La Liga refuzon pagesën për Neymar

Nuk mund të konsiderohet si një rrufe në qiell të hapur episodi më i fundit i çështjes së transferimit të Neymar te PSG, kjo pasi pozicioni i Ligës spanjolle të Futbollit ishte lënë të kuptohej nga një intervistë të presidentit Javier Tebas, por tanimë është zyrtare. La Liga ka kthyer pas pagesën e klauzolës së transferimit të brazilianit nga Barcelona te PSG, duke u mbështetur te aplikimi i rregullave që kanë të bëjnë me fair play financiar. Gjithsesi vlen të kujtohet se në lidhje me të njëjtën temë, një ditë më parë ishte shprehur UEFA që kujtoi se klubi parisien ka kohë deri në fund të gushtit për të kryer shitjet e nevojshme në mënyrë që të futet në kornizat financiare të parashikuara nga rregullorja. Juan de Dios Crespo, avokat i specializuar në të drejtën sportive, ishte personi që ishte ngarkuar të depozitonte në zyrat e Ligës spanjolle të Futbollit çekun prej 222 milionë eurosh, por tentativa e tij është refuzuar nga organi që kontrollon futbollin spanjoll. PSG, gjithsesi mund t’i drejtohet FIFA-s dhe të marrë transferimin e përkohshëm, pasi pagesa e klauzolës ishte e parashikuar në kontratën e Neymar me Barcelonën. Pra, praktikisht refuzimi i Ligës spanjolle është një pengesë gjatë rrugës, por që gjithsesi nuk mund të ndikojë në përfundimin pozitiv të operacionit.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërNeymar shkon në FIFA, do të largohet urgjentisht nga Barça