Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Migracionin Theo Francken tha dje se kushdo që kërkon azil në Belgjikë nuk do të ketë asnjë shans aprovimi, por jo vetëm kaq. Veç refuzimit të menjëhershëm aplikuesit do të penalizohen duke u ndaluar të hyjnë deri në 8 vjet në zonën Shengen. Gjatë ditës së sotme në Tiranë, zv/ministrja Elona Gjebrea priti në takim një delegacion nga Belgjika, i cili kryesohej nga Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Migracionin Theo Francken.
Palët përshëndetën dhe vlerësuan bashkëpunimin mes dy qeverive në çështjet e azilkërkuesve dhe migracionit dhe ranë dakord në fuqizimin e këtij bashkëpunimi, nëpërmjet shkëmbimit të mëtejshëm të informacionit. Zv/ministrja Gjebra theksoi vendosmërinë e palës shqiptare për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha vendet partnere, për të shmangur abuzimin me sistemin e azilit në Belgjikë apo në vendet e tjera të Bashkimit Europian. “Së shpejti do të fillojë një fushatë verore intensive për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptare në kuadër të lëvizjes së lirë me viza dhe shpjegimin e sanksioneve përkatëse në rast abuzimi”, u shpreh Gjebrea.
Sekretari i Shtetit Francken theksoi se shtetasit shqiptarë nuk duhet të tentojnë të hyjnë në Belgjikë, pa mjetet e nevojshme financiare për qëndrim, pasi do t’u mohohet hyrja. Ai shtoi se shtetasit që do të kërkojnë azil do të përballen me një refuzim të menjëhershëm, si edhe penalizime të forta deri në ndalim hyrje në 8 vjet në zonën Shengen.