Kushte “të forta”

Federata Italiane e Futbollit mësohet se ka nisur menjëherë nga puna për të bindur Karlo Ançelotin që të marrë drejtimin e Italisë pas shkarkimit të Gian Piero Venturës. Mirëpo arritja e një marrëveshjeje me një trajner të madh, që kërkohet nga shumë klube europiane, por jo vetëm, nuk do të jetë e lehtë. Ançeloti, para se ta pranojë ofertën, dëshiron t’i plotësohen disa kushte, të domosdoshme, sipas tij, për ta ringritur përfaqësuesen e “të kaltërve”. 58-vjeçari kërkon liri të plotë në vendimmarrje, si dhe të ketë stafin e tij (ndoshta Paolo Maldinin si ndihmës ose si manaxher i kombëtares), pa harruar edhe shmangien e keqkuptimeve, duke vënë pikat mbi “I” që në fillim. Ish-trajnerit të Milanit dhe Juventusit në Serinë A nuk i pëlqejnë disa persona që kanë qenë shumë të fuqishëm në periudhën e fundit të futbollit italian. Kushtet e tij do të jenë “të forta”, duke nisur që nga paga që do të përfitojë.
Ançeloti është një trajner që në Europë ka fituar gjithçka, e njeh shumë mirë futbollin e Kontinentit në çdo sektor të tijin, ka simpatinë e tifozëve dhe të lojtarëve, por për ta bindur, duhet t’i plotësosh disa kërkesa shumë të rëndësishme. Vetëm me emërimin e tij trajner të Italisë, Federata Italiane e Futbollit mund të rigjejë qetësinë, pas kritikave të pafundme që erdhën për shkak të mospjesëmarrjes në “Rusi 2018”.
“Goal” ka parashikuar formacionin me të cilin “Don Carlo” mund të luajë nëse pranon drejtimin e axurrëve. Historia ka tregur se 58-vjeçari në vitet e fundit ka përdorur thuajse gjithmonë 4-2-3-1, ose maksimumi 4-3-3. Për momentin, duke lënë mënjanë Chiellini-n (ende nuk është shprehur për kombëtaren), Bonucci është i vetmi që e ka vendin e sigurt. Shoku i tij në qendër të mbrojtjes mund të jetë një mes Rugani-t, Caldara-s dhe Romagnoli-t, që do të kenë kohë për t’u maturuar.
Në krahun e djathtë janë disa opsione, me Florenzi-n, Conti-n dhe Zappacosta-n, vetëm nëse Ançeloti nuk dëshiron të përdorë verdhekuqin në një tjetër rol më të avancuar. Ndërsa në të majtë: Darmian, Spinazzola, Emerson Palmieri dhe Barreca në një të ardhme.
Në mesfushë nuk ka dyshime: një nga dy vendet është për Marco Verratti-n, të cilin Ançeloti e ka stërvitur te PSG në sezonin 2012-2013. Me të duket i pamundur përdorimi i regjisorit të dyfishtë me Jorginho (që gjithsesi do të ishte pjesë e grupit), ndaj më funksionalë lojtarë si Pellegrini, Gagliardini, Barella, Benassi, e ndonjë tjetër… Gjithçka duke pritur kthimin e Claudio Marchisio-s, që pavarësisht moshës 31-vjeçare mundet ende të japë kontributin e tij.
E pamundur që me Ançelotin të mungojë Insigne nga formacioni titullar, në krahun e majtë të sulmit, ndërsa në anën e kundërt do të kishte hapësira për El Shaarawy, Bernardeschi, Candreva, Chiesa ose Verdi. Në 3/4 e fushës është e vështirë të gjendet një numër i pastër 10, por te Bayern për shembull është përdorur shpesh Muller në këtë zonë të fushës, pra një puntë e dytë ose një lojtar si Bernardeschi atë rol mund ta bëjë.
Në sulm, në fund hapësirë vetëm për një mes Immobile-s dhe Belotti-t, duke pritur Zaza-n dhe ndonjë talent tjetër që mund të shfaqet përpara Europianit të 2020-ës.

Artikulli paraprakKhedira: Buffonit i mungon një trofe, e ndihmojmë ta fitojë
Artikulli tjetërDonarumma pasuesi i Buffon te Italia