Republika e Maqedonisë së Ilindenit është referenca më e re që po qarkullon në mediat e Maqedonisë, si emri i ardhshëm i republikës ish-jugosllave, i cili paraqet një lloj kompromisi midis Shkupit dhe Athinës për problemin më se dy dekadësh.
Vetë kryeministri Zoran Zaev është shprehur pas takimit të djeshëm me kolegun e tij grek Alexis Tsipras në Sofje të Bullgarisë, në prapaskenat e Samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, se ata dy kanë shqyrtuar opsione të mundshme për çështjen e emrit dhe me zgjidhjen e problemit do të forcohet dinjiteti dhe identiteti i qytetarëve të të dy vendeve:
“Biseduam në mënyrë thelbësore për opsionet dhe një nga opsionet është i pranueshëm për të dyja palët. Do të vazhdojmë me konsultimet në shtëpi, që të shohim nëse institucionet e sistemit e pranojnë dhe se a do të jetë e zbatueshme zgjidhja në mënyrë praktike dhe nëse është e mundëshme – atëherë do të kemi zgjidhje”, tha zoti Zaev.
Megjithate, Alexis Tsipras nuk eshte shprehur aq optimist sa Zoran Zaev.
Në Shkup nuk ka pasur reagime negative mbi atë që konsiderohet ende spekulim, përkatësisht propozimin Republika e Maqedonisë së Ilindenit, ose Republika Ilindenska Makedonija, trajta sllave kjo për çka këmbëngul Athina, e cila po ashtu kërkon që Shkupi të bëjë ndryshime kushtetuese dhe që referenca të jetë në përdorim si të brendshëm po ashtu edhe ndërkombëtar.
Kryeministri Zaev do t’i njoftojë drejtuesit politikë dhe presidentin e vendit të shtunen në lidhje me bisedimet me kolegun e tij grek Tsipras, ndërsa opozita maqedonase kërkonte një takim urgjent të drejtuesve politikë për këtë.
Ndërkaq, përfshirja e “Ilindenit” në zgjidhjen e mundshme të emrit, ka shtuar interesimin edhe të Sofjes; autoritetet e atjeshme kanë komentuar se kjo gjë flet për historinë dhe të kaluarën e përbashkët. Ministrja e jashtme Katerina Zaharieva citohet t’i ketë thënë radios Evropa e Lirë se Ilindeni paraqet një pjesë shumë të rëndësishme për historinë e Bullgarisë, por dhe një moment shumë të rëndësishëm për historinë e Maqedonisë.