Në javën e tretë pas tërmetit, banorët e Durrësit kanë nisur të revoltohen kundër asaj që e cilësojnë si braktisje dhe sjellje e papërgjegjshme e qeverisë dhe e bashkisë.
“Banesa ime është e pabanueshme, por askush nuk ka ardhur prej 10 ditësh të na thotë çfarë të bëjmë”- tha një grua e moshuar. Të njëjtin shqetësim e kishin edhe banorë të tjerë, të cilët treguan se në bashki I kanë nxjerrë jashtë pa u dhënë asnjë përgijgje çfarë do të bëhet me ta. “Kërkojmë të na thonë të hyjmë a të dalim. Shkova në minibashki dhe nuk na përfillën fare”- u shpreh një banore tjetër. “Pronari i firmës sillet rreth e rrotull, dhe nuk na thotë asnjë fjalë, ndërsa lekët na i ka marrë një më një.” – thotë dikush tjetër.
“Kjo situatë e pasigurisë është e papranueshme, sepse po hyjmë në javën e tretë. Duhet të ketë qartësi se çfarë po ndodh dhe qartësia fillon me vlerësimin e çdo banese. Pa vlerësuar banesat, ju nuk mund të keni qartësi. Tani këta duhet të transferojnë fondet, se s’ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit. Shumë pak familje mund të jenë në gjendje të bëjnë diçka vetë, të tjerëve ky tërmet u ka marrë gjithçka. u ka marrë pasurinë e një jete. Shteti është i shqiptarëve. Fondet janë të shqiptarëve, buxheti është i shqiptarëve, nuk është as i oligarkëve, nuk është as i Edi Ramës.“ – theksoi kreu i opozitës.
Edhe një nënë me dy fëmijë denoncoi shpërfilljen nga autoritetet lokale. “Vetëm se nuk kemi fjetur tek bashkia. Nuk vjen njeri të thotë çfarë të bëjmë. E kam shtëpinë me certifikatë, me taksa, me të gjitha. I jam përgjigjur shtetit një më një”. Për kreun e opozitës faktet e treguara nga banorët të çojnë në një konkluzion të vetëm.
“Ky është dështim i shtetit dhe i kësaj qeverie, sepse kemi hyrë në javën e tretë dhe ju nuk dini se ku të flini. Kjo është e papranueshme. Edhe në javën e dytë është e papranueshme për një shtet të mirëpërgatitur, por javën e tretë, kjo është neglizhencë, ky është dështim total. Është dështim kriminal dhe faturën e paguani ju. Kemi vetëm shfaqje nga mëngjesi deri në darkë.- tha zoti Basha.
Në javën e tretë pas tërmetit, banorët kanë nisur të tregojnë me gisht edhe përgjegjësit pse pallatet e tyre janë sot të pabanueshëm apo të rrezikuar.
“Kur është bërë ky pallati ishte 8+1, tani është bërë 12. Është ndërtuar në vitin 2014 dhe avancoi për 1 vit, se është 3D-ja”. tha një banor, duke iu referuar kompanisë së kryetarit të asaj kohe të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. “Çfarë përgjegjësie do të mbajnë këta njerëz që ne jemi jashtë, që I kemi blerë sa frëngu pulën dhe bie faqja e murit pa problem, sikur është fletë libri. Ne duam që ata që kanë ndërtuar të japin llogari para prokurorëve, para shtetit dhe të ndërtojnë banesën.”- u shpreh i revoltuar një banor tjetër.
Zoti Basha ishte konkret me banorët e zonës së plazhit, kur u shpejgoi banorëve se kush e ka përgjegjësinë për cilësinë e dobët të pallatave të ngritura atje.
“Përgjegjësia fillon me ata që kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe licensimin e ndërtimeve, që është shteti. Këtu në Durrës kemi edhe një veçori se në 99% të pallateve, ai që ka firmosur për këto leje, ka sjellë edhe betonin, në konflikt interesi, Vangjush Dako. Pasi mbaron gjithçka, kolaudohet dhe prapë pushteti vendor, bashkia, ka për detyrë të kolaudojë që gjithçka është bërë në rregull. Përgjegjësia fillon dhe mbaron me shtetin. Ç’është ajo shprehje “do t’i bëj unë letrat”. Çfarë letrash do të bëjë ai? Ai duhet të shkojë në burg për këto gjëra.”- tha kryetari I PD, Lulzim Basha.
Një nga problemet kyçe të banorëve është mungesa e një përgjigjeje përfundimtare për sigurinë e banesës së tyre dhe shpërfillja e tyre nga Bashkia e Durrësit. Këto akte zoti Basha i krahasoi me ato të Bashkisë së Krujës, ku pas tërmetit, humbën jetën në Thumanë 24 persona.
“Kudo ku po shkoj po më thonë që s’ju japin asnjë përgjigje dhe qartësi njerëzve se ku do të flenë dhe njerëzit të kthehen në objektet e rrezikshme, kjo është kriminale. Kjo u ndodhi atyre në Thumanë. Ishin prishur me 21 shtator, u futën aty dhe tragjedia natyrore u kthye në tragjedi shtetërore.” – u shpreh zoti Basha.
Një qytetare ngriti zërin kundër sjelljes së kryeministrit, I cili, sic tha ajo, bën shfaqje, pa zgjidhur asgjë. “Edi Rama të mos bëjë propagandë si llazore, se e ka kthyer Shqipërinë si çadrat e Ertogrulit dhe nuk iI ka dhënë askujt zgjidhje. Personat e parë që duhet të kishte thirrur janë pronarët e pallateve që kanë shitur shtëpitë dhe kanë marrë lekët dhe nuk na hapin as telefonin sot. Për këtë vend Edi Rama është më keq se tërmeti. Fatkeqësia më e madhe për këtë vend është Edi Rama”.