Ky vendim i Këshillit Europian nuk ishte aspak i papritur!

Nga Bujar NISHANI

Këshilli Evropian për të 3 (tretën) herë rradhazi refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë !Ky vendim i Këshillit Evropian nuk ishte aspak i papritur (për fatin e keq), duke patur parasysh kushtet e vëna një vit më parë prej tij dhe injorimin e plotë që ju bëri atyre qeveria e rilindsve dhe Kapoja i saj;

po të kemi parasysh radiografinë e thellë politike që i bëri Bundestagu dhe recetën e “ilaçeve të rënda” që ja bëri gati për ti gëlltitur;
po të kemi parasysh qëndrimet e prera refuzuese ndaj modelit të narko/rregjimit që i kanë berë gjatë gjithë kohës vendet e standardit më të lartë të shtetformimit, ato të hapsirës nordike;

po të kemi parasysh qëndrimet për mos penalizimin e Maqedonisë së Veriut për shkak të Edi Ramës, të kërkuar nga Presidenca e BE dhe një sërë shtetesh të tjera;
po të kemi parasysh taksiratin e madh të qytetarëve francezë nga valët e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria që ikin nga varfëria dhe mungesa e shtetit, duke ja kaluar edhe vetë Sirisë e Afganistanit.

Propaganda spekulluese për ta zhvendosur dështimin tek gjoja problemet brenda BE është prototipi i kulturës së ideologjisë majtiste për të projektuar dështimin e vet tek “armiq” imagjinarë për perceptimin e opinionit, të cilin kërkon ta mashtrojë.
Ne shqiptarët e njohim mirë dhe e kemi vuajtur shumë në lëkurën tonë këtë propagandë palaçosh në 50 vjet.

Fakti që proçesi i vijimit të integrimit evropian për Shqipërinë dhe MV ishte në të njëjtën axhendë me Marrëveshjen për Brexit (e cila është ndoshta çështja më fondamentale dhe influencuese për Komunitetin që nga krijimi i tij) tregon seriozitetin, rëndësinë dhe vizionin e pandryshuar të familjes evropiane mbi rajonin tonë dhe kryesisht përfshirjen e tij në të.

Fakti që Bundestagu i kushtoi një debat të veçantë, një platformë konsensuale prej tij dhe madje një proçes votimi është shumë më tepër se sa meritonim ne, përsa seriozitet dhe përgjegjshmëri kemi treguar ndaj partnerëve evropianë.
Por rilindsit me standartin që karakterizon modelin dhe moralin e tyre, nuk e vleresojnë e as i shohin këto fakte domethënës.

Morali, logjika dhe kultura e tyre është drejtimi i gishtit, sulmi e anatemimi, ndaj kësaj familje të madhe vlerash, lirie, civilizimi dhe zhvillimi.
Analiza për seicilin nga ne qytetarët e këtij vendi është shumë e lehtë dhe evidente në këtë rast.
Për 3 vite rrjesht Këshilli Evropian refuzon të rrisë nivelin e proçesit integrues me Shqipërinë duke artikuluar arsye të qarta dhe kërkuar plotësim kushtesh konkrete.
Vetëm një vit më parë këto detyra jo vetëm që u bënë më të qarta por ju përcaktua emri i përgjegjësit kryesor për ti përmbushur ato.

Edi Rama !
Ç’far ka ndodhur në harkun kohor të një viti me kriteret dhe kushtet që u përcaktuan vitin e kaluar nga Këshilli Evropian ?
A ka përparuar lufta kundër krimit të organizuar ? Jo, aspak !
Përkundrazi, vrasjet mafioze janë shtuar, ndërsa autorët në liri në kafenetë dhe hotelet lukzoze të vendit.

A është goditur trafiku i drogës ? Jo, aspak!
Përkundrazi, tonelatat e kanabisit tani nuk marrin më vëmendje për shkak të lumit të kokainës e heroinës.

A është çliruar politika nga lidhjet e influenca e krimit ? Jo, aspak !
Jo vetëm që askush nuk është përgjigjur para ligjit por Edi Rama vijon ta përfshi në proçese elektorale dhe në institucione.

Rastet e përsëritura ne farsën e fundit elektorale me kandidatët e Shkodrës, Vorës e shumë këshilltarë, tregon modelin nga ku nuk del dot më rilindsi.
A është luftuar e pakësuar korrupsioni ?
Jo, aspak !

Përkundrazi, hajdutëria është shndërruar në makutëri. Shqiptarët nuk gjejmë dot sot një zyrë, një derë një sportel të shtetit ku të mund të marrin shërbimin apo të drejtën që ju takon pa paguar paratë e korrupsionit zyrtarëve të pangopur rilindës.

