VJOLANDA PECA/ Në Shqipëri nuk ekzistojnë institucione mjekësore të veçanta për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer krime.
Burgu famëkeq i Zaharisë u mbyll në vitin 2021 dhe këta të dënuar janë shpërndarë mes burgut të Shën Kollit në Lezhë dhe atij të Drenovës në Korçë, por situata e tyre nuk ka ndryshuar duke mbetur të ngujuar. I ngujuar prej më shumë se 20 vitesh ka mbetur edhe vëllai i një dëshmitari, i cili tregon kushtet e këqija që këta pacientë përballen çdo ditë paligjshmërisht. Për “Vetting” familjari i këtij pacienti shprehet se: “Në burgun e Zaharisë kushtet kanë qenë çnjerëzorë, kanë qenë 3 banja me 300 të sëmurë. Ata i kanë shkatërruar, i kanë torturuar të sëmurët”. Në të njëjtën mënyrë është shprehur edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ka trajtuar çështjen e këtyre të dënuarve që trajtohen si pacientë, të cilët nuk mbahen në institucione të posaçme mjekësore, por në burgje.
“Burgu i Zaharisë është mbyllur pikërisht për shkak të kushteve çnjerëzore që kishte”, – u shpreh Komisionari për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. Në vitet 2000 në media qarkulloi lajmi se një djalë plagosi me armë të ftohtë familjarin e tij, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë mendore. Pasi kreu aktin, ai u dërgua menjëherë në institucionin shëndetësor të burgjeve në Tiranë, te “Nënë Tereza” për të kryer dënimin. 25 vjet pas ngjarjes, “Vetting” ka kontaktuar familjarët e këtij personi, të cilët edhe sot po merren me çështjen gjyqësore të vëllait, pasi është trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga institucionet shtetërore. “Kam një vëlla që vuan nga shëndeti mendor, u godit dhe pësoi dëmtim të rëndë nga ana mendore nga goditja gjatë punës dhe aty u përcaktua invalid pune”, – thotë familjari, teksa shton që pasi u bë seanca gjyqësorë, u vendos për ta çuar në një spital psikiatrik mjekësor, por prokuroria nuk e zbatoi këtë vendim duke e çuar në spitalin e burgut në Tiranë.
Për “Vetting”, familjari i pacientit tregon se Prokuroria nuk gjeti një zgjidhje për rastin, duke marrë një vendim që do t’i përkeqësonte shëndetin. Sipas dëshmisë së familjarit, i cili prej 25 vitesh endet dyerve të spitaleve dhe burgjeve, duket se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Drejtësisë nuk e kanë kryer me përgjegjshmëri detyrën.
VENDIMI I GJYKATËS
Gjykata e Rrethit Gjyqësor ku i pandehuri jetonte, me anë të një vendimi të formës së prerë vendosi “Shtrimin e të pandehurit për mjekim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik në Tiranë, duke marrë masa për ruajtjen e tij”. Ky vendim u vu në zbatim në vitin 2001 dhe deri në vitin 2009, personi është trajtuar në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve (Spitali i burgut), Tiranë. Më pas është transferuar për të zbatuar masën mjekësore në burgun e Krujës, Institutin e Ekzekutimit të Vendimit Penal, Zahari.
“Nga viti 2000-2009 ishte pa mjekime të rregullta, pa medikamente të rregullta, pa kushte të mira. Si përfundim, të sëmurët që ishin të pamjekuar, e goditën duke i dëmtuar syrin me grusht, me cigare në sy. Vëllai do ishte kuruar që në atë moment që u godit, që iu dogj syri, do ishte mirë”, – tha familjari i zhgënjyer nga institucionet.
Kjo familje, e cila prej më shumë se dy dekadash pret në stolat e oborrit të spitaleve dhe burgjeve për ta transferuar familjarin në një institucion të posaçëm rehabilitues, i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duke pretenduar që familjari i tyre është diskriminuar për shkak të përkatësisë në një grup të veçantë.
