“La Reppublica”: Edmond Bego, drejtuesi i organizatës kriminale të Aldo Bares në Milano

Në maj të vitit 2006, kur Aldo Bare u arrestua në Turqi, mediat italiane e komentuan këtë si një sukses absolut të SISMI, njësisë së inteligjencës së asaj kohe me bazë në Romë, e cila kishte organizuar aksionin.

Ishte një nga operacionet më të rëndësishme për kohën, pasi banda e Lushnjës kishte nisur të zgjeronte aktivitetin kriminal drejt Romës dhe Milanos.

Një hetim 4-vjeçar ku ishin kapur 319 kilogramë heroinë, dy kilogramë kokainë, 155 kilogram përzierës, vite vëzhgime dhe përgjime telefonike, të finalizuara me kapjen e Aldo Bares, por jo vetëm.

17 vetë u arrestuan në Itali si pjesë e organizatës kriminale, mes tyre edhe Edmond Bego, trafikanti i drogës që në Tiranë arriti t’ia dalë si një biznesmen i suksesshëm ndërtimi. Ja çfarë shkruan gazeta italiane La Reppublica në vitin 2006 për rolin e Begos në trafikun e drogës.

“Baza e parë logjistike e grupit kriminal ishte në Torino. Kohët e fundit organizata po i zgjeronte kufinjtë e saj. Ishin ndarë në dy pjesë në Itali: një bazë në Milano, që drejtohej nga Edmond Bego, shqiptar 36 vjeç. Tjetra në Romë, drejtohej nga Enver Dondollaku, shqiptar, 31 vjeç. Droga vinte nga portet e Barit dhe të Ankonës, e fshehur me mjeshtëri nëpër kamiona. Pastaj transportohej nëpër Itali në shumë pika shpërndarjeje”.

Nga sa kuptohet në shkrimin e gazetarëve italianë, Bego ka qenë një ndër emrat kryesorë të organizatës kriminale, ndaj dhe dënimi për të ka qenë i rëndë. Gjithsesi për shkak të kalimit të procesit në Shqipëri, ai ia doli të përfitojë një ulje të konsiderueshme të viteve të burgut, për t’ia nisur pastaj nga biznesi i ndërtimit në Tiranë.

Artikulli paraprakTrafikanti i drogës, Edmond Bego pas kullës ku do të pastrohen mbi 20 milionë euro
Artikulli tjetërAmerika nxjerr ushtrinë kundër kaosit