Kush po i mbrohen përgjegjësit për vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë?

Vdekja e Ardit Gjoklës, djaloshit 17-vjeçar që punonte në landfillin e Sharrës, ka mbetur pa autor. Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm dy punonjës të kompanisë “3R”, me administrator një eksponent të Partisë Socialiste, Edurim Teqja, si edhe nën mbrojtjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive dosjen e plotë të Prokurorisë së Tiranës, në të cilën evidentohen shkeljet e dy personave të akuzuar drejtëpërdrejtë për vdekjen e tij, por edhe të kompanisë “3R”, e cila mori të gjithë mbështetjen qeveritare dhe të Partisë Socialiste për të dalë pa pasoja nga ky proces penal.
Dëfrim Hakrama dhe Edmond Kollari, përkatësisht përgjegjës turni dhe eskavatorist në kompaninë “3R” u arrestuan dhe u gjykuan për shkelje të rregullave në punë, me pasojë vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.
Por, në fund, gjykata e Tiranës, dukshëm nën presion politik, vendosi të shpallë të pafajshëm dy të akuzuarit. Në këtë mënyrë, edhe kompania “3R” shmanget nga përgjegjësia e saj për këtë ngjarje të rëndë. Por, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dosja hetimore ka të faktuara të gjitha shkeljet e kompanisë që funksiononte nën kontrollin e plotë të “Lali Erit”.

Gjykimi për vdekjen e Ardit Gjoklajt mund të jetë një prej atyre rasteve tipike, për të cilat, në raportin më të fufndit të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhej se “Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive…”.
Publikimi i një dokumentari nga emisioni Publikus shfaqi për publikun atë çka fshihej realisht në këtë landfill. Dokumentari u censuruar në televizione, por u shpërnda në rrjetet sociale duke sjellë një valë të madhe reagimesh.
Protestat ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Veliaj ishin të shumta për këtë ngjarje, duke e akuzuar si të përfshirë në krim për shkak të lidhjes së përfolur me kompaninë që merret me riciklimin e mbetjeve në Sharrë.
Gjithashtu në rrjetet sociale doli një foto ku shihej Veliaj së bashku me Prokurorin e çështjes së 17-vjeçarit, të ulur në një tavolinë duke biseduar pas ditë pas ngjarjes së rëndë.
Ndonëse kanë kaluar dy vjet, kjo ngjarje që i mori jetën një të mituri dhe tregoi skandalin me riciklimin e plehrave nga bashkia e Tiranës, nuk është zbarthur, përkundrazi, ngjarja po harrohet çdo ditë e më shumë. Së bashku më trupin e 17-vjeçarit u mbuluan edhe aferat e mëdha të pushtetit të bashkisë së Tiranës, ndërsa drejtësia për këtë ngjarje duket se do të ketë pak gjasa të vihet në vend.

Artikulli paraprak“Nuk kishim rrugë tjetër”, Monchi shpjegon pse Roma e shiti Salah
Artikulli tjetërParis/ Gazetarët pa Kufij “nxijnë” Ramën!