Sajohen tendera asfalti e betoni ku vlera shumëzohet me 5(pesë) pasi makutërit rilindës nuk kënaqen dot me miliona por duan dhjetëra-miliona.
A mos vallë ekonomia ka bërë përpara dhe shqiptarëve u janë shtuar paratë në xhepat e tyre ? Jo, aspak !

Përkundrazi, rrogat, pensionet, tryeza e bukës së tyre, janë zvogëluar më shumë.
Paratë e tyre shkojnë në grykësinë e panginjëshme të 7-8 klientëve xhahilë të qeverisë, të cilët i thonë vetes kapitalistë por veç grabisin paranë e pronën publike e nuk kanë asnjë lidhje me formulën magjike e prosperuese të kapitalizmit.

Spitalet, shkollat, çerdhet e shqiptarëve janë sot më mizerabël se kurrë më parë !
Shqiptarët thahen për pikën e ujit sot në shekullin e 21-të e dimri në ardhje parashikon një torturë të re në furnizimin me energji elektrike.
Çfar mund të thuash tjetër për të kuptuar ikjen e madhe të shqiptarëve, braktisjen e vendit në emigrim !

Provokimet infantile ndaj Perëndimit prej atij që është simboli i korrupsionit më masiv të parë ndonjëherë në Shqipëri dhe autori i inkriminimit të shtetit ; se nëse ata nuk do të përkëdhelin haluçinacionet problematike të tij, Shqipëria rrezikon të shkojë nën influencën e palëve të treta jashtë perëndimit, veçse konfirmon paqëndrueshmërinë e standartit minimal të seriozitetit që duhet të garantojë një vendimarrës shtetar.

Pinjolli i Bllokut bolshevik të Tiranës bën sikur harron se vokacionin dhe orientimin e pandryshueshëm perëndimor të shqiptarëve, jo që nuk e përcakton por as e influencon dot, as edhe një grimë, ai.

Vokacioni dhe orientimi perëndimor është përcaktim shekullor i shumicës dërrmuese absolute të shqiptarëve.

Përkundër kësaj shumice dërrmuese të shqiptarëve që nuk duan ta shohin me sy sot qeverisjen rilindse, Edi Rama në fakt i ka disa miq privat ndërkombëtar, që duket se e kanë shijuar miqësinë personale me të.

Miqtë ndërkombëtarë personal të Edi Ramës i kanë përmbushur raportet reciproke me të, por i kanë bërë një dëm të madh shqiptarëve të pafajshëm përgjatë këtyre 6 (gjashtë) viteve të fundit.

Miqtë ndërkombëtare personale të Edi Ramës, nuk arritën t’ju a justifikojnë shqiptarëve modelin e korrupsionit, inkriminimit dhe anarkisë të mikut të tyre, por për fat të keq kontribuan në status-quon e ngecjes së Shqipërisë për interesat malinje politike të klientit të tyre.

Në këtë klimë problematike rajonale, interesi malinj politik i Edi Ramës arriti të helmojë edhe fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut.

Në Bruksel e dinë mirë, por, po aq mirë e dinë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni se vendimi për Maqedoninë e Veriut ishte një sforcim i arrirë për të maskuar (ndonëse keq) problematikun e pandreqshëm për vendin e tij, për rajonin dhe për të gjithë Evropën, Edi Ramën !

Tashmë rilindsi shqiptar është jo vetëm problemi i madh i krizës së brendëshme në Shqipëri, por është bërë shkaku edhe i minimit të stabilitetit në MV, ai është kthyer në një çiban rajonal.

Pas analizës së thjeshtë dhe të mundëshme që mund të bëjmë seicili prej nesh, është koha dhe përgjegjësia të marrim konkluzionet dhe vendimet e domozdoshme për Shqipërinë, jo për Edi Ramën.

Eshtë koha që të niset një lëvizje mbarë kombëtare, 24/24, për largimin e menjëhershëm dhe pa kompromis të bllokuesit të rrugës sonë evropiane, të anti-europianit dhe anarkistit antiperëndim që ka futur në ngërç rrjedhën normale të jetës, zhvillimit dhe prosperimit të këtij vendi e populli.

Spekullantët mjeranë që kanë pushtuar hapsirën mediatike me propagandën e tyre tashmë të dalë boje “me armiqtë borgjezo-kapitalist” janë më qesharakë se kurrë dhe mbeten në mjerimin e tyre civil !

 

Artikulli paraprakÇfarë tha Macron që të “meritojë” gjithë këtë lumë fekalesh që lëshojnë rilindasit?!
Artikulli tjetërKlithma e babait fatkeq: “Alvini është vetëm, është i trembur, më ndihmoni që ta kthej në shtëpi”