Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë të enjten një seancë të jashtëzakonshme për, siç thuhet, mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me nismën e Partisë Demokratike, seanca është mbështetur edhe nga një numër i caktuar deputetësh dhe më pas është aprovuar nga Kryesia e këtij institucioni.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se kryesia ka shqyrtuar një kërkesë të Grupit parlamentar të PDK-së, lidhur me situatën e krijuar në rastin “Drenica II”. “U dakorduam që të enjten të mbajmë seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00 për të diskutuar për vlerat e luftës”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq, PDK, përmes një komunikate thotë se po përcjell me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica.
“Në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UҪK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.