Arti shqiptar në zi! Brenda pak ditësh, arti ka humbur dy ikona, Zef Dedën dhe sot, Mirush Kabashin.
Kabashi ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, pasi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë. Prej disa ditësh ai ndodhej i intubuar dhe në gjendje të rëndë në spital.
Mirush Kabashi, figura e njohur e ekranit që ka ndarë kaq shumë role dhe emocione me publikun do të mbetet i fortë në kujtesën e tij që nga roli i famshëm i Shazivarit tek “Koncert në vitin 1936” e deri tek Sokrati.
Kush ishte Mirush Kabashi
Artisti i mirënjohur la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Një nga rolet më të spikatura ka qenë ai i Sokratit me monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.
Kabashi është cilësuar gjithashtu si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.
Kontributi i tij është i larmishëm, si në filmografinë shqiptare e ashtu në teatër, të cilit i kushtoi një pjesë të mirë të jetës së tij.
Mirush Kabashi lindi në vitin 1948 në qytetin e Shkodrës. Familja e të atit ishte me origjinë nga Gjakova, ndërsa vetë Kabashi u rrit në qytetin bregdetar të Durrësit.
Ndërkohë në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke kryer edhe detyrën e drejtorit, 1991-1993.
Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Disa nga filmat ku ai ka luajtur janë: Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, Nata, Edhe ashtu edhe kështu, Binarët, Telefoni i një mëngjesi, Shoqja nga fshati, Një ndodhi në port, e shumë pjesë të tjera artistike.
Çmimet
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
Filmografia
* Kronikë provinciale (2009)
* Ne dhe Lenini (2008)
* Nata (1998)
* Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës
Binarët (film) (1987)
* Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi
* Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci
* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
* Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan
* Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi
* Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)
* Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani
* Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake
* Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios
* Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari
* Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit
* Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa