Kush janë “porositësit” e vrasjes së komisarit Cuku

Prokuroria dhe Policia kanë identifikuar porositësit e vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, në kërkim janë shpallur dy persona, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre në Shqipëri dhe dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ata janë të njohur të Mikel Shallarit, 24-vjeçarit të arrestuar ditën e dielë si ekzekutori i ish-drejtuesit të Policisë, Artan Cuku.
Identifikimi i tyre ka ardhur përmes marrjes në pyetje të Shallarit dhe provave të tjera të siguruara në rrugë operacionale. Policia nuk i bën publik emrat e të shpallurve në kërkim, për shkak të hetimeve janë në zhvillim. Por burime të grupit hetimor thanë se po bashkëpunohet edhe me policitë e disa vendeve partnere për arrestimin.
Urdhëri i vrasjes dyshohet se ka të bëjë me detyrën që ka ushtruar Cuku si drejtor i Policisë së Vlorës dhe me arrestimet e kryera për një zinxhir vrasjesh mes dy grupeve kriminale. Por nuk përjashtohen edhe disa arrestime që gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Nëndrejtor i Policisë së Beratit dhe Fierit.
Pikërisht zbardhja e një vrasje në qytetin e Vlorës dhe arrestimi i një të riu nga Fieri si autor i krimit, dyshohet si motivi kryesor i vrasjes. Këto të dhëna të vlefshme për hetimin janë marrë nga dëshmia e ekzekutorit, Mikel Shallari i arrestuar ditën e dielë. Por megjithatë, dëshmia e 24-vjeçarit ka qenë kontradiktore dhe grupi hetimor ende nuk mund të dalë në konkluzione të sakta.
Më herët, pas arrestimit të Mikel Shallarit, policia bëri të ditur se ka shpallur në kërkim Bujar dhe Florin Daka, dy vëllezërit e Agim Dakës që mbeti i vrarë në zyrën e ish-oficerit të policisë, Artan Cuku. Por menjëherë dy vëllezërit mohuan përfshirjen në vrasje, duke deklaruar se nuk kanë njohje me Mikel Shallarin. “Nuk kemi asnjë lidhje. Nuk e kam njohur kurrë edhe pse kam qenë në burg në Zvicër”, tha dje Bujar Daka. Në burg në Zvicër ka qenë edhe 24-vjeçari nga Kuçova që u arrestua nga policia si ekzekutor i Cukut. Por Bujar Daka mohon që vrasja të jetë porositur prej tij apo që Shallari të këtë vepruar i nxitur prej tij në çdo formë. “S’jemi ndaluar dhe as marrë në pyetje nga policia. Jam në shtëpi, duke kryer punime. S’kam lidhje me vrasjen e Cukut, jam i lirë. Kam qenë në burg në Zvicër, por Mikel Shallarin nuk e njoh. Shallarin e kam parë vetëm në televizor. Nuk kam asnjë lidhje me të. Ne nuk kemi për të ngrënë e jo më të paguajmë vrasës. Jam i lirë dhe nuk e di pse policia ma përmend emrin. Edhe vëllai, Florini është i lirë”, ka deklaruar Bujar Daka teksa po merrej me punë në shtëpinë e tij, në Shkodër. Babai i tij, Prelë Daka u shpreh se familja e tij e kishte mbyllur historinë me Cukun. “Tre herë kanë ardhur, kanë kontrolluar dy herë në shtëpi. Djemtë janë të lirë tek shtëpia, po punojnë për bukën e gojës. Nuk kemi asnjë lidhje, jemi pajtuar me ta. Është kaseta atje, e kanë në Tiranë. Jemi pajtuar dhe rregulluar me ta. Policia vetëm ka kontrolluar dhe bërë pyetje. Mos të më shqetësojë policia se nuk jam i fajshëm”, u shpreh Prelë Daka.
Mikel Shallari ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë. Ai u ka thënë oficerëve të policisë se do të tregonte gjithçka, por me kushtin që familja e tij të dërgohet jashtë shtetit dhe të merret në mbrojtje nga policia. Ai është treguar i gatshëm të nxjerrë emrat e porositësve të vrasjes së ndodhur më 8 prill të këtij viti në Tiranë.
Burimet thonë se, krimi dyshohet se u porosit nga një burg jashtë vendit, ndërsa po hetohen disa pista që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave që urdhëruan vrasjen e komisar Cukut. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzë për Mikel Shallarin për “vrasje me paramendim për gjakmarrje të kryer në bashkëpunim”.
I riu nga Kuçova do të dalë të martën para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Mikel Shallari u identifikua nga ADN-ja, e cila u gjet në rrobat, të cilat ai hodhi disa metra larg vendit të krimit. ADN e tij u krahasua me bazën e të dhënave të policisë së Zvicrës, ku ai ka vuajtur një dënim për trafik droge dhe rezultoi se ajo përputhej me atë të 24-vjeçarit.

R.POLISI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërLoja “dridhe Like” nuk shkon me PD