Deputeti socialist Alket Hyseni është akuzuar publikisht për vjedhjen e 11 mijë metra katrorëve tokë në Dhërmi, nga familja Bua.
Gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”, më 22 mars, Irini Bua akuzoi zotin Hyseni për tjetërsim të pronës së familjes së saj, përmes falsifikimit të dokumenteve.
Çfarë dimë deri më tani për këtë ngjarje, bazuar në denoncimin e Irini Buas?
Irini Bua, 64 vjeç, tregoi se toka prej 11 mijë metrash katrorë është përfituar me Ligjin 7501.
Sipas zonjës Bua, për këtë pronë, e cila ndodhet buzë detit në Dhërmi, ka pasur konflikt brenda familjes Bua.
Në vitin 2015, Gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e familjes së Irini Buas, për sigurimin e padisë dhe pezullimin e çdo veprimi mbi pronën deri sa çështja gjyqësore të zgjidhet në mënyrë përfundimtare, vendim ky që është akoma në fuqi.
Më pas në vitin 2016, Stefo Bua, kunati i zonjës Irini, ja ka shitur tokën Ilia Takës me dokumente të falsifikuara, megjithëse për pronësinë e tokës vazhdonin ende proceset gjyqësore.
Ilia Taka, më pas ja ka shitur tokën deputetit socialist Alket Hyseni. Alket Hyseni ka drejtuar Task Forcën e ngritur nga Kryeministri Rama “Për pronat e paluajtshme shtetërore”, krijuar në 2015 për të evidentuar pronat e tjetërsuara në bregdet.
Sipas zonjës Bua, Ilia Taka është arrestuar në shkurt 2017 për falsifikim dokumentesh, por nga deklarata e zonjës nuk kuptohet nëse Ilia Taka është arrestuar për këtë rast apo jo.
Më pas, Alket Hyseni ka bërë marrëveshje me Mirela Papulin dhe Artur Dumin, për të ndërtuar në këtë tokë, që fillimisht ka qenë e regjistruar si tokë bujqësore, jo si truall për ndërtim.
Kryeministri Rama në vitin 2017, ka dhënë leje për ndërtimin e një kompleksi turistik në këtë tokë, mbi të cilën ka ende masë sigurie nga Gjykata e rrethit Vlorë.
Sipas legjendës së punimeve, vendosur në sheshin e ndërtimit, Zhvillues të punimeve janë Artan Dumi dhe Mirela Papuli, ndërsa shoqëria ndërtuese është HALISOF, në pronësi të Klaudio Rikos. Punimet kanë filluar në qershor 2017 dhe duhet të mbarojnë pas 36 muajsh.
Pas denoncimit publik të zonjës Bua, më 23 mars deputeti Hyseni mohoi akuzat, duke i quajtur ato të montuara nga opozita.
Ai sqaroi se toka prej 11 mijë metrash katrorë është blerë me shkëmbim në natyrë: “Kam shkëmbyer disa apartamente, njësi dhe garazhe të fituara paravitit 2010 nga të ardhura të ligjshme dhe të deklaruara, me një sipërfaqe toke bujqësore, të cilën e kam shitur vitin e kaluar”.
Sot kryeministri Rama, gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar, i ka kërkuar deputetit Hyseni të bëjë sqarim publik për akuzat ndaj tij.Deri më tani Prokuroria nuk ka reaguar nëse ka nisur hetimet për këtë rast apo jo.