Kushtetuta 25 vjeç, ka 15 vite që ‘’ecën e vdekur’’

Nga Ervis Iljazaj

Megjithëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë bën 25 vite nga miratimi me referendum i saj, në nëntor të vitit 1998, është e qartë se nga struktura politiko-institucionale ka mbetur pak ose aspak. Në thelb, që nga ndryshimet kushtuese të 2008-s me marrëveshjen Rama-Berisha, mund të thuhet se ajo kushtetutë nuk ekziston më, ose është një Kushtetutë që ‘’ecën e vdekur’’.

Ndryshimet e 2008-së, si pasojë e një marrëveshje politike bazuar në interesin e liderve të asaj kohe dhe jo në interesin publik, ndër të tjera të hartuara brenda natës, rrëzuan themelet e ekuilibrave kushtetues që ishin vlera kryesore e saj, të paktën në tre drejtime.

E para, krijoi partitë politike të kryetarit. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor, vitet që pasuan treguan se kaluam në një kryetaro-kracia apo në një personalizim të jetës politike. Ky ndryshim rezultoi i dëmshëm për demokracinë e re përfaqësuese të Shqipërisë. Kushtetuta e 1998 i jep një rol të rëndësishëm partive politike brenda rendit kushtetues. Mirëpo, këtë rol ja ka dhënë duke patur parasysh organizmin demokratik të tyre, ashtu sikurse përcakton vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kjo garanci e funksionimit demokratik të partive, me ndryshimin e 2008-s ka rënë, dhe si pasojë, ka rënë themeli i kryesor i demokracisë përfaqësuese dhe rolit shumë të rëndësishëm që partitë politike kanë. Në këtë mënyrë partitw politike nga institucione garantuese, tashmë janë kthyer në institucione uzurpuese të rendit kushtetues. Ndryshimet kushtetuese të 2008-s, praktikisht kanë ndërtuar një regjim partitokratik, ndër të tjera një partio-kraci pa parti, duke qenë se ato nuk ekzistojnë më si institucione demokratike por si institucione private të një njeriu.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=674&loc=https%3A%2F%2Fliberale.al%2Feditorial nga ervis iljazaj kushtetuta 25 vjec ka 15 vite qe ecen e vdekur%2F&referer=https%3A%2F%2Fliberale

E dyta, ndryshimet kushtetuese të 2008-së që ndryshuan mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga mazhorancë e kualifikuar më mazhorancë absolute, ulën ndjeshëm rolin e institucionit të Presidentit si garant i unitetit popullor dhe si garant i ekuilibrave institucional, i cili është aty pikërisht për të garantuar rendin kushtetues në emër të unitetit të Republikës dhe parimeve të saj. Presidenti i Republikës në republikat parlamentare, ashtu sikurse është Shqipëria, nuk ka kompetencë në asnjë nga pushtetet legjislativ, ekzekutiv apo gjyqësor. Por Kushtetuta i jep mundësi që nëpërmjet dekreteve të marrë pjesë në ushtrimin e të trejave këtyre pushteteve. Kjo pikërisht për të ruajtur ekuilibrat midis pushteteve. Mirëpo, që nga 2008, kur Presidenti është shprehje e vullnetit të mazhorancës, ose ka krijuar presidentë tërësisht të varur nga mazhoranca, ose në rastin tjetër tërësisht konfliktual me mazhorancën. Në të dyja rastet, ka krijuar presidentë që nuk mund ta ushtrojnë rolin dhe misionin që Kushtetuta u ngarkon.

E treta, ndryshimet kushtetuese të 2008-së dhe zhvillimet politike që e pasuan sollën zgjerimin e pushtetit të ekzekutivit në raport me parlamentin dhe institucionet e tjera. Aq më tepër kjo është problem, kur në Shqipëri nuk votojmë për pushtetin ekzekutiv, por vetëm për legjislativin. Në thelb parlamenti sot është kthyer në një organ ratifikues të qeverisë dhe kryeministrit, duke prishur kështu të gjithë filozofinë e formës së qeverisje parlamentare.

Të tre këto elementë dhe deformime nga Kushtetuta origjinale e 1998, praktikisht kanë prishur themelet e një demokracie kushtetuese përfaqësuese. Në bazë të demokracive  kushtetuese janë organizmi demokratik i partive politike, ndarja e pushteteve dhe ekuilibri kushtetues midis tyre, kufizimi i pushtetit të qeverisë dhe shmangja e tiranive të mazhorancës. Pa këto tre elementë sot demokracia shqiptare ngjan më shumë si demokracitë e shekullit të kaluar, ku ekziston parimi i qeverisjes së mazhorancës dhe procedurat formale të saj, por mungonin të gjitha garancitë e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut si liritë politike, sociale, ekonomike apo personale si dhe garancia e ndarjeve të pushteteve. Mungonte pra, ajo që sot quhet demokracia kushtetuese. Mungesë e cila solli instalimin e shumicës së regjimeve totalitare të shekullit të kaluar, të cilat erdhën në pushtet në shumicën e rasteve nëpërmjet votës popullore. Në këtë kuptim, është urgjente domosdoshmëria që në Shqipëri të fillojë debati për  konceptimim e një kushtetutë të re, e cila të ketë parasysh rikuperimin e parimeve të demokracive kushtetuese europiane, sa nuk është ende vonë.

/Liberale.al/

Artikulli paraprakÇaji që djeg dhjamin edhe kur jeni ulur, mjaftojnë dy filxhanë në ditë!
Artikulli tjetër“Lulëzojnë” postat private në Korçë, në 24 orë shpërndahen 1500 porosi