“Ne kemi pasur trajtim çështjesh, të cilat kryesisht lidhen me personat që kanë kryer vepër penale dhe që janë certifikuar që janë të ‘papërgjegjshëm’ për veprën që kanë bërë, por padrejtësisht mbahen nëpër burgje”, – u shpreh Komisioneri Gajda.
Pas shqyrtimit të rastit, Komisioneri konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të “përkatësisë në një grup të veçantë” dhe të “aftësisë së kufizuar” nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe vendosi që kjo e fundit, bashkë më Ministrinë e Drejtësisë të marrin të gjitha masat e nevojshme për përshtatjen e ambienteve të IVSH Tiranë dhe dy godinave 4 dhe 5 në IEVP Lezhë për akomodimin e shtetasve me vendim gjykate me masë mjekësore “Shtrim i detyruar në një institucion psikiatrik”, si një institucion i posaçëm mjekësor.
Më 30 prill 2024 me urdhër të Kryeministrit, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë ka pësuar ndryshime në strukturë duke u bërë Institucion Mjekësor i Posaçëm, IEVP Lezhë. Sipas raporteve nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, institucionet shqiptare në mënyrë të vazhdueshme që prej vitit 2000 e në vazhdim, në kundërshtim me ligjin i kanë mbajtur pacientët me probleme të shëndetit mendor në Qendrën Spitalore të Burgut dhe Burgun e Krujës nën kushte që konsiderohen çnjerëzore dhe poshtëruese.
GJYKATA EUROPIANE
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka ndëshkuar dy herë shtetin shqiptar për trajtimin e pacientëve të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Konkretisht, Shqipëria ka humbur dy gjyqe, një në vitin 2009 “D kundër Shqipërisë” dhe “S kundër Shqipërisë”, ku në të dyja rastet janë dëmshpërblyer pacientët e prekur nga paaftësia e shtetit shqiptar. Sipas Gjykatës Europiane, ka pasur një dështim të gjatë nga institucionet shqiptare për të ngritur një institucion mjekësor të posaçëm. Madje, në rastin e “D kundra Shqipërisë”, gjykata pohon se pacienti është trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shkelje të nenit 3 të Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Në këtë drejtim, mbyllja e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor në institucione të veçanta brenda sistemit të burgjeve, përbën dhunim të rëndë të të drejtave të tyre, duke i vendosur ata në një formë të përjetshme të mohimit të lirisë. Por gjendja e papërgjegjshmërisë të atyre që janë kronikë mund të zgjasë gjatë gjithë jetës dhe si rrjedhim edhe izolimi në institucione do të ishte i përjetshëm. Madje, prania e hekurave dhe rojeve të armatosura krijon një atmosferë shtypëse, jo të favorshme për natyrën e një mjedisi rehabilitues. Një rast tjetër lidhet edhe me vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ka përfunduar në Gjykatën Europiane. Në vendimin e saj në çështjen “S kundër Shqipërisë” përmenden edhe pretendimet për shkeljen e nenit 3 të Konventës për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) i cili parashikon se “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”. Gjykata konstatoi se z. “S”, subjekt i një vendimi gjyqësor i urdhëruar për trajtim të detyrueshëm spitalor, iu nënshtrua një trajtimi çnjerëzor dhe degradues për shkak të kushteve të këqija në Spitalin e Burgut të Tiranës, ku ishte i burgosur që nga viti 2011. “Ne kemi pasur trajtim çështjesh, të cilat kryesisht lidhen me personat që kanë kryer vepër penale dhe që janë certifikuar që janë të ‘papërgjegjshmen’ për veprën që kanë bërë, por padrejtësisht mbahen nëpër burgje”, – tha për “Vetting” Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. Sipas vrojtimeve që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kryer në vitin 2024, rezulton se në këtë institucion ndodhen të akomoduar 446 shtetas, të cilët rehabilitohen nga 53 punonjës mjekësorë. Për këta pacientë, gjykata ka vendosur masën mjekësore “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, duke iu mohuar shërbimin mjekësor sipas protokollit të miratuar të çrregullimeve të shëndetit mendor. Psikiatrja Arjana Rreli u shpreh se: “Do ishte shumë më efektive puna në qendrat tona, nëse siç thashë, do të kishim edhe struktura të tjera, do të relaksonin disi edhe punën e personelit”. Njëkohësisht ndesh me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar bie edhe Ministria e Drejtësisë, e cila mban në institucionet në varësi të saj, në mënyrë të paligjshme shtetas me kufizime të aftësisë mendore.
