Kyle Walker drejt Manchester Cityt

Kyle Walker do të bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në botë, futbollisti do të kalojë te Manchester City në bazë të një akordi në shumën e 54 milionë paund me Tottenham, me transferimin që është tashmë punë e kryer. Me këtë operacion Walker thyen rekordin për një futbollist anglez që mbahej nga John Stones që u transferua nga Everton te Citizens për 47.5 milionë paund. Për Walker Manchester City do t’i paguajë Spursave fillimisht 45 milionë paund dhe pastaj 5 milionë paund të tjera brenda 12 muajve, si dhe një shumë tjetër prej 4 milionë paundsh është parashikuar në formë bonusesh në bazë të performancave të lojtarit. Nëse këto performanca përmbushen transferimi i Walker kalon edhe rekordin e David Luiz prej 50 milionë paundsh, si mbrojtësi më i shtrenjtë në botë.
Ish-klubi i Walker, Sheffield gjithashtu do të përfitojë 5 milionë paund, në bazë të një klauzole që i jep atyre 10 për qind të shumës së shitjes së tij të ardhshme. Manchester City kishte arritur prej kohësh akordin personal me Walker, ndërsa në negociatat mes klubeve Citizens dhe Tottenham i ndante një diferencë prej 10 milionë eurosh, por City përshpejtoi tratativën pasi humbi shërbimet e Dani Alvesh që pavarësisht ofertave të Guardiolës zgjodhi Paris Saint Germain. Trajneri spanjoll identifikoi Walker si objektivin e tij në merkato pasi lejoi largimet e Pablo Zabaleta dhe Bacary Sagna. Walker, 27-vjeçar i cili nënshkruan një kontratë 5-vjeçare, pritet të niset për në turneun me City-n të hënën e ardhshme dhe madje mund të ndeshet me Tottenham, në Shtetet e Bashkuar më 29 korrik, në turneun e International Champions Cup.

Exit mobile version