Kush po e rrezikon Aleancën e NATO-s?

“The Week”

Një sondazh i fundit i qasjes së gjermanëve ndaj sigurisë, ofron një panoramë të zymtë për Europën. Sipas sondazhit, shumica e gjermanëve janë kundër dhënies së ndihmës për fqinjët e tyre, në rast të një sulmi nga Rusia. Rezultati pasqyron ata të vendeve të tjera, dhe ngrejnë pyetjen: A po “vdes” dalëngadalë Aleanca e Atlantikut të Veriut?
Sondazhi, i kryer nga Programi për të Ardhmen e Europës dhe Instituti Polak për Çështje Publike raportonte se më shumë se gjysma (57%) e gjermanëve të pyetur, nuk mbështesin dërgimin e ushtrisë gjermane për të mbrojtur pjesëtarë të tjerë të NATO-s, “si Polonia apo shtetet balltike”. Vetëm 31% e gjermanëve besojnë se vendi i tyre duhet të përmbushë detyrimet e Traktatit dhe të ndihmojë këta vende, nëse sulmohen.
Polonia dhe vendet e Balltikut–Lituania, Letonia, Estonia–janë gjendur nën një presion të fortë politik dhe ushtarak nga Rusia, për t’u shkëputur prej NATO-s dhe Perëndimit. Revanshistët rusë i shohin të katër këta vende si shtete tradicionalisht “sfungjer”, që mbrojnë Rusinë dhe do të donte që të riktheheshin në atë status.
Sipas raportit, Gjermania nuk është rast i izoluar. 53% e francezëve janë kundër mbrojtjes së Polonisë dhe shteteve balltike, ashtu sikurse dhe 51% e italianëve.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Verit (NATO) u krijua në vitin 1949 për të ndihmuar Gjermaninë dhe shtete të tjerë në vijën e parë të frontit, që t’i rezistonin agresionit sovjetik. Shumë i rëndësishëm për NATO-n ishte koncepti i mbrojtjes kolektive – që në rast të një sulmi të supozuar sovjetik, secili shtet anëtar i organizatës do të nxitonte në ndihmë të cilitdo shtet tjetër anëtar të saj. Slogani informal i NATO-s ishte “sulmi ndaj njërit, është sulm ndaj të gjithëve”.
Gjëja shumë e mirë e mbrojtjes kolektive është se ajo rrit shumë aftësinë e shteteve të vegjël për t’u rezistuar shteteve të mëdhenj. Gjermanisë, për shembull, nuk do t’i duhej që të armatosesj për t’iu kundërvënë të gjithë ushtrisë sovjetike – ajo mund të mbështetej në ndihmën e shteteve të tjerë si Franca, Belgjika, Holanda, Mbretëria e Bashkuar e madje edhe SHBA.
Megjithatë, thembra e Akilit e mbrojtjes kolektive është se kur njerëzit nuk besojnë më tek ajo, atëherë praktikisht ajo pushon së ekzistuari. NATO, me sa duket, ka mbërritur në atë pikë.
Në ndërkohë, shpenzimet për mbrojtjen mes shteteve të NATO-s kanë rënë shumë, teksa shumë pak vende shpenzojnë 2% të GDP-së për mbrojtjen, siç ka rekomanduar Aleanca. Në vitin 2015, Gjermania shpenzoi vetëm 1.2%, Italia më pak se 1% dhe Franca 1.8%. SHBA, sa për të dhënë një shembull, shpenzoi 4.6%.
E gjithë kjo vjen në një kohë të ringjalljes së fuqisë politike dhe ushtarake të Rusisë. Që kur Vladimir Putini aneksoi Krimenë dhe nisi një luftë-hije në Ukrainën Lindore, ushtria ruse ka nisur një fushatë kanosjeje kundër fqinjëve të saj, duke përfshirë NATO-n, Suedinë, Finlandën, e madje edhe Japoninë.
Rezultatet e sondazhit tregojnë se, gjermanët në veçanti janë më të interesuar në bashkëpunimin me vendet që janë më në Perëndim të tyre – si Holanda, Mbretëria e Bashkuar apo deri dhe Kina – ndërkohë që janë më pak të interesuar me vendet në Lindje, si Polonia, Ukraina dhe Republika Çeke. Eshtë e qartë se, gjermanët duan të shmangin konfrontimin me Rusinë.
Qasja që Polonia dhe shtetet balltike janë vende për të cilët nuk ia vlen të luftosh është e gjithëpranishme, pavarësisht agresionit të kohëve të fundit të Rusisë në Ukrainë, dhe pavarësisht fushatës së kanosjeve kundër shteteve të tjera. Ajo vazhdon pavarësisht shembujve të shumtë nga historia – më i keqi i të cilëve vjen nga vetë Europa – ku shtete agresive, ekspansioniste, të cilëve askush nuk iu kundërvu që herët, u shndërruan në rreziqe madhore për sigurinë e gjithë kontinentit – dhe bashkë me të, edhe të gjithë botës.
Një tjetër fushatë e madhe agresioni nga Rusia – ndoshta e shënjestruar edhe ndaj vetë Aleancës – mund ta ndryshojë rrënjësisht këtë qasje. Pearl Harbour, për shembull, ndryshoi me shpejtësi ndjenjat e thella izolacioniste të amerikanëve. Ashtu si Pearl Harbouri, kjo fushatë mund të përfshijë përsëri një tragjedi që, e parë me “mendtë e pas Kuvendit”, do të mendohet që paska qenë e shmangshme.
Agresioni rus mund të ashpërsojë edhe qëndrimin kundër mbrojtjes kolektive, teksa po kjo shumicë kërkon një rrugë me më pak rezistencë, dhe më shumë pajtuese, kundrejt Rusisë. E gjitha varet se çfarë kostosh do të dojë të imponojë Rusia – dhe nëse janë të papërballueshme. Dhe Rusia që ishte shumë e zgjuar për të pushtuar Krimenë, do të jetë shumë e zgjuar edhe për të shtyrë drejt dëshpërimit këdo prej kundërshtarëve të saj potencialë.
Aleanca mund t’i mbijetojë uljes së shpenzimeve për mbrojtjen. Kjo është e pakthyeshme. Ai të cilës NATO nuk mund t’i mbijetojë, është kundërshtimi i opinionit publik ndaj misionit të saj themelor.
Ushtritë, planet, udhëheqja dhe strukturat e NATO-s ekzistojnë ende, por pa mbështetje publike për përdorimin e tyre, ato janë premtime të gënjeshtërt për vende si Polonia. NATO është një aleancë që, prapa fasadës, është thellësisht e përçarë. Madje, që tani mund të ketë “vdekur”. E vetmja mënyrë për ta kuptuar është që të provohet Aleanca në një krizë të vërtetë – dhe ka shumë shanse që kjo të ndodhë së shpejti.

Exit mobile version