“Ky mund të jetë momenti i tij”

Mario Melchiot beson se Virgil van Dijk e ka fituar vendin për të qenë favorit për ta fituar Topin e Artë, përderisa qendërmbrojtësi po përgatitur për ta ndihmuar Holandën në ndeshjen kualifikuese për EURO 2020 kundër Gjermanisë.

Pasi munguan në Kampionatin Evropian 2016 dhe Kupën e Botës 2018, futbollistët e Holandës, të drejtuar nga Virgil van Dijku, janë të gatshëm ta japin më të mirën e tyre për ta siguruar një vend në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Liverpooli e transferoi Van Dijkun për 84 milionë euro nga Southamptoni para 18 muajve dhe mbrojtësi e ka pasur një ndikim të vërejtshëm në skuadrën e Jurgen Kloppit, të cilës i ndihmoi sezonin e kaluar ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve.

“The Reds” janë favoritë për ta sfiduar Manchester Cityn për titullin e Premierligës edhe këtë sezon, pasi përfunduan me vetëm një pikë më pak sesa skuadra e Pep Guardiolës në sezonin e kaluar.

Dhe Melchiot, i cili edhe vetë ka luajtur në të kaluarën për Kombëtaren e Holandës, beson se Van Dijku e meriton të qëndrojë përkrah Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në podiumin e Topit të Artë, pasi javën e kaluar edhe u emërua lojtari më i mirë i vitit nga UEFA.

“Gjëja e mrekullueshme për Van Dijkun është se ai qëndron i qetë në të gjitha situatat. Shpresoj se ai do të vazhdojë kështu sepse kjo e bën atë të ndryshëm dhe sjell qetësi edhe te bashkëlojtarët e tij. Kjo e bën atë të duket në kontroll dhe ai ndien se është në kontroll”, tha Melchiot.

“Kur unë po e shikoja atë në Holandë në Groningen, e pashë se ai ishte i relaksuar. Ai është në paqe me veten, Kështu është edhe qyteti i tij. Pastaj ai vendosi ta ndërmarrë një udhëtim të mrekullueshëm – Ai shkoi në Skoci dhe e dëshmoi se mund ta përballojë”.

“Pastaj në Premierligë e dëshmoi veten me Southamptonin. Pastaj, Liverpooli ofroi shumë para dhe ai menjëherë e solli atë qetësi në mbrojtjen e Liverpoolit. Ai është i shpejtë, i fuqishëm, ka teknikë të mirë dhe e kupton lojën”.

“Ai mund ta lë një sulmues jashtë skuadrës dhe ai e ka një trajner për të cilin do të donin të luajnë të gjithë. Gjëja e vetme është që njerëzit e shohin tani atë si lojtar të veçantë. Një gabim i vogël do të vlerësohet si gabim i madh, por nuk mendoj se ai do ta ketë këtë problem”.

“Ai është edhe kapiteni i Holandës. Ai është një lojtar i mrekullueshëm, solli qetësi në Liverpool edhe në finalen e Ligës së Kampionëve. Ai e ka dëshmuar veten si njëri ndër më të mirët, ai duhet të jetë ndër të parët për Topin e Artë. Ky mund të jetë momenti i tij”.

 

Artikulli paraprakProkuroria, mburojë mbrojtjeje për Agim Kajmakun, Rama po bën gjithçka për të shpëtuar të inkriminuarin e tij
Artikulli tjetërVinicius: Zidane më ka thënë se do të kem karrierë të gjatë te Reali