Nga Preç Zogaj
Jeta politike në Shqipëri, aq sa ç’është e shënuar nga proamerikanizmi i sinqertë apo pragmatist i drejtuesve politikë, po aq përshkohet nga qëndrime, përpjekje dhe dëshira të kundërta të cilat investojnë, me dashje e pa dashje, zvogëlimin e Amerikës së madhe në Shqipërinë e vogël.
Cilat janë disa nga “pistat” ku shohim të manifestohet kjo orvatje e trishtë dhe e paturpshme për gjithë çfarë SHBA kanë bërë e bëjnë për kombin dhe demokracinë shqiptare.
Së pari, tek përpjekjet për të penguar, devijuar, dobësuar, sabotuar dhe mundësisht çuar drejt dështimit premtimin e SHBA-ve dhënë popullit shqiptar për të vendosur ndëshkueshmërinë e munguar ligjore në sferat e larta. Nuk po ndalemi këtu te ajo çfarë thotë e bën kreu i Rithemelimit të PD-së, zoti Berisha, i cili e ka SPAK-un dhe drejtësinë e re targetin numër një të sulmeve të tij. T’i kërkohet e kundërta tani që është vetë në hetim do të ishte cinike. Ajo çfarë mund t’i kërkohej njeriut që ka mbajtur postet më të larta shtetërore në vend është ndarja e qartë e mbrojtjes legjitime nga denigrimi en blok i institucionit të akuzës, që sot ngërthen shpresat më të mëdha të shumicës së shqiptarëve për goditjen e korrupsionit shumëvjeçar në sistem. Duke e etiketuar SPAK-un organizatë kriminale, Berisha merr në mbrojtje vetvetiu aradhën e zyrtarëve të lartë dhe plot eksponentë të krimit të organizuar që janë hetuar e çuar para drejtësisë nga ky institucion. Lufta e tij kundër SPAK në thelb drejtohet kundër SHBA-ve dhe këtu nuk ka ndonjë të re.
E reja është një tjetër. Duke parë se hetimet penale po hapin gropa të njëpasnjëshme në koritat e qeverisë, në vallen e tërheqjes së fijeve të SPAK është përfshirë në mënyrën e tij edhe kryeministrit Edi Rama. Pozicionimi i qeverise në skajin tjetër të litarit në raport me SHBA për këtë çështje doli në dritë brutalisht me rastin e zgjedhjes së zotit Dumani si kryetar i SPAK kur ish ambasadorja Juri Kim u detyrua të shkonte vetë në mbledhje për të ndikuar me praninë e saj zgjedhjen që u bë. Në të kundërtën SHBA do të kishin pësuar nga aktorët perfidë të Tiranës një gol për t’u mbajtur mend.
Më tej, Rama ka vijuar të kërkojë rrugë dhe mundësi ligjore që të rikthejë sa të jetë e mundur, në kushtet e reja, raportet e vjetra të politikës me drejtësinë, në kuptimin që ta njohë qeni të zonë, siç thotë shprehja e popullit. Për rrjedhim SPAK të kompleksohet, të ndalë vrullin, pse jo të koordinohet me ekzekutivin dhe pushtetin politik në punën e tij. Në këtë orvatje ai e di se ka një aleat gratis të gatshëm: Berishën. Lajmi i ri më domethënës që njoftoi kryetari i grupit socialist, Blendi Çuçi pas bisedimeve me Gazmend Bardhin ishte dakordësia për të krijuar një bërthamë bipartizane për ndryshime ligjore dhe reforma që kërkojnë shumicë të cilësuar, pa i emërtuar cilat janë. Vetë dakordësia në boshllëk për momentin për të krijuar një bërthamë unike për ligje të cilësuara me një grupim, kryetari i të cilit ka si target numër një të betejës së tij drejtësinë, shpjegon shuarjen e menjëhershme të kauzave artificiale që mbajtën peng parlamentarizmin për muaj me radhë, me “fitoren” qesharake të një komisioni hetimor për konçensionet në shëndetësi për të cilët SPAK ka përfunduar hetimin penal, duke ia kaluar fjalën gjykatës.
Marrëveshja e vërtetë PS-Rithemelim, duket se është mbajtja e paprekur e ligjit zgjedhor të vitit 2008 dhe krijimi i një bërthame që synon të japë mesazhin e rikrijimit të bipartitizmit të vjetër si një gogol për pushtetet dhe institucionet e pavarura që janë krijuar ndërkohë.
E kupton kushdo se dështimi i investimit amerikan për drejtësinë do të çimentonte dhe përjetësonte pandëshkueshmërinë në vendin e vogël mik, kësaj radhe me medaljen e fitores mbi superfuqinë e botës. Ky do të ishte një lajm i zi për shqiptarët. Dështimi në Shqipëri do t’u kushtonte ndërkaq SHBA-ve shumë herë me tepër se sa është pesha e vendit tonë në skakierën e politikës së madhe. Nuk ka gjasë, as arsye që SPAK dhe institucionet e tjera të pavarura të tremben nga gogoli i bipartitizmit të kastës plurale solidare që prodhoi viti 2008. Situata është krejt tjetër tani. Drejtësia e ka erën në favor.
