Kushtetuesja rrëzon nenin “Balla”, synonte krijimin e monopolit të medias

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar nenin e ligjit të ri për mediat audiovizive që lejonte një person të zotëronte më shumë se 40% të pronësisë së një subjekti mediatik. Heqja e këtij kufiri u propozua nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke ngjallur debate në ambientin mediatik, por edhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar. Por gjykata vendosi se asnjë prej pronarëve të subjekteve mediatike nuk mund t’i lejohet zotërimi i më shumë se 40% të aksioneve.
Kundërshti mbi këtë amendament shprehën edhe Këshilli i Evropës, si prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Këshilli i Evropës iu drejtua Komisionit parlamentar të Medias me shqetësimin për këtë amendament ku, sipas saj, prekte pluralizmin e medias.
Po ashtu, përfaqësuesja për Lirinë e Medias në OSBE, Dunja Mijatoviç, në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit, theksoi se heqja e nenit 62 do të ketë ndikim shumë negativ për lirinë e medias në Shqipëri.
Ankimi si antikushtetues ishte bërë në gjykatë nga Shoqatat e Mediave Elektronike të Shqipërisë, me argumentin se cenon lirinë e pronës dhe barazinë para ligjit. Gjatë seancës së shqyrtimit në Gjykatë Kushtetuese kërkesa e shoqatës, u mbështet dhe nga Autoriteti i Mediave Audivizive.
Delegacioni i Bashkimi Europian në Tiranë hodhi poshtë i skandalizuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë, për të shfuqizuar një nen në ligjin në lidhje me pronësinë e medias. Përmes një letre që mban datën 26 maj 2015, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i është drejtuar me anë të një letre ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ku i kërkonte mbështetje dhe asistencë teknike për ndërhyrjen në një nen të ligjit për mediat, përkatësisht në nenin që ka të bëjë me pronësinë e mediave. Bëhet fjalë për nenin 62, i cili përcakton kufizime për pronësinë e medias duke rregulluar numrin e licencave që mund të mbajë një operator i vetëm; si pasojë, shfuqizimi i tij duket se do të hapë derën për pronarët e disa mediave për të marrë më shumë licenca kombëtare. Kërkesa e Metës konsistonte pikërisht në shfuqizimin e këtij neni, synimi i të cilit është shkatërrimi i lirisë të mediave. Pra, shfuqizimi i këtij neni mund të përbëjë një problem për pluralizmin e medias duke krijuar terren për monopole radiotelevizive. Por kjo kërkesë e Metës ka sjellë një reagim të ashpër të ambasadores Vlahutin.
Pak javë më vonë, në përgjigje të letrës së Metës, ambasadorja Vlahutin jo vetëm që i refuzon Metën asistencën teknike, por shpreh kritika të forta në emër të Bashkimit Europian lidhur me përpjekjet për të monopolizuar mediat. Në letrën drejtuar Metës, Vlahutin shpreh shqetësimin serioz për cenimin e pluralitetit të mediave në vend, si dhe nxitjen përmes këtij ligji të një instrumenti klientelist në fushën e mediave. “Në përgjigje të kërkesës suaj, të datës 26 maj 2015 ku kërkoni që Delegacioni i Bashkimit Europian t’u mundësojë asistencë teknike në lidhje me një amendament të miratuar në muajin prill në Parlament, me qëllim të shfuqizoni kufizimin e pronësisë për të gjitha mediat audiovizuale, dëshiroj t’iu shpreh shqetësimin serioz në lidhje me efektin që do të sjellin ndryshime të tilla në pluralizmin dhe mediat në Shqipëri”, shprehet Vlahutin. Duke renditur me shqetësim efektet dhe synimet negative të këtij propozimi të Metës, Vlahutin shkruan se Bashkimi Europian nuk mundet që të mbështesë dhe japë ndihmën e tij për një ligj, i cili shkon kundër standardeve dhe parimeve të BE. Ndaj dhe ajo bën thirrje duke kujtuar edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë që të respektohet ligji siç është aktualisht i parashikuar në ligjin e medias. “Bashkimi Europian nuk mund t’iu mundësojë asistencë në amendamentet që janë kundër standardeve të Bashkimit Europian dhe praktikave më të mira. Ashtu siç edhe theksohej në letrën e Michaela Matuella, shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, Komisioni Europian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë kufizimin e pronësisë ashtu siç parashikohet nga Autoriteti i Medias Audiovizive”, shkruan Vlahutin.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 13.05.2016 shqyrtoi çështjen me palë:
Kërkues: Shoqata e Mediave Elektronike shqiptare
Subjekte të interesuara: Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Objekt:  Shpallja si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 62, pika 3 të Ligjit nr. 97/2013, datë 04.03.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, në mbështetje të nenit 131/a dhe 134/f të Kushtetutës, si dhe të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
Vendosi:
– Pranimin  e kërkesës.
– Shfuqizimin e nenit 62/3 të Ligjit nr. 97/2013, datë 04.03.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji u kundërshtua fort nga opozita dhe ndërkombëtarët

Përpjekjet e mazhorancës për të ndryshuar ligjin e medias me qëllim krijimin e monopoleve në fushën mediatike ngritën shqetësime tek ndërkombëtarët. Këshilli i Europës dhe OSBE i kanë kërkuar qeverisë të ketë kujdes me shfuqizimin e nenit 62 të Ligjit të Medias, kërkesë kjo e bërë nga mazhoranca përmes deputetit Taulant Balla. Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, deklaroi në një reagim të saj se Shqipërisë nuk i duhet heqja e këtij neni, duke dhënë mesazhe të qarta që politika të mbajë duart larg nga media. KiE dhe OSBE kanë qenë të qartë dhe të prerë në kërkesën e tyre që autoritetet shqiptare të bëjnë kujdes për shfuqizimin e nenit 62 të Ligjit të Mediave Audivizuale. Kreu i zyrës së Këshillit të Europës, Marco Leidekker, tha se heqja e këtij ligji do të përqendrojë median në duart e disa pronarëve dhe autoritetet vendase duhet të kenë parasysh ekspertizën ndërkombëtare. “Duhet të rishikohet me kujdes neni 62 i Ligjit të Medias. Në këtë ligj rregullohet licencat dhe pronësia. Heqja e kufizimeve të pronësisë mund të sjellë përqendrim të mediave në duar të pak personave. KiE dhe OSBE do të ofrojnë mbështetje teknike”. Mesazhe të qarta ka përcjellë edhe Dunja Mijatoviç, përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias. Ajo tha se, Shqipërisë nuk i duhet shfuqëzimi i këtij neni, duke i kërkuar politikës të mbajë larg duart nga media. “Zbatimi i ligjit nuk duhet të kufizojë lirinë e medias, këtë duhet ta shmangim. Nxjerrjen e ligjit që kufizon lirinë nuk dua ta shoh në Shqipëri, sepse mediat duhet të bëjnë punën e tyre profesionale. Politika larg duart nga media, sepse nëse një media nuk është e pavarur do të thotë se nuk ka oksigjen”. Kryetari i Komisionit kuvendor të Medias, Genc Pollo, cilësoi nga ana e tij se heqja e këtij neni është dhunim i ligjit të medias për të krijuar monopole. “Nëse pjesa e tregut e marrë nga katër TV më të mëdha është më e madhe se 50% quhet me risk të lartë. Nëse zaptimi i këtyre frekuencave aprovohet zyrtarisht, atëherë ky studim do të duhet të sajojë një kategori të re për Shqipërinë në mënyrë të veçantë”, tha Pollo.

Exit mobile version