Familjari i këtij pacienti, i cili ka kaluar mbi dy dekada nëpër institucione që ia kanë përkeqësuar gjendjen, shpreh kërkesën e tij: “Unë kërkoj nga institucionet e shtetit, nga seancat më të larta që ka shteti që vendimi i formës së prerë i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, largimin e menjëhershëm të vëllait nga burgu i Shënkollit drejt një spitali psikiatrik të specializuar, të realizohet vendimi i gjykatës”. Gjykata e Strasburgut në çështjen “S kundër Shqipërisë” konstatoi se autoritetet shqiptare kanë dështuar në ngritjen e një institucioni për trajtimin e personave me çrregullime mendore, të cilët janë privuar nga liria për shkak të trajtimit të detyrueshëm mjekësor të urdhëruar nga gjykata vendëse. Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare të vitit 2020, shteti shqiptar duhet t’i paguajë 15 mijë euro pacientit, precedent ky që i hap rrugën të gjithë pacientëve që janë nën këto masa të marrin dëmshpërblim nga shtetit, kur shumë mirë mund të investohet për të krijuar një institucion të posaçëm.
DËSHTIMI I MINISTRIVE
Në vitin 2018, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar Komisionerin se është duke realizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë për ndërtimin e një institucioni që kujdeset për personat e rrezikshëm me probleme të shëndetit mendor. Zgjidhje shteruese e këtij problemi do të ishte ngritja dhe funksionimi i një Institucioni Mjekësor të Posaçëm. Por sa janë në vëmendje të institucioneve që përdorin politika parandaluese, për t’i shërbyer jo vetëm njerëzve me probleme, por edhe për të frenuar shtimin e këtyre rasteve? “Vetting” ka investiguar institucionet që duhet të merren me trajtimin e të sëmurëve mendorë, që duhet theksuar shpeshherë i hasim edhe në rrugë, pasi largohen nga institucionet apo shtëpitë e tyre të pashoqëruar. Madje, ka pasur raste që të sëmurët të shëndetit mendor, janë lënë nëpër shtëpitë e tyre, pa marrë trajtimin e duhur e për pasojë në mënyrë të pavetëdijshme kanë kryer vepra penale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni përgjegjës, i cili duhet të sigurojë kujdesin shëndetësor, sigurimin e një mjedisi social të përshtatshëm për personat me çrregullime të shëndetit mendor.
Kushtet “shkel e shko”
Spitalet psikiatrike janë një mjedis kyç ku pacientët e shëndetit mendor mund të rehabilitohen dhe të marrin mjekimin e duhur nga mjekë të specializuar. Por a i marrin këta pacientë të gjitha shërbimet e nevojshme? Në Shqipëri ka katër spitale psikiatrike, Spitali psikiatrik në Qendrën Spitalore Kombëtare “Nënë Tereza” (QSUNT), Spitali Psikiatrik Elbasan, Spitali Psikiatrik i Vlorës dhe Spitali Psikiatrik i Shkodrës. Spitali Psikiatrik “Xhavit Gjata” ndodhet në Tiranë dhe në këto ambiente janë të ndara 74 shtretër për të rriturit dhe 15 shtretër të shërbimit të psikiatrisë për fëmijë. Ky spital prej vitesh është përballur me vështirësi financiare dhe investimesh, duke e bërë shërbimin jo cilësor për pacientët. EKG në vitin 2018 ka qenë jashtë funksionit prej më shumë se dy vitesh, por edhe shërbimet sikurse dhe ai stomatologjik, laboratorik klinikbiokimik dhe ekzaminimet imazherike, ofrohen pjesërisht nga shërbimi i neurologjisë dhe nga shërbime të specialiteteve përkatëse në QSUT.
