Kush na ka ftuar në protestë?

Gerti BOGANI

Po bëhen pothuaj 4 vjet nga koha kur kjo qeveri mori pushtetin dhe sot, kur po i plotësohet mandati i saj qeverisës, po t’i bësh një bilanc nuk ke ku ta kapësh e ku ta lesh!
Në të gjithë historinë e Shqipërisë, 105 vjet shtet, më të mirat e të këqijat e tyre, me ditë të bardha e ato të zeza, kjo qeveri do të hyjë në histori e do të mbahet mend si më e paafta, më e dobëta, më mediokria, më e korruptuara dhe më e errëta!
Edhe sikur të duash të jesh objektiv e të përpiqesh t’i japësh hakun për diçka të mirë, vështirë ta gjesh një gjë të tillë, në çdo aspekt dhe çdo sektor!
T’i marrim me radhë disa prej tyre.
Thonë që po bëjnë shtet! Por ku? Dhe për kë? Ku? Atje ku mbillet drogë, atje ku trafikohet drogë apo atje ku fshihen bosat e drogës?!
Shtet për kë? Për qytetarin e ndershëm që rropatet çdo ditë për bukën e gojës, për familjarin apo babain që rropatet për të ushqyer fëmijët e vet, për nënën apo gjyshen që vazhdon e stërmundohet pa njohur pension e pavarësisht moshës që shkon?
Për kë? Për berberin që fusin në burg për një kupon tatimor? Apo të zotin e shtëpisë që e arrestojnë se ndërron tjegullat pa leje? Për fshatarin që shet lopën e merr kredi për të paguar dritat me çmimin e rritur? Apo për qytetarin që e trajtojnë si armik se shet kokoshka në bulevardin e Tiranës? Për nënën shtatzënë që vdes se e degdisin sa në një derë spitali në një tjetër? Apo për plakën që i shkelmojnë koshin pse shet dy tufa qepë? Për gazetaren që e fluturojnë nga puna se investigon korrupsionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Apo për Arditin 17-vjeçar që vritet si pasojë e korrupsionit të këtij kryetari? Për këta po ka shtet, por jo për ata që janë në pushtet!
Jo për matrapazin që mashtron çdo ditë e në çdo ekran; jo për ministrin hajdut që vjedh çdo ditë lekët e këtij shteti; jo për tatimorin a drejtorin që vendos gjoba për ditë; jo për miqtë e pushtetit dhe as për kriminelët me pushtet! Jo, për biznesmenin që ngrejnë e ulin traun e doganës si u do qejfi, s’ka as burg e as kupon tatimor si berberi i thjeshtë!
Jo, për Koçon e koçot e pushtetit, që zaptojnë ça t’u dalë përpara mal, fushë apo bregdet me sarajet e veta, nuk ka as INUK e as burg si hallexhiu, të cilit i pikon çatia! Jo, për deputetin e ministrin që nuk paguan faturën e dritave, nuk ka as gjobë e as burg si për shqiptarin fukara! Jo, për ndërtuesin që mbyt me pallate e beton çdo cep bosh të qytetit, nuk ka shtet si për atë që shet kokoshka në qoshe të bulevardit!
Jo, për familjen e pushtetit, qoftë edhe për dashnoren e tij, nuk ka sorrollatje e mungesë shërbimi, si nëna shtatzënë që vdiq dyerve të spitaleve! Jo, as për atë që mbjell e shet drogë, nuk ka shtet si për fshataren që nuk e lenë me shit qepë e domate! Jo, as për pronarin e TV apo gazetës që i lëpihet pushtetit, nuk ka shtet si për gazetarin që guxon!
Jo, as për mafien e plehrave dhe plehrën që i shërben asaj e as për prokurorin e gjyqtarin që merr shukun me lekë, nuk ka padrejtësi si për Arditin 17-vjeçar!
E kjo listë vazhdon pa fund, sepse sa herë kryeministri apo ndonjë nga tellallët e qeverisë thotë se po bëjnë shtet, e kanë fjalën për ty o shqiptar i ndershëm, jo për vete dhe bandën e vet!

