Struktura e shpenzimeve të familjeve shqiptare më 2015 ka pësuar luhatje në disa qarqe të vendit krahasuar me 2014, teksa INSTAT ka zbuluar se disa rrethe të njohura tradicionalisht si të varfra (Kukësi) kanë rritur shpenzimet dhe të tjera, që nuk janë paragjykuar për nivelin e jetesës si (Vlora), kanë ulur ndjeshëm shpenzimet.
Anketa e INSTAT për konsumin e familjeve zbuloi se rritja më e lartë e shpenzimeve për konsum është regjistruar në Qarkun e Kukësit dhe Korçës, përkatësisht 15,7 dhe 11,8%.
Ndërsa ulja më e theksuar e shpenzimeve të konsumit është regjistruar në Qarkun e Dibrës, me 16,0% dhe atë të Vlorës.
Ashtu si në vitin 2014, Qarku i Tiranës paraqitet me shpenzimet më të larta për konsum, pothuajse në të njëjtin nivel gjatë të dy viteve. Qarku i Lezhës vazhdon gjithashtu të jetë i dyti në renditje për nga madhësia e shpenzimeve, me një rritje të lehtë prej 0,7%.
Në vitin 2015, është Qarku i Gjirokastrës që renditet në vendin e tretë me një rritje të lehtë prej 0,9% ndërsa Qarku i Shkodrës që renditej i treti në vitin 2014, ka regjistruar një rënie të shpenzimeve për konsum prej 2,4%, duke kaluar në vendin e katërt.
Një rritje e konsiderueshme paraqitet në Qarkun e Durrësit (9,6%), i cili kalon për nga renditja dhe mesataren e vendit, duke u bashkuar me katër qarqet me mirëqenien më të lartë në terma të shpenzimeve për konsum.
Një familje në Qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 81.710 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet më të larta për konsum pas Qarkut të Tiranës janë Qarku i Lezhës, me shpenzime për konsum 79.374 lekë dhe Qarku i Gjirokastrës, me shpenzime për konsum 74.993 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve për konsum janë Qarku i Elbasanit me 55.671 lekë dhe Qarku i Vlorës, me 51.198 lekë për NjEF.