******
Një nga kompanitë që kanë ndenjur në hije është ajo e kontejnerëve, që është marrë me ngarkesat që supozoheshin të shkonin në Tajlandë.
Në monitorimin e vitit 2018 rezulton se spitali psikiatrik “Sadik Dinçi”, Elbasan, ka një kapacitet prej 310 shtretërish dhe pavarësisht popullsisë së zonës së mbulimit, ku përfshihen qarqet Elbasan, Durrës, Korçë dhe Lushnjë, duket se edhe në vitin 2024 nuk është shtuar asnjë shtrat, duke e lënë numrin maksimal të kapacitetit 310 pacientë, 50 prej të cilëve janë të akomoduar duke krijuar probleme të mbipopullimit të spitalit dhe mungesës së shërbimeve. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet që spitali psikiatrik i Elbasanit dhe ai i Vlorës nuk kanë arritur të zgjidhin problemet e pacientëve rezidentë kronikë të vendosur pranë këtyre dy spitaleve, nuk kanë rishikuar rregulloret, nuk kanë garantuar fonde dhe infrastrukturën e nevojshme për akomodimin e pacientëve.
FONDET, NËN DYSHIME PËR KORRUPSION
Teksa të drejtat e njeriut shkelen pasi qeveria shqiptare pretendon ose është e paaftë të sigurojë fonde për të ndërtuar një institucion të posaçëm për këta persona, fondet për tenderat tregojnë se mungesa e parave është një pretekst për t’i spostuar diku tjetër. Kontratat publike që kanë tërhequr vëmendjen e “Vetting” janë tenderat për ngrohjen dhe lavanderinë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Disa nga tenderat që janë fituar nga kompania “FA & BI” shpk në pronësi të Vasil Fanit kanë pasur mungese gare dhe indicie për favorizim sipas “Openprocurement.al”. Në prill 2019, kjo kompani ka marrë pjesë në tenderin “Blerje lënde djegëse për ngrohje (briket pellet) marrëveshje kuadër, të cilin e ka fituar me ofertën 18,8 milionë lekë ose 19 mijë euro duke i siguruar mbrojtje për 24 muaj spitalit psikiatrik të Elbasanit.
Në garë mori pjesë edhe kompania “Sulollari -Klima”, e cila nuk bëri ofertë ekonomike duke u shpallur automatikisht fituese “FA & BI” shpk. Një tender tjetër që ka dyshime për favorizim për të njëjtën procedurë është lidhur me tenderin e shpallur në 19 janar 2018. Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, kjo marrëveshje kuadër me afat 12-mujor është anuluar, sepse asnjë nga ofertat ekonomike nuk plotësonte kushtet për të fituar tenderin Në 21 shkurt 2018 rishpallet thirrja për tenderin duke i fituar përsëri nga kompania “FA & BI” shpk në pronësi të Vasil Fanit, e cila kishte përsëri si konkurrent kompaninë “Sulollari-Klima” shpk, që nuk bëri ofertë ekonomike. Ka qenë Avokati i Popullit që ka tërhequr vëmendjen për kushtet e ngrohjes në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan. Sipas raportit të publikuar në shtator 2018, në këtë spital nuk ka ngrohje për pacientët. Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se për këtë periudhë tenderat janë fituar nga kompania “FA & BI” shpk. Në disa nga kontratat për ngrohjen theksohet se kompania nuk duhet të sigurojë vetëm materialet për ngrohje, por duhet të ketë edhe 3 kaldaja paleti që do të instalohen edhe te dy qendrat e tjera në varësi nga vetë kompania, për të mbuluar nevojat e 350 pacientëve në spital. Por teksa kontratat publike për ngrohjen nuk sigurojnë ngrohje për pacientët, janë tenderat e lavanderisë, ata që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha me higjienën dhe mënyrën se si janë realizuar procedurat për përfitimin e kontratave të majme publike.
