KASTRIOT ÇIPI
Z. Ingels,
Emrin tuaj unë e dëgjova për herë të parë më 23 nëntor 2017. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, tha në një mbledhje të Këshillit Bashkiak, se ju ishit ofruar për të projektuar Teatrin e ri Kombëtar të Shqipërisë, madje i kishit paraqitur atij (në mënyrë ende të paqartë për opinionin publik shqiptar) projekt-idenë tuaj “fantastike”.
Përralla dukej tepër e bukur për të qenë e vërtetë: Ju, starkitekti (arkitekti yll), projektuesi i një prej kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ishit vetofruar për t’i bërë këtë nder Shqipërisë dhe Tiranës.
Jo se nuk e besoja famën tuaj, përkundrazi, por sepse e kisha të vështirë të besoja se një starkitekt, për të cilin kryetari im i Bashkisë thotë se homologët e tij në Londër, Tokio e Paris “shtrihen barkas për të pasur një projekt tuajin për qytetin e tyre”, kishte marrë mundimin të merrej me Tiranën tonë, të vogël e të varfër.
Dyshimet e mia shtoheshin edhe për faktin se ky lajm vinte në veshët e mi nga goja e kryebashkiakut, që nuk ka ligjërisht asnjë tagër për të vendosur për Teatrin Kombëtar, i cili, ashtu si në Danimarkë, administrohet nga Ministria e Kulturës.
Dyshimet e mia lidheshin gjithashtu, madje kryesisht, me një histori njëzetvjeçare që ka Kryeministri ynë aktual me Teatrin Kombëtar, por besoj se kjo histori nuk ju intereson dhe as ju përket. Në fund të fundit, ju jeni biznesmen dhe qëllimi i biznesmenit për të fituar para nuk është i qortueshëm në vetvete.
Nga ana tjetër, ju nuk keni as kombësi, e as shtetësi shqiptare, kështu që nuk mund të pres nga ju që të merakoseni sadopak për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, as për korrupsionin e institucioneve, që ata zgjedhin me votë.
Shkurt, z. Ingels, unë nuk ju bëj me faj, nëse keni pranuar propozimin për të projektuar ndërtimin e një teatri, duke shkatërruar një monument të pazëvendësueshëm të kulturës dhe historisë shqiptare.
Por pas intervistës tuaj të fundit, që u publikua në të gjitha mediat shqiptare, ju keni zhveshur kostumin e pragmatistit që vjen për të bërë biznes në një vend të varfër dhe jodemokratik dhe jeni bërë avokat i krimit shtetëror që po kryhet në këtë vend.
Dhe ja sepse:
Së pari, një arkitekt i huaj, i porositur për të projektuar një teatër të ri, nuk duhej të merrej fare me debatin lokal nëse duhet shembur apo jo teatri i vjetër. S’ka budalla që nuk e kupton se ju jeni në konflikt interesi, sepse nëse vendoset rikonstruksioni apo restaurimi, bie i gjithë propozimi i “Fusha ShPK” për zhvillimin e zonës dhe ju humbni paratë e honorarit tuaj zotëri!
Së dyti, ju thoni se keni punuar një vit për këtë projekt dhe se madje keni marrë porosi, fillimisht, të gjeni zgjidhjen për rikonstruksionin, por nuk na thoni cili është klienti juaj, “Fusha ShPK” apo Bashkia Tiranë?
Nëse është “Fusha ShPK”, prisni t’ju besojmë se kjo kompani private ju ka kërkuar të bëni rikonstruksionin e TK?! Nëse është Bashkia Tiranë, atëherë ju i keni hyrë me vetëdije një afere korruptive, sepse në faqen tuaj ëeb keni thënë se porositësi është “Fusha ShPK” dhe keni deklaruar madje edhe sipërfaqen, për të cilën keni marrë porosinë ta zhvilloni dhe madje thoni edhe se keni fituar konkursin për këtë!
Ju gënjeni me vetëdije të plotë, mundoheni të fshihni gjurmët e krimit, në të cilin jeni bashkëpunëtor. Ju e dini se nuk ka pasur as studim dhe as konkurs, as për rikonstruksionin e TK-së, as për ndërtimin e ri, madje as për kompanitë zbatuese.
Dhe meqë jemi te konkursi, a keni projektuar ndonjëherë ju një objekt për ndërtimin e të cilit është dashur të miratohet një ligj i veçantë?