E pasi bën shtet, parulla e radhës është reforma dhe qeveria e reformave. Reformave të kujt? Reformat për kë?
Reforma për shëndetin e kujt? Të artistit, të shkrimtarit, gazetarit, këngëtarit apo popullit që dergjet dyerve e dyshemeve të spitaleve për kurimin që s’e merr kurrë; që më kot kërkon ilaçet që s’ka apo që s’i blen dot; apo që pret ambulancën që s’vjen kurrë? Që pas atij tmerri që pamë mbrëmë e që me guxim e tregoi infermieri Bardhi, mbase më mirë që s’vjen?
Për këta ishte reforma në shëndetësi dhe shëndetësia falas? Apo për milionat e eurove, jo lekëve, në koncesione, ilaçe, tendera spitalesh e ambulancash?!
Në këto 4 vite reformë në shëndetësi, veç një gjë duket e reformuar, qafa e trashur e ministrit, që xhepat i mbush plot me paratë dhe jetën që të vjedh çdo ditë ty o shqiptar i ndershëm!

***

Reformë për kë? Për qytetarët që paguajnë çmimin e gazit dhe të naftës më të shtrenjtin në Europë apo për banorët e Zharrës që u mashtruan, u vodhën, u shkatërruan e sot po vdesin në grevë urie?
Për këta që asnjë media nuk guxon të flasë e të mbrojë është reforma? Apo për ministrin që mori rrugën deri në Kanada për milionat e eurove që merr për të mbyllur gojën e për të lënë njerëzit në mëshirë të fatit e në dorë të Zotit?
Në këto 4 vite reformë në energji, gaz e naftë, një gjë duket e reformuar, fytyra që i shkëlqen ministrit, që xhepat i mbush plot me paratë dhe të ardhmen që të vjedh çdo ditë ty o shqiptar i ndershëm!

***

Reformë në arsim për kë? Për fëmijët që dhunohen në kopshte, që rrihen nga mësuesja në shkollë, që i mësojnë se ISIS qenka i mirë apo që i mësojnë bixhozin në orë të mësimit nga mësuesi? Për kë është reforma në arsim, për prindërit që s’kanë ku t’i gjejnë lekët se shteti i detyron t’i çojnë fëmijët në universitete private apo për maturantët që edhe pse të shkëlqyer nuk e gjejnë dot të drejtën për shkollë të lartë?
Për këta ishte reforma apo për batakçinjtë që po pasurohen nga kjo gjë e që të vetmen meritë kanë elozhet që i thurrin kryebatakçiut të qeverisë?
Në këto 4 vite reformë në arsim, veç një gjë duket e reformuar, diploma e kryeministrit si piktor që hap ekspozita lart e poshtë me paratë dhe të drejtën për edukim që të vjedh çdo ditë ty o shqiptar i ndershëm!

***

Reforma në taksa e tatime për kë? Për biznesin e vogël që mezi ushqen familjen çdo ditë, për biznesin e mesëm që mezi e mban dyqanin hapur apo familjarin që paguan taksa për shërbime që nuk merr kurrë?
Për këta ishte reforma në taksa e tatime apo për të mbushur arkën e shtetit e të bashkisë me cikërrimat e atyre që stërmundohen çdo ditë dhe që sot janë shumë më të varfër se katër vite më parë?!
Në këto 4 vite reformë fiskale, veç një gjë duket e reformuar, garderoba e drejtoreshës së Tatimeve, Doganave dhe ministrit të Financave, që xhepat i mbushin me paratë dhe djersën që të vjedhin çdo ditë ty o shqiptar i ndershëm!