Një pistë e dytë e zvogëlimit të Amerikës së madhe në Shqipërinë e vogël është normalizimi, zhvlerësimi dhe përqeshja e sanksionimeve “non grata”, si instrument i politikës së jashtme amerikane. Mes të sanksionuarve, ai që ka bërë më shumë në këtë pistë është Berisha. Ky s’ka reshtur ta tregojë SHBA-në si një shtet rrumpallë, vendimmarrjen e së cilës mund ta marrë zvarrë një nga miliarderët e saj të shumtë, siç është Soros. Berisha u ka thënë ndjekësve të tij se SHBA-të e kanë sanksionuar në shenjë hakmarrjeje që ndaloi ndarjen e Kosovës. Pa e vrarë mendjen për kontradiksionet elementare të kësaj narrative. Dihet se opsioni i shkëmbimit të territorit për të arritur një marrëveshjes të paqes mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë përfolur nga administrata e ish-Presidentit Trump, një armik i betuar i Soros. Ndërkohë që administrata e Presidentit Biden, së cilës i ra shorti të shpallte sanksionimin e përgatitur më parë të ish kryeministrit shqiptar, ka qenë dhe është vendosmërisht për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës kështu siç është.
Berisha s’ka patur, e s’ka përse, e ofron kokën e tij në sini të argjendtë para askujt. Ai është në të drejtën e tij të mos pajtohet dhe të kërkojë transparencë dhe drejtësi në lidhje më sanksionimin familjar. Rrugët për ta bërë këtë ekzistojnë. Por nuk është dashur të investohet në një mënyrë që ka nxitur një shpërthim vulgar dhe histerik të panjohur më parë të një pjesë jo të vogël të ndjekësve të tij kundër SHBA-ve.
Një pistë e tretë është rritja progresive e nivelit të karshillëkut të kërkuar dhe pa shkak të Tiranës zyrtare ndaj zyrtarëve të lartë të administratës amerikane. Shembulli i fundit i paimagjinueshëm i këtij karshillëku, i menduar apo spontan – kjo nuk ka rëndësi – është ajo çfarë tha kryeministri Rama në Tiranë, përkrah Sekretarit të Shtetit, Blinken, në lidhje me alarmin që kanë ngritur në kryeqytetet e vendeve perëndimore deklaratat e ish-Presidentit Trump për NATO-n. Rama e vlerësoi si të ekzagjeruar këtë alarm, duke shtuar se gjatë kohës kur Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë, NATO u forcua. Rama mund ta këtë e ta mbajë këtë mendim. Ai është në lojën e tij të regjistrojë një mesazh simpatie për Trump pranë shtabit të këtij të fundit, madje të rreshtohet në krahun e atyre që urojnë rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Por duhet thënë se gjeti kohën dhe vendin më të papërshtatshëm.
Në krye të alarmit mbarë perëndimor kundër deklaratave të tmerrshme të Trump është presidenti Biden, pastaj vinë me radhë krerët e shteteve më të fuqishme të Aleancës. Të alarmuar, jo thjesht për çfarë mund të ndodhë pas një viti, nëse Tramp fiton zgjedhjet, ku sipas kryeministrit të Hungarisë Viktor Urban, që i foli botës si zëdhënës i të zotit të punës, Trump nuk do të japë asnjë qindarkë për Ukrainën, por mbi të gjitha për efektet shumë negative që kanë sot deklaratat e tij në relativizimin e garancive të ndihmës nga NATO dhe të narrativës ruse për agresionin kundër Ukrainës.
Si kryeministër i një vendi të vogël Rama mund edhe të mos u bashkohej krerëve të shteteve të mëdha në dënimin e deklaratave të Trump, por që të sfidonte alarmin e tyre në prani të Blinken ishte jo vetëm e tepërt, por edhe fyese për mysafirin e shquar. Sakaq, kushdo mund ta kuptojë, ca më shumë Uashingtoni, se kasta politike plurale solidare në Shqipëri as që e vret mendjen se çfarë mund të humbë demokracia me fitoren e Rusisë në Ukrainë. Kasta ëndërron një ndryshim në Uashington që t’i hiqte mbështetjen drejtësisë së re në Shqipëri. Kaq.
Orvatjet për zvogëlimin dhe diskretitimin e Amerikës së madhe në Shqipërinë e vogël duhen prapësuar me përçmim pikësëpari nga publiku shqiptar. Ndryshe nga aleancat e dikurshme me ish-Bashkimin Sovjetik apo me Kinën, të imponuara nga regjimi, aleanca dhe miqësia me SHBA-në është zgjedhje e vetë shqiptarëve. Në bazë të kësaj zgjedhjeje është mirënjohja dhe vetëdija se ç’ka ardhur e ç’vjen nga SHBA, ka qenë dhe është e mirë për kombin shqiptar. Tani janë shqiptarët që kanë mundësi të vendosin drejtimin e busullës dhe të largojnë politikanët që marrin rrugën e djallit për interesat dhe hallet e tyre.
Shkrimi është pronë intelektuale e Liberale.al