Së treti, ju shkoni shumë larg në avokatinë e krimit ku jeni bashkëpunëtor, kur thoni se dy korpuset e Teatrit nuk u ndërtuan si Teatër Kombëtar, nuk kanë përmasa për të mbajtur një audiencë të madhe.
Por ju duhet ta dini se salla e projektuar nga Giulio Berte’ kishte kapacitet 800 vende, pa llogaritur këtu tri sallat e Teatrit Eksperimental, ndërsa ajo që na propozoni ju ka 650 vende. Jo vetëm kaq, por ju ricikloni shpifjen, që, ndonëse është përsëritur me mijëra herë, nuk ka zënë vend si e vërtetë, se objekti u ndërtua për argëtimin e ushtarakëve italianë.
Paturpësia juaj arrin kulmin kur thoni se diçka e ngjashme ka ndodhur në Barcelonë, ku janë shembur disa ndërtime të vjetra ushtarake, për të ndërtuar Muzeun e Artit Bashkëkohor. Pra, për ju, edhe sot e kësaj dite, pas 73 vjet shfaqjesh që kanë pasur një audiencë më të madhe se popullsia aktuale e Shqipërisë, Teatri Kombëtar është një ndërtesë e vjetër ushtarake!
Z. Ingels, porositësit tuaj ose bashkëpunëtorët tuaj në krim jua kanë vështirësuar shumë punën me nxitimin dhe megalomaninë e tyre.
Pasi mediat denoncuan planet okulte të Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë për të shembur Teatrin Kombëtar, duke cituar edhe deklaratën e kryebashkiakut në 23 nëntor 2017, “Fusha ShPK” nxitoi të sajonte një provë false për të shpëtuar kryebashkiakun, duke i dërguar një “propozim të pakërkuar” më 19 shkurt 2018.
Të zënë ngushtë nga protesta e artistëve që kishte nisur qysh më 8 shkurt, më 12 mars ju i dolët në krah Kryeministrit tonë duke paraqitur një projekt që ngjante si dy pika uji me projektin e studios ukrainase “Forma”, të paraqitur në konkursin për Operën e Busanit. Kur plagjiatura u denoncua në media, ju u detyruat të heshtni.
Dhe kush hesht është dakord, thotë një shprehje e vjetër. Asgjë nuk ka rëndësi për ju, në gjithë këtë histori, përveç honorarit tuaj. Nëse do të kishit një fije ndërgjegjeje dhe mirësie, duke ndjekur këshillën e kolegut tuaj John M. Johnson, që thotë se “Opinioni i klientit shpesh duhet shpërfillur të mirën e tij”, ju do t’i kishit propozuar klientit tuaj restaurimin e teatrit të vjetër dhe ndërtimin e teatrit të ri në bulevardin e ri.
Madje, për t’i bindur, do t’i kishit treguar se si ju danezët, edhe pasi ndërtuat Teatrin e ri Kombëtar me tri salla, nuk e shembët sallën e vjetër Staerekassen! Ja pse unë ju quaj një vrasës me pagesë! Ju jeni klienti i një bande mafioze, të drejtuar nga Kryeministri, i cili ju ka zgjedhur të shkrepni këmbëzën për të vrarë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, historinë e teatrit shqiptar dhe trashëgiminë kulturore të kryeqytetit.
Si çdo vrasës me pagesë, ju nuk keni as skrupuj, as ndërgjegje. Ju jeni më cinik se sa kolonizatorët që u ofronin indigjenëve pasqyra në këmbim të arit. Por, për fatin tuaj të keq, jemi në shekullin XXI dhe në Europë dhe ne nuk kemi ndërmend t’ju japim “arin” tonë për një teatër transparent, ku kalimtarët në rrugë mund të shohin se si artistët bëjnë prova!
Përtej transparencës së munguar të këtij projekti, shqiptarët shohin provat e dramës “Rikardi III”, shohin se si ju dhe administratori i “Fusha ShPK” nxirrni thikat për të vrarë Klarensin, ndërkohë që Rikardi III pret lajmet në kohë reale, para monitorëve të zyrës së tij kryeministrore. Dhe unë shoh se si shqiptarët hipin në skenë, i heqin zvarrë vrasësit me pagesë dhe ashtu të bashkuar si një trup i vetëm, drejtojnë gishtin nga Rikardi III.