “Nuk mendoj se ka qenë e drejtë”, ka thënë Silva. “Unë nuk bëra asnjë gabim. Nuk do ta kuptoj kurrë atë vendim të FIFA-s, edhe pasi Leicester bëri gjithçka ishte e mundur për ta ndryshuar. Do ta kuptoja po të bëhej fjalë për orë, por u fol për sekonda. Mendoj se ka qenë një vendim i gabuar”.