Ky nuk është Kryeministri ynë

Një punonjës humbi jetën, dy ditë më parë, në një shpërthim në rafinerinë e Ballshit, e blerë rishtaz nga një invetitor i huaj.
Të shtunën, reshjet e shiu përmbytën mbi 1 mijë hektarë tokë bujqësore. Energjia elektrike u ndërpre në të gjithë vendin. Disa rrugë u bllokuan dhe dhjetëra njerëz u shpërngulën.
Në të njëjtën ditë, Presidenti Nishani drejtoi një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të marrë masa ndaj prodhimit masiv të kanabisit në vend. Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian, përgjigjja e Shqipërisë ndaj krimit të organizuar nuk ka dhënë rezultate dhe korrupsioni mbetet në nivele të larta.
Në këto kushte, pritet që Kryeministri i vendit të drejtojë përpjekjet për shpëtimin e punëtorëve në Ballsh, të drejtojë shpërnguljet nga përmbytjet e përpjekjet për të rindërtuar, si dhe të drejtojë përpjekjet kundër krimit të organizuar.
Në mes të këtyre krizave, Kryeministri Edi Rama u nis për në Nju Jork për të hapur, më 11 nëntor, ekspozitën e punimeve vetjake në galerinë e famshme Marian Goodman. Më 12 nëntor, ai zhvilloi gjithashtu një bisedë me kuratorin Hans Obrist Ulrich dhe artistin Rirkrit Tiravanija, në mjediset e galerisë, e cila u transmetua drejtpërdrejt në Facebook.
Edhe pse biseda supozohej të ishte rreth punimeve të tij, Edi Rama e përdori këtë mundësi për të propaganduar punën e mirë të qeverisë së tij. Edhe një herë ai pranoi se vizaton gjatë mbledhjeve të Këshillit të Ministrave, kur nuk kupton se çfarë po flitet në to. Gjatë pyetje-përgjigjeve, Eriola Pira, historiane arti, pyeti për motivet të cilat qëndrojë mbrapa arsyes pse Rama hapi një ekspozitë vetjake. Zonja Pira iu drejtua të pranishmëve, përfshirë Obrist dhe Tiravanija, nëse ato ishin në dijeni të situatës aktuale politike në Shqipëri, kriminalizimin e institucioneve, burgosjen e atyre që shprehen kundër, shkatërrimin e plotë të medias dhe ushtrimin e artit të tij si një mënyrë propagande.
Përgjigjja e Ramës ishte tipike për arrogancën me të cilën ai interpreton çdo tundje koke apo shtrëngim duarsh nga komuniteti ndërkombëtar si një mbështetje e plotë ndaj politikave të tij:
Shqipëria para pak ditësh mori rekomandimin nga Komisioni Europian për të nisur bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo nuk është shumë e thjeshtë dhe jo i gjithë vendi e kishte imagjinuar. Nëse Komisioni Europian, i cili nuk njihet si kjo lloj bishe, të kishte gëlltitur gjithë këto që ti sapo the, atëherë me të vërtetë problemi do të ishte global. Por është shumë e thjeshtë: ju nuk kuptoni. Ata kuptojnë. Ti nuk e kupton këtë gjë. Si mundet Komisioni Europian të hapë negociatat me një vend të cilin ju e përshkruat? Rama më pas shtoi, duke u kthyer në drejtim të zonjës Pira:
Dhe meqë ra fjala, Komisioni Europian e vlerësoi lirinë tonë të shtypit, ndaj ti do të jesh një person i sigurtë në vendin tonë, edhe pas kësaj që sapo the.
Audienca me të qeshurat e saj e largoi kërcënimin e nënkuptuar.
Linda Pellegrini, përgjegjëse për marrëdhēniet me shtypin në galerinë Marian Goodman nuk i ka kthyer përgjigje asnjë nga pyetjeve të drejtuara nga “EXIT.al” në lidhje me ekspozitën e Edi Ramës.

“Exit.al”

Artikulli paraprakKulla e stadiumit mes thashethemeve dhe të vërtetës
Artikulli tjetërKodi +383, i Kosovës apo i Serbisë?!