Kushtetuesja shqyrton më 6 tetor, shfuqizimin e ligjit për taksat vendore

Gjykata Kushtetuese ka vendosur datën 6 tetor për zhvillimin e seancës ku do të dëgjojë pretendimet për papajtueshmërinë e taksave vendore që kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Pala kërkuese është Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut, ndërsa subjektet e interesuara Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi. Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet për objektin: Shfuqizimi i ligjit nr.142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”. Kërkesa e Shoqatës së Tregtarëve u pranua për t’u shqyrtuar në muajin korrik nga trupa e togave të zeza, të institucionit më të lartë të drejtësisë në vend.
Pjesa më e madhe e argumenteve lidhet me gjenden që ka krijuar te biznesi zbatimi i këtyre ndryshimeve. (Kujtojmë këtu shumëfishimin e taksës për zënien e hapësirës, dyfishimin e taksave të pastrimit, si dhe vendosjen e taksës së re të përkohshme të infrastrukturës në arsim, që biznesi e pagoi për çdo NIPT sekondar). Shoqata, në kërkesëpadinë e saj argumenton se: “Rritja e taksave vendore është jo vetëm dispropocionale, por vjen në kundërshtim të hapur me parimin e aftësisë paguese, i cili shprehet në mënyrë implicite në nenin 155 të Kushtetutës. Në këtë mënyrë, bazuar në parimet makroekonomike si dhe paketat fiskale, niveli i taksave duhet t’i përshtatet dhe t’i përafrohet sa më shumë treguesve të zhvillimit të vendit. Nëse në masën prej 95% të treguesve makroekonomikë kemi rënie të ndjeshme, nuk mund të rritet niveli i tatim-taksave”.
Në janar të këtij viti, Bashkia rriti ndjeshëm taksat vendore, ku u 10-fishua ajo e zënies së hapësirës dhe u dyfishua taksa e pastrimit, ndërkohë që u vendos dhe një taksë e re ajo e infrastrukturës arsimore. Ndonëse Bashkia u tërhoq për taksën e zënies së hapësirës, tarifat e tjera mbetën të larta. Në muajin maj të po këtij viti, Shoqata e Tregtarëve çoi po në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e Bashkisë së Tiranës për taksën e përkohshme të infrastrukturës në arsim. Kjo pasi taksa e arsimit filloi t’u fatirohet bizneseve për çdo NIPT sekondar, çka bëri që disa biznese si rrjete supermaketesh, apo kompani tregtimi nafte të paguanin nga 50-80 mjë euro vetëm për këtë tarifë. Biznesi ka një histori suksesi në lidhje me ankesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, duke kujtuar këtu shqytimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ndryshimeve në Procedurat Tatimore që kishin të bënin me “8 supergjobat”.

Artikulli paraprakShqiptarët kryesojnë listën e azilkërkuesve në Islandë
Artikulli tjetërHec- i Banjës investim i PD, droga dhe plehrat të Ramës