Pas publikimit të formularëve të vetëdeklarimit, në portalet dhe mediat shqiptare është parë një numër i madh deputetësh dhe zyrtarësh të lartë të administratës që kanë ndërruar emrin. Kjo ndoshta ka ardhur për shkaqe të ndryshme, por fakt është që lista e tyre është e gjatë.
I pari është vetë Edi Rama, Kryeministër i vendit. Sipas formularit të vetëdeklarimit në KQZ, deri në vitin 2002 Kryeministri rezulton të ketë mbajtur emrin Edvin dhe pas kësaj periudhe ai e ka ndërruar atë në Edi. Ndoshta për motive estetike.
Një tjetër kryetar partie po ashtu figuron të ketë ndryshuar gjeneralitetet, por këtë radhë mbiemrin. Bëhet fjalë për kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mehdiu, i cili më parë është quajtur Fatmir Mehdihoxha.
Ilir Xhakolli, deputet i Partisë Socialiste në Korçë rezulton që më parë të ketë mbajtur emrin Ilirjan.
Robert Bitri, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Fier, më parë është quajtur Albert.
Nard Ndoka, deputet i PDK-së me parë ka mbajtur emrin Mark Ndokaj.
Shkëlqim Selami, deputeti i LSI në Vlorë po ashtu ka ndryshuar mbiemrin, që më parë e ka pasur Selamini.
Ndërrime emrash ka edhe në radhët e kryebashkiakëve.
Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, deri në vitin 2002 ka mbajtur emrin Ervin Roshi.
Një tjetër kryebashkiak, ai i Hasit, Adem Lala, më parë është quajtur Dem Lala.
Por zyrtari rekordmen në ndryshimin e emrit është një kryetar bashkie.
Artur Bardhi i Laçit rezulton që ta ketë ndërruar katër herë emrin e tij.
Më parë ai ka mbajtur emrat Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi.