Kuvendi i Berishës, Karabina: Bëhet për të kundërshtuar drejtësinë, jo në interes të demokratëve

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina thotë se Kuvendi i 2 Dhjetorit që do të mbahet nga ish kryeministri Sali Berisha, bëhet për të penguar drejtësinë dhe nuk është në interes të demokratëve.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Karabina u shpreh se Berisha është në hall, për shkak të hetimeve të SPAK ndaj tij.

“Në fakt, Partia Demokratike ka bërë Kuvendin e 2 shtatorit, ku ka analizuar gjithçka. Ka një rezolutë mbi bazën e së cilës funksionon Partia Demokratike, ka një qasje euroatlantike, që ecën përkrah aleatëve. Kuvendi nesër, është kuvend jo në interes të demokratëve, në kundërshtim me drejtësinë, një përpjekje për t’i treguar mesazhe, drejtësisë, SHBA. Besoj se demokratët janë të zhgënjyer. Çdo gjë që është thënë këto dy vite nuk është mbajtur”, theksoi ajo.

Në lidhje me mos prezencën e deputetëve të Partisë Demokratike në seancën për votimin e buxhetit, Karabina deklaroi se në sallë nuk u zhvillua seancë, por kishte zjarr e flakë, të shkaktuar nga Rithemelimi.

Sipas saj, buxheti 2024 është oligarkik dhe jo për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Fatkeqësisht në periudhën që ishte kalimi i buxhetit, kemi minim të këtyre seancave të grupit të Rithemelimit dhe një grupi deputetësh. Munguam sepse në sallë nuk kishte normalitet, ishte zjarr e flakë. Qeverisja e kaloi shumë lehtë, pa dhënë llogaridhënie. Buxheti nuk është i vogël, është 7 miliardë euro. Nuk do të shkojë në përmirësim të jetës së qytetarëve. Do të kemi ekonomi oligarkike. Patjetër që do të ketë jetë parlamentare. Foltorja nuk ka për qëllim të pengojë mazhorancën, janë bashkë. Në hall të madh, të frikësuar nga hetimet. Vetëm kur të fillojë ndëshkimi i politikanëve të lartë, kushdo, jo vetëm zoti Berisha, kushdo që ka abuzuar. Për herë të parë, drejtësia është e shkëputur nga politika, prandaj kanë frikë politikanët shqiptarë”, tha Karabina.

Exit mobile version