Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës zhvilloi seancën e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë, mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në hapje të seancës ka thënë se ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë është i papranueshëm dhe e ka cilësuar si “sulm të drejtpërdrejtë mbi lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës”.
“Kosova është shtet i pavarur dhe qytetarët e saj nuk mund të ndalohen me urdhërarrest të Serbisë, të cilat, si të tilla, nuk kanë asnjë bazë ligjore”, ka thënë Lekaj.
Ai e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e autoriteteve gjyqësore të Francës për ta ndaluar zotin Haradinaj në bazë të fletarrestit nga Serbia, për krime të pretenduara, për të cilat Haradinaj është shpallur i pafajshëm në dy procese gjyqësore në tribunalin për krime lufte në Hagë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se qeveria e Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se fletarrestimet nga Serbia për qytetarët e Kosovës janë tërësisht të paligjshme dhe të padrejta, si dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe më gjerë.
Mustafa ka thënë se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë transmetuar tek autoritetet e shtetit të francez se fletarrestet e Serbisë janë të paligjshme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe se juridiksioni i Serbisë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës ka pushuar zyrtarisht në qershor të vitit 1999.

Artikulli paraprakEkipi i Trump: Soros kërcënim për sigurinë kombëtare
Artikulli tjetërPikëpyetjet e arrestimit të Haradinajt