Kuvendi: Menaxhimi i ujësjellësve i përkeqësuar, rritja e tarifave pa ndikim

Kuvendi i Shqipërisë konstaton se në vitin 2015 të treguesit kryesorë të performancës në sektorin Ujësjellës kanalizime nuk kanë shënuar progres dhe shoqëritë nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të arritur objektivat. Vlerësimi negativ i Kuvendit për menaxhimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve ka ardhur pas shqyrtimit të veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin që kaloi.

Kuvendi ka vënë në dukje se shoqëritë të cilave ju është miratuar ndryshimi i tarifave, përgjithësisht nuk kanë arritur objektivat e përcaktuara për Treguesit Kryesorë të Performancës (TKP). Megjithë marrëveshjen e mirëkuptimit te nënshkruar në 2014 mes ERRU-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institutit të Shëndetit Publik, mbi cilësinë e ujit të pijshëm, monitorimi dhe raportimi i cilësisë së ujit të pijshëm nuk është arritur, referon Kuvendi në projektrezoluten drejtuar Entit Rregullator të Ujit.

Shlyerja e detyrimeve të operatorëve UK ndaj ERRU-së është përkeqësuar krahasuar me një vit ë parë, ndërsa niveli i mbulimit të kostove dhe tendenca e këtij treguesi, krahasuar me një vit më parë, nuk është pozitive, vlerëson Kuvendi. Më tej konstatohet se, mbulimi i kostove vetëm përmes rritjes së tarifave dhe pa një përmirësim të perfomancës ka sjellë efekte negative me ndikim të drejtpërdrejtë tek konsumatorët

Mungesa e furnizimit të vazhdueshëm vijon të mbetet problem shqetësues, duke ndikuar edhe në cilësinë e ujit. Për të përmirësuar situatë Kuvendi i sugjeron ERU-së që për vitin 2016 të tregohet më efikase dhe më e kujdesshme në politikën e miratimit të rritjes së tarifave duke e parë atë të lidhur ngushtë me rritjen e performacës së operatorëve, uljes së shpenzimeve, rritjen e efikasitetit menaxhues dhe përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorit.

Në veprimtarinë e saj të synojë një analizё individuale të operatorëve në lidhje me objektivat e vënë, duke u fokusuar në elementët problematike të tyre dhe sugjeruar zgjidhje të mundshme. “Duke patur parasysh qe humbjet menaxheriale te ujit janë nё nivele pothuajse tё njëjta me ato teknike, nëpërmjet instrumenteve dhe strategjive rregulluese ERU duhet të kërkoje nga shoqëritë UK një menaxhim më të mirë të shërbimit të furnizimit me ujë” sugjeron Kuvendi. Përmes politikave të licencimit e atyre tarifore, Kuvendi i sugjeron ERU, të kërkoje nga shoqëritë UK hartimin e planeve të biznesit ku në fokus të veçantë të jenë investimet në zonat e pambuluara me shërbime UK, në mënyrë që në të gjithë territorin të ofrohet shërbim i rregulluar e me standarde të njëjta.

Exit mobile version