TENDERIMI
Në 13 korrik 2020, Spitali Psikiatrik i Elbasanit hapi thirrjen për tenderin “Shërbim Hotelerie dhe Lavanderie për Spitalin Psikiatrik Sadik Dinçi Elbasan dhe qendrat në varësi” marrëveshje Kuadër me fond limit 158 milionë lekë. Në tender do të merrnin pjesë disa kompani, por fitues u shpall kompania “ABI’S” shpk ish “Devis” në pronësi të Kristinka Leka me ofertën 157 milionë lekë ose 1.5 milionë euro për 48 muaj. Tenderi përfundoi në Komisionin e Prokurimeve Publike pasi kompania “Sanitary Cleaning” shpk bëri ankesë për arsyet e shkualifikimit. Gara u shënua me flamur të kuq nga “Openprocurement.al” sepse Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shkualifikoi të gjitha kompanitë konkurruese, si edhe ofertën më ekonomike nga “Sanitary Cleaning” shpk duke e shpallur automatikisht fituese “ABI’S” shpk ish “Devis”.
Por, pse jemi ndalur te tenderat e lavanderisë? Përveç indicieve për korrupsion dhe favorizim, sipas raportit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për periudhën mars-qershor 2018, në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, u vërejt se pacientët kronikë të akomoduar në Pavionet IV dhe V nuk kishin kushte të mira të higjienës personale. Edhe në këtë periudhë, Spitali kishte lidhur kontratë me “ABI’S” shpk “Ish Devis”, për periudhën 2016-2020 me vlerë 125 milionë lekë. Ky tender do të shfaqte indicie për garë të paracaktuar, pasi morën pjesë edhe 4 kompani të tjera, nga të cilat asnjëra nuk bëri ofertë duke u shpallur automatikisht fituese “ABI’S” shpk. Në 29 korrik 2024 ky spital shpalli fituesin pa njoftim për kompaninë “ABI’S” shpk në pronësi të Kristinka Lekës, për kontratën me negocim “Shërbimi Lavanderisë dhe Hotelerisë” me vlerë 9.7 milionë lekë ose 97 mijë euro. Edhe ky tender u shënua me flamur të kuq pasi këto procedura janë kritikuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike sepse nuk kanë pasur kushte emergjence dhe rrjedhimisht ka dyshime për korrupsion.
Megjithatë skandali në këtë rast lidhet me faktin se në 31 dhjetor 2020 i njëjti spital ka lidhur kontratën për 48 muaj për shërbime lavanderie deri në fund të dhjetorit 2024 me të njëjtën kompani, ndërkohë që duke pasur një kontratë paralele me “ABI’S” shpk ka lidhur një kontratë 3-mujore, e cila dyshohet se është një procedurë antiligjore. Por ky është vetëm njëri nga problemet sepse në 16 shtator 2024, ky spital shpalli fitues përsëri për tenderin “Shërbim i Lavanderisë dhe hotelerisë për Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” Elbasan dhe qendrat në varësi të tij” me vlerë 311 milionë lekë ose 3.1 milionë euro me afat 48 muaj për Marrëveshjen Kuadër kompaninë “ABI’S” shpk ish “Devis”.
Në garë nuk mori pjesë asnjë kompani përveç kësaj të fundit, e cila u shpall automatikisht fituese. Megjithatë duke krahasuar vlerat monetare për tre tenderat, atë të vitit 2020 me vlerë 157 milionë lekë për 48 muaj, tenderin 3 mujor me vlerë 9.7 milionë lekë dhe tenderin e vitit 2024 me vlerë 311 milionë lekë për 48 muaj zbulon se shifrat kanë ndryshime të rëndësishme. E njëjta marrëveshje për vitin 2020 dhe 2024 është dyfishuar në vlerë, të cilën nëse e marrim mesatarisht rezulton se vlera mujore nga 3.2 milionë lekë ka shkuar në 6.4 milionë lekë. Por në tenderin e emergjencës 3 mujore, vlera mesatare mujore në vitin 2024, në të njëjtin tender që është realizuar së fundmi rezulton 3.2 milionë lekë, sa vlera e tenderit të 2020.