Kush janë dy kompanitë që Veliaj u dha 18 milionë euro për Unazën e Madhe

Qeveria ka vendosur rindërtimin e një pjesë të unazës së madhe të qytetit të Tiranës, nga vendi i njohur si Pallati me Shigjeta deri tek Rrethrrotullimi Shqiponja. Rindërtimi është planifikuar të kushtojë rreth €40 milionë.
Qeveria hapi më 7 shtator 2018 tenderin për projektin duke i ndarë punimet në tre segmente të veçanta duke vendosur konkurim të veçantë për secilin nga këto segmente.
Në secilin prej tre konkurimeve morën pjesë vetëm dy konkurentë, kompania Vëllezërit Hysa dhe një kompani tjetër. Kompania Vëllezërit Hysa nuk paraqiti ofertë në asnjë prej tre garave duke bërë që fituese automatikisht të shpallej konkurenti tjetër.
Segmenti I u fitua nga bashkimi i kompanive Biba X dhe DH Albania. Vlera e tenderit ishte €18 milionë. Vëllezërit Hysa nuk paraqiti ofertë.
Segmenti II u fitua nga Salillari shpk. Vlera e tenderit ishte €12,6 milionë. Kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila nuk paraqiti ofertë.
Segmenti III u fitua nga kompania Viktoria Invest Internacional dhe Viktoria Invest shpk. Vlera e tenderit ishte €9,4 milionë . Njësoj si në dy rastet e para sërish kompania konkuruese Vëllezërit Hysa nuk paraqiti ofertë.
Kush janë dy kompanitë të cilat fituan 18 milion euro
Ndërsa dy kompanitë fituese të lotit 2 dhe 3 janë kompani të njohura ndërtimi, kompanitë Biba-X dhe DH Albania janë të panjohura.
DH Albania është kompani regjistruar në Shqipëri më 18 korrik 2018 si degë e një kompanie të huaj Dunëel Haberman, me përfaqësues ligjor 26 vjeçarin Avdjol Dobi.
Kompania mëmë, Dunëel Haberman ltd është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaëare të SHBA-ve dhe duket të jetë një kompani rafti—kompani pa aktivitet, e krijuar për t’u shitur në letër.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si përfaqësuese ligjore e kompanisë mëmë është regjistruar Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore e Ishujt Sejshell.
Kompania mëmë ka një faqe online e cila është krijuar më 2 korrik 2018, pak më shumë se dy javë se kompania të regjistronte degën e saj në Shqipëri. Në faqe nuk ka asnjë informacion për personat drejtues të kompanisë dhe asnjë informacion për angazhimet e saj në të shkuarën.
Sikurse u shprehëm më sipër, kompania duket të jetë një kompani rafti, pa asnjë aktivitet, e cila shërben si kompani guackë për të të fshehur pronarët e vërtetë të saj.
Kompania tjetër e konsorciumit, Biba-X, është regjistruar në Kavajë në vitin 2002, me objekt prodhim të materialeve të ndërtimit, kryesisht prodhim dhe tregtim inertesh. Më 15 tetor 2018, ortaku i vetëm Barush Biba ka ndryshuar objektin e kompanisë duke shtuar objektin “ndërtim rrugësh, ndërtime civile, rikonstruksion godinash fasadash”.
Edhe në praktikë, aktiviteti kryesor i kompanisë ka qenë shfrytëzimi i inerteve në shtratin e lumit Shkumbin në Elbasan. Vetëm pas vitit 2014, kompania ka përfituar 3 kontrata publike për ndërtimin e rrugëve dytësore në Bashkinë Tiranë, Kavajë dhe Pogradec.
Nga viti 2013 deri më tetor të 2018 kompania ka qenë vazhdimisht nën sekuestrim për fatura të pashlyera ndaj kontraktorëve të ndryshëm, të cilët kanë marrë urdhëra gjyqësore kundër kompanisë deri në shlyerjen e detyrimeve. Biba-X ka qënë nën sekuestro edhe gjatë periudhës kur ka konkuruar në tenderin e rrugës së re, duke konkuruar kështu në shkelje të ligjit.
Megjithatë, bashkimi i dyshimtë i një kompanie guackë me pronarë të panjohur dhe një kompani të vogël pa përvojë dhe me prona të sekuestruara ka fituar një kontratë publike nga Bashkia Tiranë prej 18 milionë euro nga paratë publike.
Një gjë mund të hamendësohet në mënyrë të arsyeshme: dikush tjetër fshihet pas këtij bashkimi dhe do të jetë përfituesi i vërtetë i kontratës.
/Exit.al

Artikulli paraprakSHBA, zgjedhjet mbyllen pa incidente
Artikulli tjetërTrump fiton Senatin dhe shumicën e Guvernatorëve, humbet Kongresin, pse s’mund të bllokohet