***

E përsëri po të vazhdoj lista e reformave që këta shpallin me të madhe është e gjatë dhe e ndryshme, por çdo reformë një gjë ka të ngjashme dhe të përbashkët; në asnjë rast nuk është në favorin tënd o qytetar shqiptar, por në çdo rast në favor të biznesmenit, batakçiut, makutit dhe pushtetarit!

Tek arritjet dhe sukseset përmendin edhe rilindjen urbane. Por ku? Dhe për kë? Ku? Në bulevard dhe në qendër apo atje ku qytetari vuan çdo ditë dhe s’ka as kanalizime, as ujë, as drita dhe ndonjëherë as çati mbi kokë?
Ku? Tek pllakat e betonit dhe të gurit që jo vetëm i morën vendin pemëve dhe gjelbërimit, po do të vazhdojnë të na marrin frymën në vitet në vazhdim?!
Ku? Tek betoni i Veliajt tek Parku i Liqenit apo tek vela e Vangjushit që po varros njëherë e përgjithmonë historinë, lashtësinë dhe krenarinë e Durrësit e mbarë Shqipërisë?!
Për kë? Për qytetarët autoktonë dhe të vonshëm që i prishet shtëpia dhe i shpronësohet për një çapë bukë apo për bosin që ndërton pallate, për pronarin e medias që mbyll gojën për të marrë leje ndërtimi apo sekserin që i tregon kryetarit ku të vendosë njollën për kulla?
Për këta paska qenë edhe rilindja urbane, për këta që vazhdojnë pasurohen duke betonizuar qytetin tonë; për këtë që u mbyllin gojën gazetarëve të vet që mos t’i prishet gjumi kryetarit të bashkisë e që të dalë në lajme çdo ditë edhe pse nuk është në punë, por në majë të tajares (avionit)!

Të vazhdosh të rendisësh gjemat, skandalet dhe babëzitë e kësaj qeverie jo vetëm që nuk mjaftojnë 5 minuta të një fjalimi në Parlament e as 5 mijë rreshta të shkruar!
Por edhe sikur të ishte koha e mjaftueshme e pa limit, kjo nuk do të ishte aq e nevojshme, sepse nga ajo që kam parë e dëgjuar çdo ditë nga takimet me ju, unë besoj se më mirë se unë dhe më mirë se çdo koleg i imi këtu, jeni ju që mund t’i rendisni këto probleme dhe shqetësime.
Sepse jeni ju që e vuani në kurriz çdo ditë peshën e shkelmit që kjo qeveri ju ka vënë në grykë!
Jeni ju që përballeni me padrejtësitë dhe vështirësitë e përditshme për të krijuar sadopak siguri dhe mirëqenie për familjet dhe fëmijët tuaj!
Jeni ju që e dini dhe e kuptoni më mirë se çdokush tjetër që kjo qeveri nuk është më e juaja, por e një grushti të vogël banditësh!
Jeni ju që e kuptoni më mirë se çdokush tjetër që kësaj qeverie i duhet thënë boll më dhe i duhet treguar se vuajtja ka limit dhe durimi ka fund!
Jeni ju që e tregoni më mirë se çdokush tjetër, siç bëri infermier Bardhi dje e siç bëjnë me dhjetëra shqiptarë të guximshëm çdo ditë, se nuk keni frikë nga këta tigra prej letre!
Jeni ju që e dini më mirë se çdokush tjetër që kjo qeveri ka falimentuar dhe ka ardhur koha e kthimit të qeverisë tek qytetarët dhe për qytetarët!
Ka ardhur koha për ndryshim; e jo që të ikë një palë e të vijë një tjetër, por për ndryshim real e të vërtetë!
Ndaj, jam i bindur që nuk ka nevojë t’ju bëj thirrje për t’u bashkuar në protestë në datë 18 shkurt, sepse në të vërtetë jeni ju ata që keni kohë që na e keni bërë këtë thirrje!

Exit mobile version